Zbardhet dosja e vrasjes së Enea Mekollit, si e qëlloi Braçellari efektivin dhe detaji për jelekët antiplumb

7 Qershor 2026 | 15:52

Janë zbardhur detaje nga momentet e ngjarjes së rëndë ku mbeti i vrarë efektivi i policisë së Korçës, Enea Mekolli, dhe u plagos kolegu i tij Edison Adri. Sipas të dhënave nga dosja hetimore, efektivi Mekolli nuk ka shkrepur asnjë plumb nga kallashnikovi i tij, pasi është qëlluar nga autori Violand Braçellari menjëherë sapo ky i fundit e ka parë atë ndërsa shkëmbimi i zjarrit ka ndodhur mes Braçellarit dhe efektivëve të tjerë të policisë.

Kjo hedh poshtë versionin e nënës së autorit, e cila tha sot për mediat se policia qëlloi ndaj djalit të saj dhe më pas ai u kundërpërgjigj, ndërsa në dosje dalin në dritë edhe elementë të tjerë që janë bërë pjesë e debatit publik, si ai nëse policët kishin pasur jelekët antiplumb apo jo.

Sipas dokumentit, plani operacional erdhi pas një kallëzimi të bërë nga shtetasi A.K., 32 vjeç, i cili kishte disa ditë që punonte si çoban në bagëtitë e shtetasit Violand Braçellari në malin e Bodesë. Ai kallëzoi se ishte dhunuar dhe kanosur me qytë të një arme automatike nga ana e Braçellarit. Sipas tij, Braçellari qëndronte te stallat e bagëtive dhe dyshohej se dispononte armë automatike dhe një armë gjuetie.

“Për këtë arsye, në datën 04.06.2026, në mëngjes rreth orës 07:00, forcat e DVP Korçë të organizuara sipas planit të operacionit janë afruar në Malin e Bodesë, pranë vendit ku ndodheshin stallat e këtij shtetasi. Është bërë rrethimi i ndërtesave, pasi në zonë kishte disa struktura. Pa u bërë mirë rrethimi nga ana e forcave të policisë, shtetasi Violand Braçellari ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë dhe për pasojë është vrarë efektivi Enea Mekolli dhe është plagosur efektivi Edison Adri.

Shtetasi Violand Braçellari ka tentuar të largohet me vrap në drejtimin e poshtëm të stallave, por si pasojë e shkëmbimit të zjarrit është plagosur dhe më pas është kapur disa metra poshtë stallave. Në afërsi të vendit ku është kapur ai është konstatuar një armë automatike model 56, kalibri 7.62 mm, e cila ishte e boshatisur dhe pa fishekë. Arma u gjet me qytën e vendosur, bajonetën në pozicion të mbyllur, thuprën dhe një fragment materiali najloni që imiton rripin e armës. Në një segment të tij, në gjatësi rreth 10 cm, litari paraqiste një njollë me ngjyrë të kuqërremtë, të ngjashme me gjakun. Arma kishte të vendosur një krehër me kapacitet 30 fishekë, i cili në brendësi paraqiste njolla me ngjyrë të kuqërremtë. Leva e ndërrimit të zjarrit ishte në pozicion qitjeje. Pas heqjes së krehërit u konstatua se nuk kishte fishekë. Në trupin metalik të armës gjendej i stampuar numri 5617076736.

Gjithashtu, në vend janë konstatuar dy njolla të kuqërremta si gjak, nga të cilat janë marrë mostra për ekspertim biologjik. Nga kontrolli i zonës janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja model 56, kalibër 7.62 mm, me shenjë të gjilpërës së armës, të cilat janë marrë si prova materiale.

Më tej, në afërsi të dy stallave me mur tulle janë gjetur një bluzë me mëngë të shkurtra, me ngjyrë të bardhë, e dëmtuar me grisje të shumta dhe me njolla të kuqërremta si gjak. Po ashtu, në distanca të ndryshme në vendngjarje janë konstatuar edhe gëzhoja të tjera të modelit 56, kalibër 7.62 mm, të ngjashme me ato të përshkruara më sipër, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Në afërsi të stallës së dytë janë konstatuar edhe 3 gëzhoja të tjera të ngjashme, si dhe më tej edhe 3 gëzhoja të tjera me të njëjtat karakteristika.

Nga këqyrja në vendngjarje është konstatuar se trupi i pajetë i punonjësit të policisë Enea Mekolli ndodhej rreth 8 metra nga muri i stallës së fundit, i shtrirë në tokë. Nga këqyrja rezultoi se ai kishte dëmtime në pjesën e kokës, qafës, veshit, gjoksit dhe këmbëve, të gjitha të ngjashme me plagë të shkaktuara nga predha arme zjarri. Ai ishte i veshur me uniformë policie dhe jelek antiplumb, i cili paraqiste dëmtim në pjesën e gjoksit dhe tek shiritat e supave.

Në trupin e viktimës është gjetur i vendosur edhe arma automatike që kishte për operacionin, me krehër me kapacitet 30 fishekë, ku brenda ndodheshin 29 fishekë, ndërsa një fishek ndodhej në folenë e armës, gjë që sipas dosjes tregon se ai nuk ka arritur të qëllojë me armë. Pas transportimit të trupit në morgun e Spitalit të Korçës për ekzaminime më të hollësishme, është konstatuar edhe një pellg gjaku me diametër rreth 40 cm në vendin ku ishte trupi.

Në vijim të këqyrjes është konstatuar se dritarja anësore e stallës së parë ishte e hapur, ndërsa rrjeta e telit ishte e shqyer dhe e varur nga jashtë, çka dyshohet se është pika nga ku është larguar autori. Nga kjo zonë e deri në vendin ku është kapur Braçellari janë gjetur gëzhoja të shumta të modelit 56, kalibër 7.62 mm, me të njëjtat shenja markerimi, që dyshohet se janë qitur nga e njëjta armë.

Gjatë këqyrjes në pjesën përpara stallës së parë janë konstatuar gjithashtu shumë gëzhoja të shpërndara në tokë, kryesisht në anën e majtë të stallës kur shihet nga jashtë, që përputhen me pozicionin e forcave të policisë. Përpara stallës, në një derë hyrëse nga ana e poshtme, është gjetur një armë automatike model 56, kalibër 7.62 mm, me krehër me kapacitet 30 fishekë, ku brenda ndodheshin 23 fishekë dhe një fishek në folenë e armës. Sipas hetimeve, kjo armë dyshohet se i përket efektivit të plagosur Edison Adri dhe është përdorur gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Në të njëjtin vend është gjetur edhe një këmishë predhe arme zjarri me ngjyrë metalike bakri, e cila është sekuestruar si provë materiale. Pak metra më tutje, në anën e majtë të stallës, është gjetur një jelek antiplumb tjetër, i ndotur me lëndë të kuqërremtë si gjak, si dhe një radio dore policie, gjithashtu e ndotur me gjak, që i përkasin efektivit të plagosur Edison Adri.

Në vijim të këqyrjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe gëzhoja të tjera të modelit 56, kalibër 7.62 mm. Në pjesën e pasme të anës së majtë të stallës së parë dhe përpara murit të stallës së dytë janë gjetur edhe 4 gëzhoja metalike bronzi, kalibër 9 mm, me mbishkrim GECP 9mm LUGGER, të cilat janë sekuestruar si prova materiale në lidhje me ngjarjen.

Në vendngjarje janë konstatuar gjithsej 5 armë zjarri me tytë të gjatë dhe 5 jelekë antiplumb të ndotur me gjak dhe baltë, të cilat i përkasin punonjësve të policisë që kanë marrë pjesë në operacion. Të gjitha armët dhe pajisjet janë sekuestruar për t’iu nënshtruar ekspertimit balistik në lidhje me ngjarjen, thuhet në dosjen hetimore.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

‘Nuk keni paguar gjobën’, policia thirrje qytetarëve: Kujdes nga mesazhet mashtruese, mos ndani kodet me askënd

Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me disa mesazhe mashtruese që janë raportuar nga disa qytetarë. Në mesazhe, qytetarëve u kërkohet...
17:13 | 07/06/2026

Prokuroria e Korçës ngre 4 akuza ndaj autorit të vrasjes së efektivit, hetim dhe për “Shpërdorim detyre” nga policia

Prokuroria e Korçës ka ngritur katër akuza ndaj Violand Braçellarit, autorit të dyshuar të vrasjes së efektivit të policisë Enea Mekolli dhe plagosjes së kolegut...
16:22 | 07/06/2026

‘Flamingot po largohen’, reagon Rama: Inteligjencë Artificiale. Ikin prej zhurmës suaj anti-ekologjike

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me një video që qarkullon në rrjetet sociale ku pretendohet se flamengot po largohen...
16:15 | 07/06/2026