Macron: Nuk besoj se lufta midis SHBA-së dhe Iranit ka mbaruar plotësisht

19 Qershor 2026 | 07:36

Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot se nuk beson që lufta midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit ka “mbaruar plotësisht”, pavarësisht marrëveshjes që u nënshkrua një ditë më parë në Versajë.

Në një intervistë me televizionin France 2, Macron tha se “është gjithmonë më mirë të kesh një marrëveshje sesa një luftë”, por paralajmëroi se ende ekziston rreziku i përshkallëzimit, duke deklaruar se bota po hyn në një “fazë të re bashkëpunimi dhe dialogu”, e cila mund të kontribuojë në stabilizimin e rajonit dhe të mundësojë një rrjedhë më të sigurt të cisternave të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.

Ai shprehu gjithashtu pritjen se kjo mund të çojë në një rënie graduale të çmimeve të karburantit.

Duke folur për Lindjen e Mesme, presidenti francez i bëri thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të tregojë “përgjegjësi dhe racionalitet”, duke vlerësuar se një operacion ushtarak i zgjatur kundër Hezbollahut në Libanin jugor nuk është në interes të Izraelit.

“Hezbollahu është një rrezik për Izraelin, kjo është absolutisht e vërtetë, por siguria e shtetit hebre nuk mund të garantohet duke pushtuar territorin fqinj”, tha Macron, duke shtuar se do të përpiqet përsëri të mobilizojë bashkësinë ndërkombëtare për të “ndihmuar ushtrinë libaneze të rimarrë kontrollin e territorit të saj”.

Sipas tij, Netanyahu po “rrit ndjenjën e pakënaqësisë dhe dhunës në rajon” me lëvizjet e tij në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Liban.

Macron njoftoi gjithashtu se Franca do të vazhdojë të mobilizojë bashkësinë ndërkombëtare me qëllim forcimin e rolit të ushtrisë libaneze dhe rimarrjen e kontrollit mbi territorin.

Duke folur për situatën në Ukrainë, Macron vlerësoi “guximin e jashtëzakonshëm” të forcave ukrainase, duke thënë se aftësia e tyre për të prodhuar dhe përdorur dronë tregon një nivel të lartë inovacioni në luftën kundër Rusisë.

“Ukraina reziston me guxim, kapacitet inovativ dhe kapacitet prodhimi ushtarak që i ka mahnitur të gjithë që nga dita e parë “, shtoi ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Disa sulme me sëpatë në Skoci, plagosen 5 persona. Autori vihet në pranga (VIDEO)

Pesë persona u plagosën në një seri sulmesh të dhunshme në Edinburg, ndërsa shërbimi kundër terrorizmit i Skocisë po heton rastin. Një skocez 36-vjeçar është arrestuar...
23:45 | 20/06/2026

Rama të hënën vizitë në Paris, Euronews Albania zbulon detaje nga agjenda

Kryeministri Edi Rama mësohet se do të udhëtojë të hënën, më 22 qershor drejt Parisit. Burime për gazetaren e Euronews Albania, Eksiola Shehu bëjnë me...
23:21 | 20/06/2026

Pacientët me sëmundje të rralla në Europë, pa mbështetje psikologjike

Shtatë në dhjetë persona që jetojnë me një sëmundje të rrallë në Europë dhe kujdestarët e tyre përballen me probleme të shëndetit mendor, ndërsa shumica...
21:40 | 20/06/2026