Asociacioni i Gazetarëve reagon në lidhje me sigurinë e ekipeve mediatike në protesta: Mos intimidoni gazetarët
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur shqetësimin për incidentet e regjistruara ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediatike gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë në javët e fundit.
Në një reagim publik, organizata thekson se, ndonëse e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore demokratike që duhet respektuar, po aq i rëndësishëm është garantimi i sigurisë dhe lirisë së punës së gazetarëve që raportojnë nga terreni.
Reagimi i plotë i AGSH:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) rithekson se e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore kushtetuese, e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Protesta paqësore është një prej mekanizmave më të rëndësishëm përmes së cilës qytetarët shprehin pakënaqësitë, kërkesat dhe qëndrimet e tyre ndaj institucioneve publike dhe qeverisjes.
Në këtë kuptim, AGSH respekton të drejtën e qytetarëve për t’u organizuar dhe protestuar në mënyrë paqësore.
Megjithatë, gjatë 22 ditëve të fundit të protestave në Tiranë, AGSH ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim një sërë incidentesh ku gazetarë, operatorë dhe ekipe mediatike janë përballur me sulme verbale, gjuhë fyese, intimidime dhe në disa raste edhe me tentativa për sulme fizike gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.
Gazetarët nuk janë palë në protestë. Ata ndodhen në terren për të raportuar, dokumentuar dhe informuar publikun mbi zhvillimet, në përmbushje të misionit të tyre profesional dhe në interes të qytetarëve. Për këtë arsye, çdo pengesë ndaj punës së tyre, çdo kërcënim apo akt intimidues përbën jo vetëm një cenim të sigurisë së gazetarëve, por edhe një kufizim të së drejtës së publikut për t’u informuar.
AGSH thekson se media, si çdo institucion tjetër në një shoqëri demokratike, mund dhe duhet të kritikohet. Kritika ndaj mënyrës së raportimit, ndaj linjës editoriale apo përmbajtjes mediatike është legjitime dhe pjesë e debatit demokratik. Megjithatë, kritika nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në sulm personal ndaj gazetarëve, në nxitje të urrejtjes apo në përpjekje për t’i penguar ata të kryejnë punën e tyre.
Në një klimë të polarizuar politike dhe sociale, është veçanërisht e rëndësishme që të gjitha palët të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të kontribuojnë në ruajtjen e një ambienti të sigurt për përfaqësuesit e medias. Gazetarët në terren duhet të trajtohen si profesionistë që ushtrojnë të drejtën dhe detyrën për të informuar publikun.
AGSH u bën thirrje organizatorëve të protestave dhe të gjithë pjesëmarrësve që të respektojnë dhe të mbrojnë punën e gazetarëve, të dënojnë qartë çdo akt dhune apo intimidimi ndaj tyre dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi të sigurt për raportimin mediatik.
Njëkohësisht, AGSH fton Policinë e Shtetit të marrin të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e ekipeve të mediave në terren, përfshirë vlerësimin e rreziqeve dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme profesionale dhe logjistike.
Në të njëjtën kohë, AGSH rithekson rëndësinë e respektimit të standardeve profesionale dhe etike nga vetë gazetarët dhe mediat gjatë raportimit të protestave. Raportimi i saktë, i paanshëm dhe i verifikuar është thelbësor për ruajtjen e besimit të publikut dhe për të garantuar që media të vijojë të luajë rolin e saj në shërbim të interesit publik.
Gjermania për protestat: Një e drejtë e qytetarëve, por janë çështje e brendshme e Shqipërisë (VIDEO)
Kuvendi kërkon më shumë kontroll mbi kreditimin e bankave, cilat çështje u shqyrtuan
U mbyt në plazhin e Durrësit, përcillet në banesën e fundit 11-vjeçari nga Berati
- 18:41 Protesta masive në Novi Sad, mijëra qytetarë kërkojnë zgjedhje të parakohshme në Serbi
- 18:35 Lamine Yamal në histori, hyn në 10 golashënuesit më të rinj të Kupës së Botës
- 18:31 Sot dita e 23-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët pritet të mblidhen para Kryeministrisë
- 18:11 BE synon barazinë e pagave mes grave dhe burrave
- 17:59 Gjermania për protestat: Një e drejtë e qytetarëve, por janë çështje e brendshme e Shqipërisë (VIDEO)
- 17:58 Australi, kapet sasia rekord prej 2.7 tonë kokainë (VIDEO)