LIVE| Sot dita e 23-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët mblidhen para Kryeministrisë

22 Qershor 2026 | 18:31

Për të 23-tën ditë me radhë, duke filluar prej orës 19:00, qytetarët u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për të protestuar kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Ashtu si në ditët e mëparshme, grumbullimi i protestuesve u bë në sheshin “Skënderbej”, nga ku më pas ata marshuan drejt godinës së qeverisë.

Në bulevard dëgjoheshin thirrjet e tyre, “Rama në burg, Berisha në burg!” dhe “Rama, jepe dorëheqjen!”.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij, ndërsa në tubime marrin fjalën qytetarë të ndryshëm dhe aktivistë.

Pas qëndrimit në shesh, protestuesit vijojnë marshimin në formë kolone në disa akse të Tiranës me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg.”

Organizatorët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat çdo ditë nga ora 19:00, deri në plotësimin e kërkesave të tyre, mes të cilave përfshihet edhe anulimi i ligjeve që, sipas tyre, lidhen me mjedisin, natyrën dhe zonat e mbrojtura.

7 Updates
19:34

“Dorëheqje!”, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë në ditën e 23-të të protestës

Me thirrjet “Dorëheqje!”, “Ju erdhi fundi!”, “Edi Rama, o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë!”, “Revolucion”, “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Poshtë qeveria!”, protestuesit u nisën në marshim nga sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë në ditën e 23-të të protestës që po mbahet nga aktivistë dhe qytetarë në Tiranë.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa gjatë marshimit janë dëgjuar edhe thirrje si “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëri e re”.

🔗 Shpërndaje
17:19

Gjermania për protestat: Një e drejtë e qytetarëve, por janë çështje e brendshme e Shqipërisë

Në një dalje publike, Martin Giese, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë është pyetur mbi protestat e vazhdueshme që po mbahen në Tiranë

Konrketisht Martin Giese pyetet nëse qeveria gjermane është në kontakt me protestuesit në Shqipëri? Nëse e di Berlini se çfarë kërkojnë vetë protestuesit dhe çfarë pret ai nga qeveria e Edi Ramës në raport me protestat?

Në një replikë për median gjermane, Giese tha shkurtimisht se protestat janë një e drejtë e qytetarve, por i cilëson ato si një çështje e brendshme politike e Shqipërisë.

🔗 Shpërndaje
16:14

Asociacioni i Gazetarëve reagon në lidhje me sigurinë e ekipeve mediatike në protesta: Mos intimidoni gazetarët

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur shqetësimin për incidentet e regjistruara ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediatike gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë në javët e fundit.

Në një reagim publik, organizata thekson se, ndonëse e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore demokratike që duhet respektuar, po aq i rëndësishëm është garantimi i sigurisë dhe lirisë së punës së gazetarëve që raportojnë nga terreni.

🔗 Shpërndaje
13:12

Berisha: Vendi i çdo demokrati është në shesh në protestën qytetare

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencë për mediat ka folur lidhur me protestën e cila prej 22 ditësh vijon pa ndërprerje në kryeqytet. Berisha u bëri thirrje demokratëve që të bashkohen me qytetarët në shesh për liri dhe kundër autokracisë.

Sipas tij vendi i demokratëve është në sheshin dhe rrugët e Tiranës. Berisha e cilësoi sheshin ku mblidhen protestuesit çdo ditë si vendi i nderit dhe i fushëbetejës qytetare. Ai shtoi se në këtë protestë nuk ka flamuj dhe simbole partiake dhe se e respektojnë këtë.

 “Asnjë slogan, asnjë parullë, asnjë mashtrim i hedhur aty kundër opozitës së vërtetë, asaj opozite që në kushtet më të vështira të një kalvari të vërtetë, qëndroi e pamposhtur në dhjetëra e dhjetëra protesta kundër regjimit.

Të asaj opozite që u burgos, por nuk u mposht. Që u sanksionua, por nuk u mposht. Të asaj opozite që me komisionet e saj, me denoncimet e saj, depozitoi një mal dosjesh në SKAP, pavarësisht se heshtën.

Të asaj opozite që ia doli me betejat e saj të damkosë regjimin e Edi Ramës në tetë rezoluta ndërkombëtare si narkoregjim.

Të denoncojë e para narkoshtetin e tij dhe ta stipulojë atë në rezoluta ndërkombëtare. Të asaj opozite që realizoi mbrojtjen e votës së lirë dhe që bëri të mundur që zgjedhjet e 11 majit të damkosen si farsë elektorale në një përpjekje shumë të madhe.

Pra, çdo demokrate e demokrat duhet ta ketë të qartë se vendi i nderit i tij është në fushëbetejën qytetare, kësaj radhe jo me flamurin dhe simbolet e partisë pasi kjo është një protestë qytetare, të cilën ne si të tillë e respektojmë plotësisht.

Të cilën ne bëjmë gjithçka për të dhënë kontributin tonë, por vetëm e vetëm si qytetarë. Askush nuk duhet të impresionohet ndaj klithmave të atyre që janë unikë në botë që protestojnë kundër opozitës, të kompleksuar si vegël e qeverisë mendojnë se hapin rrugën e tyre duke sulmuar, duke shpifur, trilluar kundër opozitës.

Asnjë gjethe, asnjë degëz nuk duhet t’u pengojë ku të shihni trungun qytetar të kësaj proteste, kauza e të cilës në çdo pikë të paraqitur ka qenë dhe është kauza juaj, kauza e PD.

Ndaj dhe të vazhdoni si sot, pa impresion, pa asnjë hezitm, të jepni kontributin tuaj maksimal në suksesin e kësaj proteste.

Unë kam besim të madh se revolucioni apo protesta do të triumfojë dhe se Edi Rama çfarëdo që të bëjë, me çdo makinacion, çdo vegël që do përdorë, çdo mashtrim që do përdorë, do marrë atë që meriton”, tha ai ndër të tjera.

🔗 Shpërndaje
08:02

Protesta qytetare në Tiranë, një grup protestuesish kaluan natën përpara Kryeministrisë

Një grup protestuesish vijon të qëndrojë përpara Kryeministrisë edhe mëngjesin e kësaj të hëne.

Protestuesit janë vendosur në disa stola metalikë pranë godinës, ndërsa në shkallët e Kryeministrisë janë vendosur edhe këpucë, të cilat sipas organizatorëve simbolizojnë emigrimin.

Qëndrimi i protestuesve nisi pas përfundimit të protestës së zhvilluar të shtunën. Një pjesë e tyre vijuan të qëndrojnë përpara godinës së qeverisë edhe gjatë gjithë ditës së diel, duke vazhduar praninë e tyre në zonë.

🔗 Shpërndaje
07:46

Rama publikon pamjet e pastrimit të kryeqytetit pas protestës: Nisi për mjedisin, përfundoi duke ndotur vetveten

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet e pas-protestës së mbajtur mbrëmjen e djeshme në kryeqytet.

Në pamjet e publikuara shihen mbeturinat e hedhura në tokë, të cilat po pastrohen nga punonjësit.

“Një natë në kryeqytet, si metafora e fundit të një proteste që nisi për mbrojtjen e mjedisit dhe bitisi me ndotjen e vetvetes…“, shkruan Rama krahas videos.

🔗 Shpërndaje
07:06

Rama: Flamingot do të habiten me veten e tyre si ranë pre e korbave të shqiptarisë së rreme

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të diel pas deklaratës së një prej protestuesve lidhur me incidentin e flamurit të Izraelit. Në postimin e tij, Rama ironizon deklaratën e njërit prej organizatorëve, Arben Kola, i cili pretendon se në protestë ka pasur persona të infiltruar.

Nga njëra anë, kryeministri ngre pikëpyetjen: “Po ky vetë?”, ndërsa më tej vijon duke thënë: Dhe flamingot do të habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme.

Postimi i Kryeministrit Edi Rama:

“Ouuu… Po ky vetë?

Avash-avash, të gjithë do të dalin!

Dhe flamingot do të habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme.”

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Macron reagon pas takimit me Ramën: Franca riafirmon mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në BE

Presidenti francez Emanuel Macron ka ndarë në rrjetin social X një mesazh pas takimit të zhvilluar në Pallatin Elize me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Macron...
16:48 | 22/06/2026

Vetëvendosje i përgjigjet Ramës: Nuk kemi asnjë rol në protestat në Shqipëri

Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar se si subjekt politik është e përfshirë në protestat që po zhvillohen në Shqipëri prej 23 ditësh. Anëtari i Këshillit të...
16:01 | 22/06/2026

Rama nis vizitën zyrtare në Paris, pritet në Pallatin Elysee nga Presidenti Macron (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka nisur këtë të hënë vizitën zyrtare në Paris, ku është pritur në Pallatin Elysee nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Vizita...
14:02 | 22/06/2026