Shqiptarët mbajnë 1.8 trilionë lekë kursime në banka, 10 depozituesit më të mëdhenj zotërojnë 7.5% të tyre

10 Korrik 2026 | 16:40

Qytetarët dhe bizneset mbajnë rreth 1.8 trilionë lekë kursime në banka, ndërsa dhjetë depozituesit më të mëdhenj zotërojnë rreth 7.5% të totalit të depozitave në sistemin bankar shqiptar.

Sipas Raportit të Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2025 vlera totale e depozitave arriti në 1.8 trilionë lekë, duke shënuar një rritje prej 9.1% krahasuar me një vit më parë.

Depozitat e qytetarëve dhe bizneseve vijojnë të jenë burimi kryesor i financimit për bankat, ku mbi 80% e burimeve të financimit të sistemit bankar vijnë nga kursimet e klientëve.

Gjatë vitit të kaluar është rritur edhe pesha e depozitave në monedhën vendase, duke arritur në 49% të totalit. Ndërkohë, qytetarët kanë treguar preferencë më të madhe për depozitat me afat, veçanërisht ato afatgjata, çka tregon një prirje për mbajtjen e kursimeve në banka për periudha më të gjata.

Për sa i përket përqendrimit të depozitave, të dhënat tregojnë se dhjetë depozituesit më të mëdhenj zotërojnë rreth 7.5% të totalit të depozitave, një nivel më i lartë se një vit më parë.

Nga ana tjetër, individët vazhdojnë të mbajnë pjesën më të madhe të kursimeve, me rreth 78% të totalit të depozitave. Rritja më e fortë është regjistruar te sektori privat dhe individët, ndërsa depozitat e sektorit publik janë rritur me ritme më të moderuara.

Edhe raporti mes kredive dhe depozitave ka vijuar të rritet. Në fund të vitit 2025, ky tregues arriti në 51.5%, nga 49.6% një vit më parë, duke treguar se bankat po përdorin një pjesë më të madhe të kursimeve të mbledhura për financimin e ekonomisë, duke ruajtur njëkohësisht nivele të qëndrueshme likuiditeti.

Në monedhën vendase, raporti kredi-depozita mbetet më i lartë se në valutë, duke treguar se kreditimi në lekë vijon të mbështetet më fort nga kursimet në të njëjtën monedhë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Bankat shtojnë kreditë për banesa, pasuritë e paluajtshme zënë 52% të huave

Sistemi bankar shqiptar e mbylli vitin 2025 me një zgjerim të ndjeshëm të kreditimit për blerjen e pronave. Kredia për pasuri të paluajtshme arriti në...
16:35 | 10/07/2026

300 kredi të buta në administratë, i marrin policët, ushtarakët dhe mjekët

Qeveria ka hapur 300 kuota të reja për kredi të buta, duke u dhënë mundësi punonjësve të administratës publike të blejnë banesën e tyre me...
18:19 | 09/07/2026

Këmbimi valutor 9 korrik/ Me sa blihen e shiten monedhat kryesore

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan do të blihet sot me 81.4 lekë dhe do shitet me 82.4 lekë. Ndërkohë monedha evropiane...
09:33 | 09/07/2026