Rama: Nëse do të ishim lavatriçe parash të pista, nuk do të mbyllnim kapituj me Bashkimin Europian

17 Korrik 2026 | 14:04

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të premte një takim me aktorë të sipërmarrjes dhe sistemit bankar në vend, për të promovuar dhe diskutuar ecurinë e programit të iniciuar nga qeveria “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te akuzat për praninë e parave të pista në ekonominë shqiptare, duke deklaruar se forcimi i institucioneve dhe roli i SPAK-ut tregojnë, sipas tij, rritjen e kontrollit të sistemit ndaj korrupsionit dhe trafiqeve.

“Diskutojmë që këtu ka një lavatriçe parash të pista, por kush do të na linte ne të vazhdonim të mbyllnim kapitujt me Bashkimin Europian? Vetëm ideja që kjo mund të ishte e vërtetë do të kishte stopuar çdo gjë dhe do të ishim bërë objektiv i institucioneve të huaja. Risia është se sistemi ka prodhuar mekanizma të rinj dhe SPAK është pjesë e sistemit. Sistemi po lufton, sepse deri dje nuk luftonte. Nuk kishte balancat e brendshme për të garantuar imunitetin e vet, ndërsa sot lufton”, u shpreh Rama.

Sipas tij, zbulimi i rrjeteve që kanë sjellë para të pista është tregues i forcimit të institucioneve dhe jo dëshmi se Shqipëria është një “narkoshtet”.

“Fakti që kapet një rrjet që ka sjellë para të pista është historik për të treguar rritjen e nivelit të imunitetit të sistemit, por nuk tregon se kjo është vetëm një detaj i vogël në majën e një narkoshteti. Kjo tregon që po goditen trafiqet, rrjetet dhe korrupsioni”, tha Rama.

Kryeministri komentoi gjithashtu edhe lidhjet që disa ekonomistë bëjnë mes forcimit të lekut dhe parave nga aktivitetet kriminale, duke i cilësuar si të pabazuara.

“Duke pasur në mendje edhe ekonomistët popullorë që forcimin e lekut e lidhin me narkoregjimin, një banalitet absolut. Forcimi i lekut është sukses i ekonomisë shqiptare, një nga treguesit më kokëfortë të suksesit tonë dhe nuk ka të bëjë fare me atë shpjegimin e atyre që i thonë vetes analistë e nuk dinë çfarë flasin. Në një vend ku miliarda e miliarda hyjnë çdo vit nga ekonomia reale, të flasësh për narkotikë e gomarllëqe të tilla nuk kanë lidhje me realitetin”, përfundoi kryeministri.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Raiffeisen Bank Shqipëri vlerësohet me tre çmime nga Euromoney Awards for Excellence 2026

Raiffeisen Bank Shqipëri është vlerësuar me tre nga çmimet më prestigjioze ndërkombëtare të industrisë bankare në kuadër të Euromoney Awards for Excellence 2026, duke u...
14:09 | 17/07/2026

“Dyfisho sipërmarrjen tënde”, Rama: Programi më ambicioz i qeverisë për bizneset e vogla

Kryeministri Edi Rama foli këtë të premte në prezantimin e programit “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, të cilin e cilësoi si programin më ambicioz të mbështetjes së...
13:02 | 17/07/2026

Këmbimi valutor 16 korrik/ Me sa lekë blihen e shiten monedhat kryesore

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan do të blihet sot me 81.1 lekë dhe do shitet me 82.1 lekë. Ndërkohë monedha evropiane...
08:26 | 16/07/2026