Armir Shkurti zbardh misionin e Kuvendit Kombëtar të protestës: Nuk është forcë politike

24 Korrik 2026 | 22:06

I ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, gazetari Armir Shkurti shpjegoi rolin dhe funksionimin e Kuvendit Kombëtar të protestës, duke hedhur poshtë akuzat se ky organizim synon të shndërrohet në një forcë politike.

Shkurti tha se, ndaj Kuvendit është zhvilluar një fushatë e madhe sulmesh dhe keqinterpretimesh, ndërsa theksoi se ky organizim nuk është një subjekt politik, por një strukturë e krijuar nga qytetarët dhe protestuesit për të mbajtur gjallë protestën.

“Kuvendi nuk është forcë politike. Është një organizim ose vetëorganizim i qytetarëve dhe protestuesve, i cili ka për qëllim të mbajë protestën të ndezur. Nuk ka për qëllim të hyjë në negociata me askënd, të prodhojë platforma politike apo të jetë një forcë politike. Nuk është një platformë politike, por një mënyrë organizimi për të kuptuar se si do të funksionojë protesta. Pretendimet se këta duan të përfitojnë, të krijojnë një forcë politike apo një grup negociator janë pjesë e një propagande negativ. Në shesh kemi të gjithë flamingot që i ka bërë kauzë Edi Rama, konservatorë, ultranacionalistë, liberalë, socialistë të zhgënjyer, demokratë të zhgënjyer, njerëz pa parti. Të gjithë vijnë me hallin e tyre”, deklaroi ai.

Duke folur për organizimin e protestës dhe mungesën e një drejtimi të vetëm, Shkurti tha se ekziston një grup koordinues, por vendimmarrja nuk është e centralizuar.

“Rritja sasiore dhe mbajtja gjallë e protestës është ajo që unë e kam quajtur një zjarr që nuk shuhet”, u shpreh ai. Kuvendi nuk është grupi udhëheqës. Kuvendi është përfaqësim i frymës së protestës. Ai do të shërbejë për ta mbajtur gjallë këtë energji qytetare edhe në zona të ndryshme të vendit”, tha Shkurti.

Në vijim, ai foli edhe për termin “Besa”, duke e lidhur me atë që e cilësoi si një ndjenjë të qytetarëve se kontrata mes tyre dhe qeverisë është thyer.

Sipas Shkurtit, kjo lidhet me perceptimin e protestuesve se premtimet e bëra ndër vite nuk janë mbajtur.

“Ajo që ka ndodhur me Ramën dhe protestuesit është se protestuesit ndihen, duke përdorur këtë term, të prerë në besë. Është thyer kontrata dhe protestuesit kërkojnë një kontratë të re”, përfundoi gazetari.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Qiraxhi analizon reagimin e Ramës: Pse protesta ka vënë përballë përgjegjësisë të gjithë klasën politike

I ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare” analizoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e përbashkët të grupit...
22:19 | 24/07/2026

Gazetarja sjell detajet nga Roskoveci, nesër ceremonia mortore për Kosta dhe Belere Plakun

Gazetarja Laureta Roshi ishte në një lidhje live për emisionin “Review” me Greta Topjanën, ku solli detaje nga ngjarja tragjike e kësaj të premteje në...
21:27 | 24/07/2026

Protesta nuk ndalet edhe pas “Besës” së Ramës, qytetarët mblidhen në ditën e 55-të përballë Kryeministrisë

Protesta e qytetarëve dhe aktivistëve në Tiranë ka shënuar këtë të premte ditën e 55-të të saj, ndërsa tubimi i sotëm përkon me mbledhjen e...
20:06 | 24/07/2026