​A preket Gjykata Speciale në Kosovë nga vendimi i Trumpit për pezullimin e ndihmës

1 Shkurt 2025 | 12:13

Një prej vendimeve të para të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, është ngrirja e ndihmës ndërkombëtare. Kjo vlen për një afat prej 90 ditësh dhe nënkupton pezullim të përkohshëm të financimit të programeve nga Shtetet e Bashkuara.

Financat e SHBA-së shkojnë edhe për Dhomat e Specializuara të Kosovës, apo atë që njihet si Gjykata Speciale e cila heton krimet e pretenduara të luftës. Në këtë institucion që selinë e ka në Hagë të Holandës, gjykatësit, prokurorët dhe i gjithë stafi janë nga vendet e Bashkimit Evropian apo shtete të treta.

Financuesi kryesor i Speciales është BE-ja por aty kontribuojnë edhe shtete të treta: Shtetet e Bashkuara, Zvicra, Kanadaja, Norvegjia dhe Turqia. Shtetet e Bashkuara japin kontributin e tyre duke financuar punonjës të emëruar nga ta.

Në Gjykatën Speciale nuk kanë treguar nëse preken nga vendimi i fundit i presidentit amerikan, marrë parasysh pjesën e stafit aty që vjen nga Shtetet e Bashkuara. Veçse konfirmuan kontributin e SHBA-së përmes dërgimit të punonjësve.

“Zvicra ka kontribuar në Programin e Informimit të Dhomave të Specializuara që nga viti 2018, aktualisht me një grant mbi 137,000 euro. Norvegjia në atë kohë financoi rinovimin e ndërtesës së gjykatës. Kontributi i shteteve të tjera, përfshirë SHBA-në, ka të bëjë kryesisht me dërgimin e posteve të disa anëtarëve të stafit”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për KosovaPress.

Bashkimi Evropian ka financuar buxhetin e Gjykatës Speciale me një shumë prej 97.1 milionë euro – bëhet e ditur në raportin vjetor të gjykatës për vitin 2023. Kjo përfshinë periudhën prej 15 qershor 2023 deri më 14 qershor 2025.

Raporti gjithashtu thotë se Holanda ka numrin më të madh të punonjësve aty, e pasuar nga Shtetet e Bashkuara.

Vetë kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West vjen nga Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, amerikan është edhe Charles Smith, gjykatësi në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.

Raporti i vitit 2023 tregon në total për gati 300 të punësuar në këtë institucion, prej tyre rreth 30 nga SHBA-ja.

“SHBA-të nuk janë tërhequr nga financimi i Gjykatës Speciale por është një vendim, ose është një urdhër ekzekutiv i lëshuar nga presidenti Trump përmes së cilis është suspenduar në afat prej 90 ditësh ndihma financiare që SHBA-të ofrojnë në tërë botën, në çdo shtet të botës, në çdo projekt që ka të bëjë me financimin e projekteve ndërkombëtare ku hyn edhe Gjykata Speciale. Është fakt i ditur që Gjykata Speciale financohet me vendim të Këshillit të Bashkimit Evropian, ku shtetet e BE-së por edhe shtetet që nuk janë të Bashkimit Evropian, si SHBA-të, Kanada, Turqia apo shtetet e tjera, ndihmojnë ose financojnë këtë gjykatë, qoftë përmes prokurorëve apo gjyqtarëve të tyre që i paguajnë, qoftë përmes formave të tjera të operimit”, thotë drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj në një përgjigje për KosovaPress.

Sipas tij, është e rëndësishme të shihet se cili do të qëndrimi i Shteteve të Bashkuara lidhur me ndihmat financiare në më shume se 190 shtete të botës.

“Gjykata Speciale është në radhë të parë është institucion i Republikës së Kosovës por që financimin kryesisht e bënë përmes vendimit të Këshillit të Bashkimit Evropian. Këshilli i Bashkimit Evropian nëse e shohim i ka ndarë mjetet për dy vitet e ardhshme, që do të thotë se buxheti i kësaj gjykate veç ekziston por më shumë është temë se si, çka do të ndodhë pas këtij urdhri ekzekutiv dhe cili do të jetë qëndrimi i SHBA-ve dhe nuk lidhet vetëm me Gjykatën Speciale, por lidhet me ndihmat financiare që jep SHBA-ja në më shumë se 190 shtete të botës”, shton ai.

Kjo gjykatë u miratua nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015 dhe deri tani ka nxjerrë dy vendime fajësie për krime të pretenduara të luftës.

Aktualisht aty po zhvillohet procesi gjyqësor edhe kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi./Kosovapress

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026