Abuzuan me fondet e ndihmës ekonomike, lëshohen masat e sigurisë për 6 funksionarë publikë

25 Qershor 2026 | 14:13

Gjashtë funksionarë të shtetit janë vënë nën masa sigurimi me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, pasi dyshohen për përfshirje në një skemë abuzimi me fondet shtetërore të ndihmës ekonomike, duke i shkaktuar buxhetit një dëm prej rreth 12.5 milionë lekësh.

Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masat “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” ndaj gjashtë personave me detyra si administrator shoqëror, postier, drejtor drejtorie në bashki dhe specialistë të administratës.

Ata akuzohen për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Hyrjes së paautorizuar kompjuterike”.

Hetimi nisi pas kallëzimit të një qytetari në prill të vitit 2025, i cili ngriti dyshime për abuzime me skemën e ndihmës ekonomike në lidhje me familjarët e tij. Pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, u zbulua një skemë e mirëorganizuar që vepronte në një njësi administrative të qarkut Elbasan.

Sipas organit të akuzës, për periudhën tetor 2024 – korrik 2025, në skemën e ndihmës ekonomike janë përfshirë në mënyrë të paligjshme familje që nuk plotësonin kriteret për të përfituar mbështetje financiare nga shteti. Hetimet tregojnë se numri i përfituesve ishte rritur artificialisht, ndërsa fondet janë përvetësuar në mënyrë të kundraligjshme.

Prokuroria bën të ditur se pas nisjes së procedimit penal, numri i familjeve përfituese në këtë njësi administrative ra ndjeshëm, nga 320 në vetëm 110 familje, çka sipas hetuesve konfirmon përmasat e abuzimit.

Nga veprimet hetimore është arritur në përfundimin se funksionarët e përfshirë kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke mos administruar dokumentacionin e nevojshëm, duke rritur fiktivisht listat e përfituesve dhe duke dështuar të ushtrojnë kontrollet e kërkuara ligjore për të parandaluar veprimtarinë e paligjshme.

Prokuroria e Elbasanit ka njoftuar se çështja do të dërgohet për gjykim, pasi të dyshuarve u është komunikuar akuza dhe kanë marrë statusin e të pandehurit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

U kapën me sasi droge në mjet, në pranga 31-vjeçari në Korçë. Procedohet edhe kushëriri i tij

Policia e Korçës këtë të enjte ka finalizuar një operacion ku ka vënë në pranga një 31-vjeçar ndërsa është proçeduar në gjendje të lirë kushëriri...
13:32 | 25/06/2026

Vrau me thikë vëllain pas konfliktit të momentit, arrestohet 76-vjeçari në Kavajë

Është arrestuar në flagrancë këtë të enjte autori i vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kavajë, ku pas një konflikti mes dy vëllezërve, njëri...
13:27 | 25/06/2026

Plagosja në Sukth, policia jep detaje: Në pranga 32-vjeçari, 3 persona në spital me plagë

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me plagosjen e regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në Sukth të Durrësit. Policia bën me dije se lidhur me...
13:26 | 25/06/2026