Afati për konstituimin e Kuvendit po skadon, presidentja Osmani takohet me Limajn
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar të premten një takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në kuadër të konsultimeve me subjektet politike parlamentare, në prag të përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Takimi u mbajt një ditë para seancës së planifikuar për të shtunën, e cila synon konstituimin e Kuvendit, pas 48 përpjekjeve të pasuksesshme deri më tani.
Sipas komunikatës së Presidencës, ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin KO124/25, që detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve nga mbledhja e parë, përkatësisht deri më 26 korrik.
Osmani ka theksuar se zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues dhe ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe mirëbesimit mes përfaqësuesve politikë për arritjen e një zgjidhjeje të shpejtë në interes të qytetarëve dhe funksionimit demokratik të shtetit.
Partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate, ka tri ulëse në Kuvend dhe prej kohësh përflitet për një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje, partinë fituese të zgjedhjeve.
Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, ka deklaruar më herët se pret që në fundjavë të arrihet marrëveshje mes Limajt dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Ajo ka mohuar se Nisma ka hequr dorë nga kërkesa për postin e kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se synimi është që Limaj të jetë në krye të Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese ka caktuar 26 korrikun si afatin e fundit për konstituimin e Kuvendit, por nuk ka dhënë më shumë detaje se çfarë do të ndodhë nëse dështojnë edhe përpjekjet e fundit.
Në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120 ulëse, nevojiten të paktën 61 vota për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të hapur rrugë për formimin e institucioneve të reja.
Vetëvendosje ka aktualisht 48 ulëse, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20, Lista Serbe me 9 dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës me 8 ulëse.
Edhe 11 ulëse të tjera i përkasin pakicave. Nisma Socialdemokrate përfaqësohet nga tre deputetë: Fatmir Limaj, Xhevahire Izmaku dhe Arbëreshë Kryeziu.
Ministri në detyrë për Administrimin e Pushtetit Lokal dhe kryetar i IRDK-së, Elbert Krasniqi, ka sinjalizuar më parë se shtatë deputetë të pakicave joserbe janë të gatshëm të mbështesin konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e një qeverie të re të udhëhequr nga Vetëvendosje.
Në këtë rast, së bashku me votat e Nismës dhe të minoriteteve, do të duheshin edhe tre vota shtesë për të kaluar me sukses kandidaturën për kryetar Kuvendi.
Megjithatë, deputetët e pakicave Duda Balje, Veton Berisha dhe Adem Hoxha janë shprehur se nuk do të japin mbështetje pa u përmbushur kërkesat e tyre.
Në këtë situatë të paqartë, Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese javën e ardhshme, nëse nuk arrihet konstituimi brenda afatit.
Situata është bllokuar kryesisht për shkak të mosmarrëveshjes rreth mënyrës së votimit. Partitë opozitare si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe kanë refuzuar të propozojnë kandidat për formimin e një komisioni për votim të fshehtë, duke e konsideruar mënyrën e votimit të udhëhequr nga kryesuesi Avni Dehari si jokushtetuese.
Vetëvendosje ka propozuar që Albulena Haxhiu të votohet për kryeparlamentare në një votim të fshehtë, duke u tërhequr nga kandidatura nëse nuk merr 61 votat e nevojshme.
Në disa seanca të mëparshme, Haxhiu nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme përmes votimit të hapur.
Për disa parti opozitare, ajo shihet si figurë përçarëse dhe e papranueshme për të udhëhequr Kuvendin.
LEXONI GJITHASHTU:
Deklarata e ministres serbe, reagon eurodeputeti çek. Kërkon përjashtimin e Serbisë nga negociatat me BE-në
“Kosova nuk hesht para gjuhës së urrejtjes”, depozitohet kallëzimin penal ndaj ministres serbe Paunoviç
Mblidhen 53 nënshkrime nga deputetët në Serbi, kërkojnë shkarkimin e ministres Snezana Paunoviç
- 20:39 Rritjet e çmimeve, Shtëpia e Bardhë: Është çrregullim i përkohshme në tregun e naftës
- 20:22 Dita e 47-të, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë. U bashkohen edhe studentët e veshur me pelerinat e diplomimit
- 20:15 Nga biznesi privat te drejtimi i kompanive shtetërore: Kush është kryeministri i ri i Ukrainës?
- 20:12 Nikaragua ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Italinë, shkak çështja e një vrasjeje të vitit 1978
- 19:47 Pse SHBA-të duan ta “çmontojnë” Gjykatën Penale Ndërkombëtare?
- 19:43 Dinamo shkruan historinë në Kazakistan, përmbysje spektakolare ndaj Astanës