Akuzë ndaj një shtetasi të Kosovës për krime kundër njerëzimit në Siri dhe Irak

12 Prill 2024 | 15:39

Prokuroria e Posaçme ngriti të premten aktakuzë ndaj një shtetasi të Kosovës nën dyshimet për përfshirje në veprën penale “Krime kundër njerëzimit” dhe veprën “Shkelje e rëndë e ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, shtetasi që u identifikua me inicialet M.D. dyshohet se u përfshi në krime që “u kryen ndaj vajzave dhe grave të komunitetit ‘’Yazidi’’ gjatë konfliktit në Siri dhe Irak në periudhën kohore 2014 – 2017”, shkruan VOA.

Prokuroria nuk dha më shumë hollësi rreth të akuzuarit. Një person me këto iniciale është dërguar në paraburgim në tetor të vitit 2018, nën dyshimin për kryerje të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, e dënueshme në bazë të për ndalimin e bashkimit në konfliktet e armatosura jashtë vendit.

Në një njoftim të një gjykate në Prishtinë thuhej se “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.D. që nga muaji mars i vitit 2013, kishte shkuar nga Gjermania përmes rrugëve të ndryshme në Republikën Arabe të Sirisë dhe u është bashkuar organizatave të ndryshme, të shpallura si organizata terroriste nga ana e Kombeve të Bashkuara”.

Hetuesit e Kombeve të Bashkuara kishin pohuar se ekstremistët e grupit militant Shteti Islamik, kanë kryer gjenocid në Siri dhe Irak ndaj pakicës fetare, Yazidi.

Në vitin 2018, Nadia Murad, pjesëtare e kësaj pakice, fitoi çmimin Nobel për paqe, bashkë me mjekun Denis Mukwege, nga Republika Demokratike e Kongos, për përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund dhunës seksuale si armë e luftës.

Në arsyetimin e komitetit thuhej se Nadia Murad është një nga rreth 3 mijë vajzat dhe gratë Yazidi, që ishin viktima të përdhunimeve dhe abuzimeve tjera të grupit militant Shteti Islamik. Abuzimet ishin sistematike dhe pjesë e strategjisë ushtarake dhe ato u shfrytëzuan si armë në luftën kundër pakicës Yazidi dhe pakicave tjera fetare.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kosova shpall “Non Grata” ministren serbe pas deklartatës skandaloze për spastrim etnik

Kosova e ka shpallur person “të padëshirueshëm” dhe ia ka ndaluar përherë hyrjen apo kalimin nëpër vend ministres serbe Snezhana Paunoviq, pasi ajo tha ditë...
21:31 | 14/07/2026

Deklaratat për spastrimin etnik të Kosovës, eurodeputeti italian Gozi thirrje Vuçiçit: Shkarko ministren Paunoviç

Eurodeputeti italian, i cili përfaqëson Francën në Parlamentin Evropian, Sandro Gozi, i ka cilësuar skandaloze deklaratat e ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviç, e...
17:09 | 14/07/2026

Haxhiu dekreton Zejnullah Gashin për Kryeprokuror Shteti

Një ditë pas nominimit, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka takuar të martën Zejnullah Gashin për t’ia dorëzuar dekretin për Kryeprokuror...
16:45 | 14/07/2026