I shoqëruar nga Donika Gërvalla dhe Mimoza Kusari-Lila, Albin Kurti mbajti një fjalim para mbështetësve të shumtë të mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku tha se zgjedhjet ishin të lira, të ndershme, demokratike dhe pa incidente.
Kurti shpërtheu ndaj kundërshtarëve para mbështetësve duke i cilësuar ata si “hajvanë” dhe tha se edhe bashkë LDK e PDK nuk i kanë aq vota sa Lëvizja Vetëvendosje.
Ai theksoi angazhimin e tij për të pastruar sistemin e drejtësisë dhe për të luftuar korrupsionin, duke siguruar që ata që janë përgjegjës për pasuritë e pajustifikueshme do të përballen me pasojat ligjore.
“Kurrë nuk është bërë në Kosovë më shumë luftë ndaj një qeverie se kësaj, tonës. Lufta hibride me oligarkë që kërcënojnë punëtorët që japin para pa hesap, dhe me opozitarë që bëjnë marrëveshje dhe me dreqin kundër qeverisë tonë, por prapë kanë humbur. Prapë do të mbeten opozitë, sepse nuk ia duan të mirën as shtetit, as popullit”, theskoi Kurti.
Ai shprehu gjithashtu shqetësimin për premtimet e pambajtura të opozitës dhe kritikoi ata që gënjyen publikun me premtime të mëdha për rritje të buxhetit dhe për koeficiente të papërballueshëm.
“Keni parë çfarë rrenash bëheshin në premtime, duke thënë se buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se Produkti i Brendshëm i vendit. Çfarë hajvanësh! Kanë kaluar kohët e hajvanëve, ata që i shtonin premtimet tona 100 apo 200 përqind. Ata kanë mashtruar vetëm veten e tyre!” – tha Kurti.
Ai u zotua për një qeveri të pa kompromis ndaj korrupsionit dhe për të realizuar një sistem të drejtpërdrejtë të drejtësisë, duke përfshirë një veting të plotë të sistemit të drejtësisë dhe krijimin e një strukture speciale për konfiskimin e pasurive të pajustifikueshme.
“Ky mandat është një mandat për hekurudhat, për digat, dhe për drejtësinë, me një birou për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Ai përfshin edhe një prokurori speciale për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë. Të gjithë pasuritë e vjedhura dhe të zhvatura do të kthehen në shtet dhe nuk do të lejojmë që ato të trashëgohen nga pasardhësit e kriminelëve. Pasuria do të konfiskohet dhe do t’i kthehet shtetit të Kosovës dhe fëmijëve të Kosovës. Serbia nuk do të lejohet të përfitojë, dhe ne do ta përparojmë vendin në çdo aspekt: ekonomi, shëndetësi, arsim, kulturë dhe kudo tjetër”, tha Kurti.
Kryeministri gjithashtu theksoi angazhimin për zhvillimin e Kosovës në çdo fushë, nga ekonomia deri te arsimi dhe shëndetësia. Ai e mbylli fjalimin e tij me një ftesë për vazhdimin e punës, duke përmendur edhe rëndësinë e datës 10 shkurt, 18 vjetorin e protestës që shënoi një moment historik në Kosovë.
“Çep e me çep, territori, sovraniteti dhe çdo fushë e jetës janë të paprekshme, dhe ne duhet të vazhdojmë punën. Nesër do të shënojmë 18-vjetorin e protestës së 10 shkurtit 2007. Qeveria do të vazhdojë punën, edhe pas kësaj përsëri do të jetë qeveria jonë që do të vazhdojë punën. Faleminderit!”, tha Kurti.
Kurti falënderoi gjithashtu dhe Policinë e Kosovës dhe mekanizmat shtetërorë për organizimin e procesit zgjedhor.
“Kur ne jemi në pushtet, nuk ka incidente. Procesi është demokratik, i lirë dhe cilësor. Nuk ka si të ndodhi ndryshe kur qeverisim ne,” tha Kurti.
Ai theksoi se do të vazhdojnë punët e mira që kanë nisur gjatë katërvjeçarit të kaluar dhe se do të realizojnë shumë projekte të tjera në çdo cep të Republikës së Kosovës, duke mos lënë askënd pas.
“Ajo që dihet nga rezultatet paraprake është se LDK dhe PDK nuk mund të bëjnë bashkë sa “Vetëvendosja” jonë. Po ashtu, dihet se nga rezultatet paraprake, ka një gjë shumë të vlefshme dhe të rëndësishme për politikën dhe historinë: populli i Kosovës, më 9 shkurt 2025, e mundi Serbinë dhe klan serbinë,” shtoi ai.
Ndërkohë, gjatë fjalimit të Kurtit, në sfond dëgjoheshin thirrjet “Altin Baba” dhe “UÇK”.
LEXONI GJITHASHTU:
- “Qytetarët i kthyen shpinën Albin Kurtit”, PDK: Kemi arritur rezultat të madh
- Abdixhiku pranon humbjen: I pari fitues formon qeverinë! Presim votat e mërgatës…