Antimafia italiane godet rrjetin shqiptar të kokainës në L’Aquila, si kamuflohej shitja e drogës

27 Maj 2026 | 15:35

Një operacion i gjerë i antimafias italiane ka goditur një rrjet të strukturuar shqiptar të trafikut të kokainës që vepronte në zonën e L’Aquila-s dhe komunat përreth në Itali. Operacioni i koduar “Consegna della Cocaina” u zhvillua në orët e para të mëngjesit me urdhër të Prokurorisë Antimafia të Distriktit të L’Aquila-s.

Karabinierët ekzekutuan 25 masa sigurie personale dhe 11 ndalime qëndrimi, ndërsa nën hetim janë 40 persona, pothuajse të gjithë shtetas shqiptarë. Ata akuzohen për organizatë kriminale, trafik narkotikësh dhe shpërndarje kokaine.

Sipas hetimeve, rrjeti kriminal funksiononte përmes të rinjve shqiptarë të moshës rreth 20 vjeç, pa precedentë penalë, të cilët mbërrinin në Itali me viza turistike. Pas mbërritjes në Romë, ata transferoheshin në L’Aquila, ku pajiseshin me apartamente me qira, automjete, telefona celularë dhe karta SIM të ndryshme.

Hetuesit italianë thonë se organizata ishte e ndërtuar në mënyrë të tillë që trafikantët të ishin “pothuajse të padukshëm”. Ata mbanin me vete vetëm sasi të vogla kokaine për të shmangur arrestimet e rënda, ndërsa pjesa tjetër e drogës fshihej në pyje, zona rurale dhe periferi të qytetit.

Sipas Prokurorisë Antimafia, pas aktivitetit në Itali qëndronte një strukturë operative në Shqipëri, e cila koordinonte rekrutimin e të rinjve, furnizimin me drogë dhe zëvendësimin e menjëhershëm të trafikantëve të arrestuar apo të identifikuar nga policia.

“Ne nuk u ndalëm vetëm te arrestimet individuale, por u përpoqëm të kuptonim se çfarë fshihej pas këtij rotacioni të vazhdueshëm të personave”, deklaroi komandanti i kompanisë së Karabinierëve të L’Aquila-s, majori Massimo Canale.

Ndërsa prokurorja antimafia Roberta D’Avolio theksoi se zgjedhja e personave pa precedentë penalë ishte pjesë e strategjisë së organizatës kriminale.

“Rreziku ishte që çdo rast të konsiderohej thjesht si trafik i vogël droge. Por hetimet zbuluan një sistem të mirëorganizuar”, tha ajo.

Gjatë hetimit, karabinierët realizuan 16 arrestime dhe sekuestruan rreth 1 kilogram kokainë. Sipas autoriteteve italiane, janë dokumentuar të paktën 3,200 doza të shitura, me një xhiro të vlerësuar rreth 125 mijë euro.

Operacioni u mbështet nga njësi speciale të Karabinierëve, helikopterë, qen antidrogë dhe ekipe ndërhyrjeje operative. Hetuesit dyshojnë se grupet kishin lidhje edhe me rajone të tjera italiane, përfshirë Toskanën dhe Venetën.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

UNICEF: Emigracioni dhe lindshmëria e ulët ulin numrin e fëmijëve në Shqipëri

Në Shqipëri, numri i fëmijëve po bie, ndërsa investimet në arsim dhe mbrojtje sociale mbeten më të ulëta krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Këto...
17:33 | 19/06/2026

Mbi 5000 vizita në qendrat shëndetësore verore vetëm në 2 javët e qershorit

Më shumë se 5000 pushues vendas dhe të huaj janë drejtuar në Qendrat shëndetësore verore për ndihmë mjekësore. Problematikat e tyre kanë qenë nga më...
17:27 | 19/06/2026

Sindikata e Universiteteve të Shqipërisë: Mbështesim protestat dhe mobilizimin qytetar, qeveria të dëgjojë kërkesat e tyre

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, ka shprehur këtë të premte mbështetjen e saj për mobilizimin qytetar që po zhvillohet në Tiranë dhe qytete...
17:00 | 19/06/2026