Inside Albania i Euronews Albania, me gazetaren Alice Taylor, këtë herë udhëtoi drejt Kukësit për të vizituar një ndërmarrje sociale, ku disa gra të qytetit po ruajnë traditën e punimit të qilimave dhe sexhadeve.
Në hapje të emisionit, Alice na uron mirëseardhjen në Kukës dhe vëren praninë e madhe të makinave me targa të verdha nga Mbretëria e Bashkuar, duke reflektuar emigrimin e shumicës së banorëve të kësaj zone drejt Britanisë.
Teksa flet në shqip, vendasit e shohin si një bashkëqytetare, duke qenë se Kukësi ka një komunitet të fortë emigrantësh në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas Alice, gratë i kanë thënë se ajo është gazetarja e parë, vendase apo e huaj, që i viziton në ndërmarrjen e tyre sociale.”
Duke hyrë në temë, Alice rikujton se në periudhën e diktaturës, rreth 1,050 gra punonin në industrinë e qilimave, duke prodhuar qilima dhe tapete me cilësi të lartë.
Megjithatë, pas ardhjes së demokracisë, kjo industri, si shumë të tjera, pësoi një rënie të ndjeshme.
Pyetja që shtrohet është: çfarë ndodh sot, në vitin 2025, me këtë traditë në Kukës?
Gazetarja vizitoi një ndërmarrje sociale ku rreth 14-15 gra po punojnë në të njëjtin zanat, duke mbajtur gjallë këtë trashëgimi të vjetër.
Shumica e punimeve të tyre janë të destinuara për eksport, duke ndihmuar ekonominë lokale, e cila vazhdon të përballet me sfida të mëdha.
Përveç punës, këto gra mësojnë zanatin e tyre edhe te vajzat më të reja, duke siguruar vazhdimësinë e traditës.
“Ne punojmë në qytetin më të varfër të Shqipërisë, ku shumica e grave janë pa punë. Artizanati dikur ishte sektori i dytë më i rëndësishëm pas bujqësisë në Kukës, ndaj krijuam këtë ndërmarrje sociale për të punësuar gra dhe për të ringjallur këtë zanat. Me ndihmën e shtetit, arritëm të marrim statusin e ndërmarrjes sociale dhe aktualisht kemi të punësuara 14 gra – 7 prej tyre janë të moshuara me eksperiencë, të cilat u mësojnë zanatin 7 vajzave të reja. Në janar, pas përfundimit të trajnimit, edhe vajzat e reja kaluan në punëtore me kohë të plotë. Produktet tona janë unike dhe nuk prodhohen nga asnjë repart tjetër përveç nesh dhe gratë janë të kënaqura me punën dhe kemi një kolektiv shembullor”, shprehet Fizike Gjaliu, një nga iniciatoret e këtij projekti.
Ajo shton se puna është cilësore, por sfidat mbeten: “Kemi hasur vështirësi në sigurimin e lëndës së parë për sexhadet, por tani e kemi kapërcyer këtë problem. Kemi shumë kërkesa nga gra dhe vajza të reja që duan të punojnë me ne, ndaj po mendojmë ta zgjerojmë repartin me të ardhurat që sigurojmë nga shitjet. Shpresojmë që në të ardhmen të punësojmë më shumë gra, si në Kukës ashtu edhe në Tiranë.”
Alice Taylor shikon me vëmendje motivet, dizajnet dhe teknikat me të cilat punohen qilimat.
Ajo veçon një punim me portretin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si dhe një rrugicë me flamurin shqiptar dhe shqiponjën dykrenare.
Disa punime kanë edhe stile më moderne, të cilat, sipas saj, do të përshtateshin për tregje si Nju Jorku, Tirana apo Londra.
“Kam filluar të punoj në artizanat në vitin 1986. Pas mbylljes së ndërmarrjeve shtetërore, vazhdova të punoj privatisht në shtëpinë time dhe mësova edhe vajzën time. Ky është një zanat i bukur dhe i vlefshëm. Do të dëshironim më shumë mbështetje nga shteti për të eksportuar punimet tona dhe për të pasur më shumë mundësi punësimi,” thotë Fadile Kameraj, një nga punëtoret më me përvojë.
Një tjetër punëtore, Miranda Duraku, ndan përvojën e saj: “Kam tetë muaj që punoj këtu. Gjashtë muaj kam qenë në trajnim dhe tani kam dy muaj që punoj si mjeshtre. Fillimisht më duket pak e lodhshme, por është një punë e bukur dhe relaksuese. Kam katër djem, prandaj dua të punoj. Puna më ndihmon të qëndroj aktive dhe më jep një ndjesi kënaqësie. Fëmijët janë kuriozë dhe të kënaqur kur më shohin duke punuar. Djali im i madh jeton në Gjermani, dhe i dërgoj foto të punimeve të mia. Ai i ka parë edhe me kamera dhe i kanë pëlqyer shumë.”
Produktet e grave të Kukësit shiten si në tregun vendas, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Çmimet variojnë nga 80 euro për metër katror, që konsiderohet një çmim i ulët krahasuar me cilësinë dhe kohën e nevojshme për prodhim. Tapetet më të mëdhenj mund të arrijnë deri në 800 euro për metër katror, për shkak të punës së detajuar dhe kohës së gjatë që kërkon një punim nga dy artizane.
“Kjo është një sexhade e punuar me dorë, me përmasa 1.80 metra me 2.40 metra, e punuar me cilësi të lartë nga fije leshi dhe pambuku. Vizatimet janë të detajuara dhe të bukura. ‘Tani ta shohim cilësinë e sexhades sonë të punuar me duart tona’, thotë një nga gratë punëtore, ndërsa na tregon një tapet tradicional shumë të bukur, për të cilin, sipas saj, janë dashur një muaj e gjysmë pune nga dy punëtore”, thotë një tjetër mjeshtre e sexhades.
Alice Taylor e mbyll reportazhin duke theksuar se të gjitha gratë me të cilat bisedoi janë entuziaste për punën e tyre. Ajo vëren se shumica e tyre kanë familjarë jashtë vendit dhe ndihen të vetmuara, por puna në ndërmarrjen sociale u ka dhënë jo vetëm një burim të ardhurash, por edhe një ndjenjë komuniteti dhe qëllimi në qytetin e tyre shumë të bukur, Kukësin.
LEXONI GJITHASHTU:
- U hoq nga rrethrrotullimi, “Shqiponja” e Tiranës do të vendoset në qytetin e Kukësit
- Inagurohet Ura e Madhe në Kukës, Rama: Çliron përfunimisht qarkullimin në zonë