Avioni luftarak hedh aksidentalisht 8 bomba në Korenë e Jugut, 15 të plagosur

6 Mars 2025 | 09:15

Një avion luftarak KF-16 i Forcave Ajrore të Koresë së Jugut ka hedhur aksidentalisht tetë bomba në një lagje civile gjatë një stërvitjeje ushtarake me zjarr të vërtetë, ku të paktën 15 persona kanë mbetur të plagosur, katër prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.

Incidenti ndodhi mëngjesin e sotëm në qytetin Pocheon, pranë kufirit me Korenë e Veriut. Sipas autoriteteve, vetëm një nga bombat ka shpërthyer, ndërsa ekipet e specializuara po punojnë për çaktivizimin e shtatë bombave të tjera që nuk kanë shpërthyer. Banorët e zonës janë evakuuar për siguri.

Raportimet e para tregojnë se mes të plagosurve, dy persona kanë pësuar fraktura në qafë dhe shpatulla, ndërsa një 60-vjeçar që po drejtonte makinën është goditur nga copëza shpërthyese. “Isha duke vozitur kur dëgjova një zhurmë të fortë,” ka rrëfyer ai për mediat. “Kur u zgjova, isha në një ambulancë”.

Ngjarja ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa ndërtesa, përfshirë një kishë dhe një qendër kujdesi për të moshuarit. Një punonjës i qendrës është dërguar në spital, ndërsa të moshuarit janë dërguar në shtëpi nga stafi për shkak të panikut. Pamjet nga vendngjarja tregojnë çati të dëmtuara dhe dritare të thyera.

Forcat Ajrore të Koresë së Jugut kanë konfirmuar incidentin, duke deklaruar se KF-16 hodhi në mënyrë jonormale bombat MK-82 dhe se avioni u ul jashtë rrezes së qitjes. Autoritetet kanë kërkuar falje për dëmin e shkaktuar dhe kanë premtuar kompensim për të prekurit, ndërsa hetimet për shkaqet e incidentit janë në vijim. Ekspertët ushtarakë sugjerojnë se bombat mund të kenë rënë nga një lartësi më e ulët se sa ishte planifikuar, duke shkaktuar shpërthimin e papritur.

Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se stërvitja ishte pjesë e një operacioni të përbashkët me forcat amerikane, në kuadër të manovrave ushtarake që do të zhvillohen nga 10 deri më 20 mars. Këto stërvitje janë të parat që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe zhvillohen në një kohë kur tensionet në rajon janë të larta për shkak të aleancës në rritje mes Koresë së Veriut dhe Rusisë.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kim Jong Un bëri thirrje për zgjerimin eksponencial të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka bërë thirrje për një zgjerim eksponencial të arsenalit bërthamor të vendit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve...
08:22 | 04/06/2026

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se mbështetja e fortë e Berlinit për Ukrainën dhe Izraelin mund t’i ketë kushtuar vendit vota...
07:40 | 04/06/2026

SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi të ri, i cili kushtëzohet nga ndalimi i plotë i sulmeve të Hezbollahut, njoftoi...
07:18 | 04/06/2026