Bashkimi Evropian ka vendosur masa sanksionuese ndaj drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Aleksandër Vulin, duke i ndaluar hyrjen në territorin e vendeve anëtare të BE-së. Vendimi vjen pas shqetësimeve të shprehura për qëndrimet e tij politike dhe lidhjet me Rusinë.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Vulin, i cili deklaroi se masa është vendosur pa ndonjë debat të thelluar, duke e konsideruar si një vendim të motivuar politikisht. “Ata zhvilluan një takim në nivel të lartë të ministrive të Jashtme dhe vendosën të më ndalojnë hyrjen në BE,” tha ai.
Në një deklaratë për mediat, Vulin theksoi se sanksionet janë propozuar nga Komisioneri për Punët e Jashtme i Komisionit Evropian, gjatë një mbledhjeje të grupit të punës të Këshillit të BE-së për Partneritetin Lindor. Ai u shpreh se masat ndaj tij lidhen me të ashtuquajturat “veprime destabilizuese ruse”.
Vulin beson se sanksionet janë të lidhura ngushtë me deklaratat e tij të 9 prillit në Parlamentin Evropian, ku ai kritikoi politikën e BE-së ndaj Rusisë dhe akuzoi bllokun për përpjekje për rrëzimin e qeverisë serbe. “Serbia nuk do të shkojë kurrë në luftë me Rusinë në këmbim të anëtarësimit në BE,” tha ai, duke shtuar se për më shumë se dy dekada, Serbia ka përmbushur kërkesat e BE-së, por është anashkaluar në favor të vendeve si Ukraina dhe Moldavia.
Në një intervistë për agjencinë ruse TASS, Vulin e akuzoi Brukselin për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të Serbisë. “Kjo nuk është protestë e qytetarëve të pakënaqur, por rezultat i aktiviteteve të shërbimeve perëndimore të inteligjencës dhe projekt politik i administratës së Brukselit për të zëvendësuar presidentin Vuçiç,” deklaroi ai.
Sipas Vulin, qëllimi i BE-së është instalimi i një qeverie të re në Serbi që do të harmonizojë plotësisht politikën e jashtme me atë të unionit, përfshirë njohjen e Kosovës, refuzimin e mbështetjes për Republikën Srpska në Bosnje dhe imponimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Aleksandër Vulin është një nga figurat politike më të njohura në Serbi për lidhjet e tij të ngushta me Moskën. Përveç masave të BE-së, ai është sanksionuar më parë edhe nga Shtetet e Bashkuara, me Departamentin Amerikan të Thesarit që e akuzon për përdorimin e pozitave publike në mbështetje të interesave ruse.
LEXONI GJITHASHTU:
- Ushtarakë serbë do të marrin pjesë në paradën e Moskës, Vulin: Kemi luftuar bashkë
- “Gënjeshtar”| Raportuesi i Serbisë në PE i përgjigjet Vuçiç: Nuk erdhi në takim