Begaj dekreton datën për mbledhjen e Parlamentit të ri

8 Shtator 2025 | 14:48

Presidenti i Republikës ka dekretuar 12 shtatorin 2025, ora 10:00, si datën për mbledhjen e parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve dhe deputetëve, kreu i shtetit theksoi rëndësinë e kësaj legjislature për vijimin e reformave, forcimin e institucioneve dhe përmbushjen e aspiratës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Presidenti u bëri thirrje deputetëve të tregojnë përgjegjësi, përkushtim dhe bashkëpunim, si dhe të përfaqësojnë me dinjitet qytetarët që i kanë votuar.

Ai nënvizoi nevojën për një mazhorancë të përulur dhe një opozitë aktive, në funksion të dialogut dhe demokracisë.

Mes prioriteteve të legjislaturës së re u përmendën: drejtësia funksionale, zhvillimi ekonomik, arsimi, mjedisi, sfidat demografike dhe përgatitja për integrimin evropian.

Kujtojmë se një ditë para mbledhjes së parlamentit, pikërisht më 11 shtator, do të mblidhet Asambleja e Partisë Socialiste, ku pritet të prezantohet qeveria e re “Rama 4”.

Asambleja e socialistëve do të mblidhet në orën 09:30 dhe do të nisë me fjalën e kryesocialistit Edi Rama, i cili do t’u drejtohet anëtarëve të partisë për sfidat e këtij mandati të katërt qeverisës.

Fokusi pritet të jetë anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në fund të kësaj dekade, si dhe shpallja e emrave të kabinetit të ri qeveritar.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste fitoi e vetme 83 mandate deputetësh, ndërsa Partia Demokratike dhe aleatët e saj siguruan së bashku 50 vende në Kuvend.

Të nderuar bashkëqytetarë, të nderuar deputetë

“Shqipëria ndodhet përpara një momenti historik në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në përmbushjen e këtij prioriteti madhor Kuvendi ka nderin dhe detyrimin të jetë përfaqësuesi i vizionit dhe aspiratës së shqiptarëve për një Shqipëri evropiane.

Legjislatura e re ka përgjegjësinë e vazhdimit të reformave, ndërlidhjes së funksionit ligjvënës me prioritetet dhe sfidat e vendit, përditësimit të vazhdueshëm të legjislacionit, kontrollit dhe mbikëqyrjes së qeverisjes, respektimit të normave kushtetuese, transparencës, diskutimeve konstruktive, bashkëpunimit, si dhe vendimmarrjes me urtësi në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, interesave dhe të ardhmes së vendit.

Kjo legjislaturë bashkon deputetë me përvojë dhe të rinj të zgjedhur për herë të parë. Vazhdimësia dhe përvoja e kombinuar me mendësi, ide, energji dhe frymë të re është pjesë e natyrshme e proceseve demokratike.

Përgjegjshmëria dhe përulësia nga mazhoranca në ushtrimin e pushtetit duhet të përplotësohet nga një opozitë aktive, konstruktive dhe e përkushtuar ndaj rolit të saj thelbësor në një demokraci. Dialogu dhe respekti për dallimet janë themel i bashkëjetesës demokratike.

Prioriteti madhor i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët dhe vendi, si ato të sigurisë, drejtësisë, demografisë, ekonomisë, zhvillimit të qëndrueshëm, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, ndryshimet klimatike, mbrojtja e mjedisit, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje të qëndrueshme.

Me rëndësi madhore për të ardhmen evropiane të vendit është kalimi nga reforma në drejtësi, te drejtësia funksionale dhe e pavarur, ku askush nuk është mbi ligjin dhe me vendosmëri luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Ndërsa jemi të angazhuar në këtë proces, Shqipëria duhet të vazhdojë përfaqësimin dinjitoz në marrëdhëniet ndërkombëtare në linjë me partnerët tanë strategjikë: BE, SHBA, NATO.

Mbetem gjithmonë i gatshëm për të bashkëpunuar dhe mbështetur çdo nismë e dialog institucional në shërbim të sfidave të përbashkëta.

Suksese deputetëve dhe legjislaturës së re të Kuvendit, me Shqipërinë në mendje e zemër!”. shkruan Begaj.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Samiti i NATO-s në Ankara, liderët botërorë bëjnë foton familjare

Këtë të mërkurë po vijojnë punimet për samitin e NATO-së teksa prej dy ditësh liderët dhe fokusi botëror është përqëndruar në Ankara. Në ditën e...
11:31 | 08/07/2026

Zjarr masiv në Porto Palermo

Një zjarr me përmasa të mëdha ka rënë në orët e mbrëmjes në zonën e Porto Palermos, në Bashkinë Himarë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit,...
23:15 | 07/07/2026

Helmimi i studentëve në Akademinë e Sigurisë, reagon AKU

AKU ka bërë me dije se, në bashkëpunim ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk, është raportuar një rast i dyshuar helmimi i disa kursantëve...
10:41 | 26/06/2026