Berisha: Integrimi në BE prioritet për ne, por Shqipëria po rrëshqet drejt autokracisë

21 Maj 2026 | 20:31

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha këtë të enjte mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga LDGSH dhe fondacioni Jarl Hjalmarson me temë “Gratë politikane të rajonit, Suedisë dhe EPP-së bashkë për Integrimin”. Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh se Integrimi në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe për Partinë Demokratike është prioriteti kryesor.

Kryedemokrati theksoi se anëtarësimi në BE, është një e ardhme me më shumë liri, mirëqenie dhe siguri për qytetarët shqiptarë. Ndër të tjera ai shtoi se PD beson se ky proces duhet të bazohet në meritë.

Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një autokraci elektorale. Lidhur me zgjedhjet e 11 majit, Berisha u shpreh se ato që u zhvilluan në një shtet-parti, në një model të partisë-shtet.

“Dua të shpreh vlerësimin tim të thellë për temat e zgjedhura për këtë debat. Janë tema shumë themelore, më themeloret: zgjerimi i Bashkimit Evropian, NATO dhe siguria.

Këto janë, pa diskutim, çështjet më të rëndësishme për Shqipërinë, dhe jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor që po punojnë për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Disa prej tyre janë anëtare të NATO-s. Pra, temat dhe çështjet janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

Integrimi në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe për Partinë Demokratike është prioriteti kryesor. Sepse ne besojmë se një e ardhme në BE do të thotë më shumë liri, më shumë mirëqenie dhe më shumë siguri për qytetarët shqiptarë.

Kjo është arsyeja pse për partinë tonë ky është prioriteti kryesor i programit.  Ne besojmë se ky proces duhet të bazohet në meritë. Vetëm një proces i bazuar në meritë u garanton qytetarëve tanë liritë dhe të drejtat e njeriut, një drejtësi të pavarur, një ekonomi funksionale tregu dhe ‘acquis communautaire’ për vendin.

Shqipëria sot ndodhet në një moment shumë të veçantë. Pak muaj më parë, V-Dem e klasifikoi Shqipërinë si një autokraci elektorale.

Në fakt, autokracitë elektorale janë diktatura autokratike në kuptimin që ato e pranojnë pluralizmin, por e shtypin atë. Nëse diktaturat totalitare nuk e pranojnë pluralizmin, nuk e lejojnë fare ose krijojnë një pluralizëm të rremë, siç bëri Tito gjatë sundimit të tij dhe siç e kopjoi Ramiz Alia në vitet e fundit të diktaturës, diktaturat autokratike, ose të quajtura autokraci elektorale, shkatërrojnë mekanizmin më themelor të një shoqërie demokratike, që janë zgjedhjet e lira.

Nëse shikoni zgjedhjet e 11 majit të kaluar në Shqipëri, do të gjeni se ato u karakterizuan si zgjedhje ku kufiri mes institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake ishte zbehur ose zhdukur.

Kjo do të thotë zgjedhje që u zhvilluan në një shtet-parti, në një model të partisë-shtet.

Dhe këto nuk do të konsiderohen kurrë zgjedhje të mirëfillta. Ky është një problem shumë themelor i autokracisë në Shqipëri”, tha ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Drejtori i Policisë Hitaj viziton sërish efektivët e lënduar pas protestës para Parlamentit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, vizitoi këtë të enjte në Spitalin e Traumës efektivët e Policisë së Shtetit që...
17:03 | 02/07/2026

Digjet një mjet në aksin Kuç-Qeparo, zjarrfikësit në vendngjarje (VIDEO)

Një automjet është përfshirë nga flakët këtë të enjte dhe është shkrumbuar plotësisht në aksin rrugor Kuç-Qeparo. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat...
16:58 | 02/07/2026

Protesta! Bilanci i fundit i Urgjencës Spitalore: Ja sa efektiv dhe protestues kanë marrë ndihmë mjekësore deri tani

Protesta e zhvilluar këtë të enjte përballë Kuvendit, e shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ka lënë pas disa të...
16:40 | 02/07/2026