Gjatë një takimi me qytetarë dhe sipërmarrës në qytetin e Krujës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal te sfidat ekonomike që po përjetojnë bizneset shqiptare, duke vënë theksin te zhvlerësimi i euros dhe pasojat e saj në sektorin e eksporteve.
“Vetëm rënia e euros me 35% është një katastrofë për eksportuesit. Kjo është pasojë e politikave të qeverisë, e cila lejoi futjen e parave të pista në vend nga trafikantët. Si rezultat, mijëra vende pune janë humbur dhe dhjetëra kompani eksporti kanë falimentuar,” deklaroi Berisha.
Ai premtoi se pas 12 majit, nëse PD merr drejtimin e vendit, do të krijohet një bord i posaçëm që do të kompensojë humbjet e bizneseve eksportuese për shkak të zhvlerësimit të euros.
Duke vlerësuar kontributin e sipërmarrësve dhe punonjësve shqiptarë, Berisha tha: “Fasoni nuk është industri e botës së tretë, siç pretendon Rama, por një krenari kombëtare. Prodhimi është themeli i punësimit, rritjes së pagave dhe mirëqenies.”
Ai prezantoi gjithashtu disa nga angazhimet e Partisë Demokratike, përfshirë vendosjen e një pensioni minimal prej 200 eurosh dhe aplikimin e një minimumi jetik për çdo qytetar.
“Ne do t’u kthejmë qytetarëve paratë që u merr padrejtësisht shteti. Asnjë pension nuk do të jetë më poshtë se 200 euro. Do të vendosim një standard jetik për të gjithë,” tha ai.
Në përmbyllje, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që në datën 11 maj të votojnë për atë që e cilësoi si një alternativë që mbështet biznesin, punëtorët dhe mirëqenien e familjeve shqiptare.
LEXONI GJITHASHTU:
- “Soros kundër Trump”- Fox News artikull për zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri
- Fushata e PD-së, Berisha: Do të rikthejmë projektin e ëndrrave për të rinjtë