Berisha shpall objektivat nga Kuvendi: Ripërtëritje dhe “kilometri i fundit” drejt pushtetit
Kreu i PD-së, Sali Berisha, shpjegoi nga Kuvendi Kombëtar sloganin për ripërtëritjen e PD-së si dhe objektivin e partisë për të çuar në fund atë që ai e ka cilësuar si “kilometri i fundit”.
Berisha e vendosi theksin te faza që, sipas tij, po kalon forca politike që ai drejton, duke e cilësuar si “kilometri i fundit” drejt fitores. Ai paraqiti këtë moment si një etapë vendimtare, ku sipas tij, prioritet mbetet ripërtëritja e partisë ndërsa përdori një retorikë të fortë politike, duke akuzuar qeverinë për të cilën tha se duhet larguar “me çdo çmim nga pushteti”.
“Sot nuk jemi më forcë politike në mbrojtje, por jemi forcë politike në kilometrin e fundit që ecën drejt fitores. Në këtë kilometër ne kemi detyra shumë të rëndësishme, detyra kapitale. Detyra jonë numër një, që ia kemi borxh demokratëve dhe shqiptarëve, është ripërtëritja. Kaluam të gjitha barrikadat që na u vunë përpara dhe e futëm në rrethin e kuq narkodiktatorin, diku e thirrën Ramaduro, kurse ne do ta largojmë atë me çdo çmim nga pushteti. Demokratë e demokrate, ja ku jemi këtu për t’u thënë shqiptarëve se për ne, njerëzit që adhurojnë kombin dhe flamurin e tij, flamuri kombëtar do të mbetet në gjysmë shtize gjersa flamuri i votës së lirë të shqiptarëve të valvitet krah tij. Beteja jonë është betejë për flamur, për dinjitet kombëtar dhe për lirinë e shqiptarëve. Ripërtëritja e partisë është dhe duhet të jetë vepra jonë më madhështore, vepra jonë për të nesërmen e Shqipërisë, për t’iu kthyer shqiptarëve votën e lirë. Ripërtëritja e PD nënkupton vizion dhe program madhështor”, tha ai.
Ai theksoi se beteja e PD-së është, sipas tij, një betejë për dinjitet kombëtar, flamur dhe liri vote. Ai shtoi se programi i Partisë Demokratike është “madhështor”, duke renditur arritje të mëparshme të së djathtës dhe duke premtuar rritje të pensioneve dhe pagave në rast rikthimi në pushtet.
“Nuk ka program më madhështor se programi ynë, por ai bombardohet çdo minutë nga mediat e qeverisë që thonë se PD nuk ka program. Si nuk paska program partia e ëndrrave të shqiptarëve? A nuk ishte ëndërr anëtarësimi në Këshillin e Europës, a nuk ishte ëndërr Rruga e Kombit, heqja e vizave, anëtarësimi në NATO, apo projektet e TAP-it dhe Devollit? Kush i bëri realitet këto? Ata që sot thonë se ne nuk kemi program. Ne do t’i përgjigjemi varfërisë së skajshme në këtë vend të bekuar. Do të dyfishojmë dhe trefishojmë pensionet, nuk themi se do kapim Gjermaninë apo Francën, por do dalim në krye të rajonit për rroga dhe pensione, sepse e kemi treguar që dimë të qeverisim dhe të ndërtojmë Shqipërinë,” u shpreh Berisha.
PROFIL/ Kush janë dy kandidatet e propozuara për Këshillin Kombëtar i PD
Zbardhet lista e propozuar nga Berisha, kush janë emrat që do të votohen për anëtarë të Kryesisë së PD
Berisha: Ky është Këshilli Kombëtar më cilësor i PD, mbështesim lëvizjen e gjeneratës së re
- 21:24 Brazili me mungesa kundër Norvegjisë, Lucas Paqueta ka një dëmtim në kofshë pas ndeshjes me Japoninë
- 21:12 Nesër sërish protestë para Parlamentit në orën 10:00
- 21:06 BE ndan 20 milionë euro për të promovuar paqen në Kaukazin Jugor
- 21:01 Britania: 80 mijë dollarë gjobë ose dënim me burg për punëdhënësit që marrin punëtorë të paligjshëm
- 20:52 Zelensky i përgjigjet Rusisë: Ukraina godet rafinerinë më të madhe dhe kryesore të naftës (VIDEO)
- 20:33 U ngjitën në majë të Empire State për të shpalosur një banderolë, arrestohet çifti pas propozimit për martesë