Burg përjetë politikanit amerikan në Las Vegas, vrau gazetarin që e kritikonte

29 Gusht 2024 | 19:07

Një ish-politikan në Nevada të Shteteve të Bashkuara është shpallur fajtor për vrasje, lidhur me vdekjen e një gazetari që shkruante artikuj kritikë ndaj tij.

Robert Telles, 47 vjeç, ndodhet në burg pa të drejtë lirimi kundrejt garancisë që prej vitit 2022 për vrasjen me thikë të gazetarit investigativ Jeff German.

Gjatë procesit, prokurorët i paraqitën jurisë prova të ADN-së të gjetura poshtë thonjve të gazetarit, të cilat i përkisnin zotit Telles, që i mohon akuzat.

Një juri prej 12 anëtarësh rikonfirmoi verdiktin pas një konsultimi dyditor dhe e dënoi ish-politikanin me burgim të përjetshëm.

Telles, që ishte zgjedhur administrator publik në kontenë Klark të Las Vegasit në 2018-n, qëndroi i zverdhur në sallën e gjyqit teksa gjyqtari thërriste jurinë. Ndërsa pas leximit të verdiktit, ai uli kokën në shenjë dëshpërimi.

“Në mënyrë unanime, juria e konsideron vrasjen të qëllimshme dhe me paramendim”, deklaroi një anëtar i jurisë gjatë seancës.

Në shtator të vitit 2022, gazetari Jeff German, 69 vjeç, u gjet i pajetë jashtë shtëpisë së tij në Nevada pasi ishte goditur disa herë me thikë në qafë dhe në gjoks.

Prokurorët e akuzuan politikanin për vrasjen e reporterit për shkak të artikujve të tij mbi sjelljen e zyrtarit të zgjedhur. Në një prej shkrimeve, Telles akuzohej për një “marrëdhënie të papërshtatshme” me një anëtare të stafit të tij dhe sjellje dashakeqe ndaj vartësve në zyrën e tij në Las Vegas.

Telles, nga radhët e demokratëve, humbi zgjedhjet për të kandiduar për një mandat të dytë si administrator publik dy vjet më parë, pasi shkrimet e German u publikuan në një gazetë në prag të zgjedhjeve.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Të rrethuar nga zjarri, ekipi i trenit në Kanada përballet me një moment të frikshëm (VIDEO)

Një ekip treni u rrethua nga flakët e një zjarri pyjor pranë Armstrong, Ontario, Kanada. Ekipi i Hekurudhave Kombëtare Kanadeze (CN) shpëtoi i sigurt, ndërsa...
11:29 | 16/07/2026

ICE arreston 238 emigrantë në një operacion njëditor në Teksas

Zyra e Emigracionit dhe Doganave e SHBA-së tha se zyra e saj në terren në Harlingen, Teksas, arrestoi 238 emigrantë në një operacion njëditor në...
11:20 | 16/07/2026

Vance e pranon: Administrata Trump keqmenaxhoi publikimin e dosjeve të Epstein

Zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance pranoi se administrata Trump “gaboi” në trajtimin e njoftimit dhe publikimit të dosjeve të Jeffrey Epstein, duke thënë se Shtëpia...
10:51 | 16/07/2026