English

Çfarë do të ndodhë në Gazë, kur mund të përfundojë lufta?

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu një intervistë për “Face the Nation”, 25 shkurt 2024, ku deklaron qëndrimet e qeverisë së tij në lidhje me luftën në Gaza, si dhe arritjen e një marrëveshjeje që mund t’i jap fund luftës.

- Advertisement -

Më poshtë është transkripti i një interviste me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, që u transmetua më 25 shkurt 2024.

MARGARET BRENNAN: Do t’i kthehemi krizës në Lindjen e Mesme dhe luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Na bashkohet nga Tel Avivi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Mirë se erdhët në “Face the Nation”.

BENJAMIN NETANYAHU: Faleminderit. Kënaqësi të jem me ju.

MARGARET BRENNAN: Z. kryeministër, SHBA po punon për një marrëveshje për pengjet që presidenti Biden thotë se do të sjellë të paktën gjashtë javë qetësi. Shefat e inteligjencës u takuan të premten. A jemi pranë një marrëveshjeje?

BENJAMIN NETANYAHU: Nuk jam i sigurt për kohëzgjatjen e saktë, por mund t’ju them se të gjithë po punojmë për këtë. Ne e duam, unë e dua. Sepse duam të çlirojmë pengjet e mbetura, gjysmën e tyre tanimë e kemi sjellë në shtëpi. I vlerësoj përpjekjet, përpjekjet e përbashkëta të Izraelit, SHBA, për të çliruar pengjet e mbetura. Nuk mund t’ju them nëse do ta kemi marrëveshjen. Por nëse Hamasi heq dorë nga pretendimet delirante dhe zbret me këmbë në tokë, mund të kemi përparimin që të gjithë duam.

MARGARET BRENNAN: Çfarë po e pengon marrëveshjen në këtë moment? Thuhet se përmes saj do të liroheshin 30-40 pengje, gra, të moshuar, të plagosur, në shkëmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë.

BENJAMIN NETANYAHU: Nuk mendoj se ka kuptim të bëhet një diskutim publik për këtë. Por Hamasi e nisi me kërkesa të çmendura. E dini, është ende herët për të thënë nëse i kanë braktisur këto kërkesa, por nëse e bëjnë, atëherë nuk jetojnë në këtë qytet, por në një tjetër planet. Ama nëse ata zbresin me këmbë në tokë, atëherë po, do të kemi një marrëveshje për pengjet. Kështu uroj.

MARGARET BRENNAN: Janë të paktën gjashtë shtetas amerikanë mes pengjeve të Hamasit. A është për ju e nevojshme dhe thelbësore rikthimi i pengjeve të gjalla për të shpallur fitoren e kësaj lufte?

BENJAMIN NETANYAHU: Po, kemi vendosur tre qëllime në këtë luftë. I pari është çlirimi i pengjeve. I dyti është shkatërrimi i Hamasit. Dhe i treti është të sigurohemi që Gaza nuk do të jetë kërcënim për Izraelin në të ardhmen. Qartësisht, të treja janë të ndërlidhura. Ato arrihen nga operacioni ynë ushtarak shumë efikas dhe shpesh heroik. Dhe gjithashtu edhe nga negociatat e forta, ne po i kombinojmë të dyja dhe shpresoj se do të sjellin rezultate, por kuptojeni se derisa të kemi fitore të plotë, nuk do të kemi paqe. Ne nuk mund ta lëmë Hamasin të ekzistojë. Nuk mund të lëmë një pjesë të batalioneve të Hamasit në Rafah dhe të mos shqetësohemi se ata do të jenë aty. Është si të thuash se një pjesë e ISIS do të lihet brenda një territori të caktuar, sepse ju e dini, që ata e marrin shpejt veten. Ndaj, fitorja e plotë është e rëndësishme për të arritur qëllimin e shkatërrimit të Hamasit, çlirimin e pengjeve dhe sigurinë se Gaza nuk do të përbëjë rrezik. Mendoj se është thelbësore për të ardhmen paqësore të Lindjes së Mesme.

MARGARET BRENNAN: Sigurisht, por sa i takon çështjes së…

BENJAMIN NETANYAHU: … dhe mposhtjen e boshtit terrorist të Iranit.

MARGARET BRENNAN: Sa i takon pengjeve, ju e dini, koha është thelbësore. Nëse arrihet kjo marrëveshje, dhe ajo sjell gjashtë javë qetësie, a siguron kjo edhe një mundësi për t’i dhënë fund luftës? Apo do të përparoni në Gazën jugore, në Rafah, pavarësisht saj?

BENJAMIN NETANYAHU: Po, fitorja është pranë dhe nuk mund të ketë fitore pa eliminimin e Hamasit.

MARGARET BRENNAN: Sa pranë?

BENJAMIN NETANYAHU: Hamasi është një organizatë terroriste – sapo ne të nisim ofensivën në Rafah, faza intensive e luftimeve do javë që të përfundojë, jo muaj, javë. Ne tashmë kemi shkatërruar 18 nga 24 batalionet terroriste të Hamasit. Katër prej tyre janë të përqendruara në Rafah. Nuk mund ta lëmë bastionin e fundit të Hamasit, natyrisht, duhet ta bëjmë. Por kuptojeni, që i kam kërkuar ushtrisë të më dorëzojë një plan të dyfishtë, fillimisht për të mundësuar evakuimin e civilëve palestinezë në Gaza, dhe së dyti, shkatërrimin e batalioneve të mbetura të Hamasit. Kjo na çon më pranë përfundimit të fitores tonë, dhe ne nuk do të tërhiqemi. Nëse kemi një marrëveshje, me gjasa do t0ë shtyhet. Por do të ndodhë. Nëse nuk kemi një marrëveshje, do ta bëjmë gjithsesi. Duhet bërë. Sepse fitorja e plotë është qëllimi ynë dhe fitorja e plotë mund të arrihet. Nuk është muaj larg, vetëm pak javë larg sapo të nisim ofensivën tonë.

MARGARET BRENNAN: Shtëpia e Bardhë deklaron se ata duan të shohin një plan të besueshëm dhe të realizueshëm për të mbrojtur civilët dhe 1.4 milionë personat që po strehohen në Gazën jugore. Këtë mëngjes, Shtëpia e Bardhë tha se ata ende nuk e kanë parë këtë plan, dhe asnjë operacion madhor ushtarak nuk duhet bërë pa të. I keni miratuar ju planet që thoni se i keni kërkuar?

BENJAMIN NETANYAHU: Në fakt, Margaret, nga këtu do të shkoj në një takim me Stafin e Përgjithshëm, ku do të më tregojnë këtë plan të dyfishtë.

MARGARET BRENNAN: Dakord.

BENJAMIN NETANYAHU: Një plan për evakuim, një plan për të shpërbërë batalionet e mbetura. Meqë ra fjala, këtu biem dakord. Jemi në të njëjtin mendim me SHBA për këtë, kështu do ta bëjmë. Arsyeja përse popullata gjendet në Rafah është sepse ne i larguam ata nga zona të tjera të luftimeve. Tani ka hapësirë që ata të shkojnë në veri të Rafahut, në vende ku ne i kemi përfunduar luftimet.

MARGARET BRENNAN: Pra aty do të shkoni…

BENJAMIN NETANYAHU: Këtë do të bëjmë, në thelb.

MARGARET BRENNAN: Ky është plani?

BENJAMIN NETANYAHU: Po.

MARGARET BRENNAN: Do të zhvendosni 1.4 milionë njerëz në Gazën veriore? A mund të garantoni se Forcat Mbrojtëse Izraelite nuk do të shtyjnë…

BENJAMIN NETANYAHU: Nuk thashë Gazën veriore, thashë…

MARGARET BRENNAN: Ndjesë. Vijoni.

BENJAMIN NETANYAHU: Thashë në veri të Rafahut.

MARGARET BRENNAN: Dakord.

BENJAMIN NETANYAHU: Thashë në veri të Rafahut. Në pjesën veriore të Rripit të Gazës, vijojnë luftimet.

MARGARET BRENNAN: Po.

BENJAMIN NETANYAHU: Por kjo është e rëndësishme. Është e rëndësishme të kuptohet, zhvendosja e civilëve nga një zonë që do të kthehet në zonë luftimesh nuk është gjë e keqe. Është gjë e mirë.

MARGARET BRENNAN: Sigurisht.

BENJAMIN NETANYAHU: Këtë do të bëjë Izraeli.

MARGARET BRENNAN: E kuptoj, por a mund të na siguroni se Forcat Mbrojtëse Izraelite nuk do t’i shtyjnë palestinezët jashtë Gazës dhe drejt Egjiptit? Siç e dini, zyrtarët egjiptianë kanë thënë se nëse ju e bëni këtë, po vendosni në rrezik 46 vite paqe.

BENJAMIN NETANYAHU: Shikoni, besoj se egjiptianët e dinë shumë mirë se nuk është ky qëllimi ynë. Nuk do të jetë ky rezultati. Ne po koordinohemi. Flasim gjatë gjithë kohës me egjiptianët. Nuk mendoj se ky është problemi. Paqja mes Izraelit dhe Egjiptit i shërben interesave të të dy vendeve dhe ne do të vijojmë t’i shërbejmë interesave të të dy vendeve. Nuk besoj se është në rrezik kjo gjë.

MARGARET BRENNAN: Ju thatë se fitorja është pranë. Por inteligjenca amerikane thotë se Forcat Mbrojtëse Izraelite kanë shkatërruar vetëm 30% të udhëheqjes së Hamasit, dhe se numri i tuneleve që përdor Hamasi ka qenë shumë i vogël në raport me ato që janë shkatërruar nga ushtria. Ka mosbesim në rritje…

BENJAMIN NETANYAHU: Epo…

MARGARET BRENNAN: …ndaj jush personalisht, në Kongresin amerikan dhe brenda Shtëpisë së Bardhë të Biden. Kur aleati juaj më i afërt ju thotë gjëra të tilla dhe ju thotë se duhet të rishqyrtoni strategjinë, a nuk ia vlen të merret parasysh?

BENJAMIN NETANYAHU: Shikoni, mendoj se SHBA është dakord me ne sa i takon shkatërrimit të Hamasit…

MARGARET BRENNAN: Po.

BENJAMIN NETANYAHU: Dhe qëllimit për të çliruar pengjet. Vendimet se si duhet bërë kjo janë tonat, të miat dhe të kabinetit të zgjedhur të Izraelit. Ne këtë po bëjmë. Shumë nga gjërat që na u thanë fillimisht nga miqtë tanë më të mirë, nuk rezultuan të vërteta. Ata thanë se nuk mund të hynim në luftë tokësore pa ndërlikime të mëdha. Ata thanë se nuk mund të luftonim, nuk mund të hynim në qytetin e Gazës, nuk mund të hynim në tunele, se do të ishte një kasaphanë e tmerrshme. E gjithë kjo rezultoi e pavërtetë. Ushtarët tanë janë në rrjetin e tuneleve. Ne nuk duhet të shkatërrojmë qindra kilometra tunele, por fabrikat e prodhimit të raketave që janë nën tokë, selitë e komandimit dhe kontrollit, kompjuterët që janë aty, paratë, armët dhe municionet e fshehura aty. Po e bëjmë këtë në mënyrë metodike. Po e bëjmë luftën. Nuk mund të zëvendësohet komanda ushtarake izraelite. Po e bëjmë në mënyrë të përgjegjshme. John Spencer, që është përgjegjës për luftimet urbane në West Point thotë se asnjë ushtri nuk ka shkuar aq larg sa ushtria izraelite për të larguar civilët nga rreziku, edhe pse Hamasi…

MARGARET BRENNAN: Sigurisht…

BENJAMIN NETANYAHU: …po bën çdo gjë që t’i mbajë ata në rrugën e rrezikut. Ne i respektojmë amerikanët…

MARGARET BRENNAN: Sigurisht, por ish-kreu i Komandës Qendrore ishte në këtë emision pak javë më parë dhe tha se ju nuk artikuluar një përfundim specifik. Duke e lënë këtë mënjanë, dua t’i kthehemi disa gjërave që ju thatë…

BENJAMIN NETANYAHU: Prit pak, Margaret. Prit pak. I lëshuat këto granata kundër meje dhe doni të vijoni. Fillimisht, nuk ka besim ndaj meje? Publiku izraelit më beson. Javën e kaluar…

MARGARET BRENNAN: Kishte protesta masive përqark Izraelit dje.

BENJAMIN NETANYAHU: Knesseti votoi në masë të madhe… sigurisht që kemi protesta. Ne kemi protesta. Izraeli është një demokraci që proteston prej 30 vitesh. Por populli izraelit është më i bashkuar se kurrë. Javën e fundit, ata votuan 99 me nëntë në Knesset për propozimin tim që thotë se duhet të bëjmë dy gjëra: të fitojmë luftën, të arrijmë fitoren e plotë, por gjithashtu të mos kemi një diktat ndërkombëtar të një shteti palestinez që të na përplaset në fytyrë dhe që rrezikon Izraelin. Njerëzit janë shumë të bashkuar për këtë. Kur është hera e fundit që kemi pasur 99 vota në Knesset?

MARGARET BRENNAN: Po.

BENJAMIN NETANYAHU: 30 vite më parë, po jua them unë.

MARGARET BRENNAN: Po.

BENJAMIN NETANYAHU: Pra, njerëzit janë të bashkuar. Politika është e duhura, njerëzit e mbështesin. Unë kam ndërmend ta çoj deri në fund sepse kjo është ajo që kemi. Nuk mund të bëjmë kompromise për fitoren e plotë, sepse nuk mund të arrijmë paqe pa fituar luftën dhe ne do ta fitojmë këtë luftë.

MARGARET BRENNAN: Një nga anëtarët e Knessetit, ish-kryeministri izraelit Yair Lapid tha se ai i ka pyetur amerikanët për atë që ju përmendët, një deklaratë të njëanshme të njohjes së shtetit palestinez dhe ai tha, “Ju keni shpikur një kërcënim që nuk ekziston… Nuk ka asnjë zyrtar në botë që të ketë sugjeruar njohje të njëanshme të palestinezëve”. Duke lënë këtë mënjanë, dua…

BENJAMIN NETANYAHU: Në fakt, sekretari i jashtëm britanik ka folur për këtë. Ka pasur shumë…

MARGARET BRENNAN: Po flas për SHBA.

BENJAMIN NETANYAHU: Uroj të jetë e vërtetë.

MARGARET BRENNAN: Në rregull.

BENJAMIN NETANYAHU: Kemi dëgjuar shumë informacione që vijnë nga SHBA sa i takon kësaj. Uroj të jetë e vërtetë. Nëse është e vërtetë, kjo do të përforcojë vendimin e marrë nga qeveria – nga populli izraelit, përmes përfaqësuesve të zgjedhur prej tyre. Meqë ra fjala, nëse përpiqen të na e ngecin këtë, do të jetë një gabim i tmerrshëm, sepse do të shihet si një shpërblim për terrorin, pas sulmit më mizor të kryer kundër hebrenjve që prej Holokaustit. Populli izraelit nuk do ta besojë. Nëse ju e doni paqen, nuk duhet të shkoni në atë rrugë. Paqja do të arrihet përmes negociatave të drejtpërdrejta mes palëve. Nuk besoj se palestinezët janë gati për këtë. Kur të jenë, kjo do të jetë mënyra si do të arrihet, jo përmes urdhëresave ndërkombëtare.

MARGARET BRENNAN: Dua t’i kthehemi diçkaje që thatë ku ngritët dyshime për inteligjencën amerikane dhe këshillat e administratës Biden për ju, ku thatë se ishin të gabuara. Gjithashtu thatë se nuk ka pasur gjakderdhje…

BENJAMIN NETANYAHU: Nuk thashë se ishte e gabuar, thashë se disa miq të mirë na dhanë këshilla. Rezultoi se ne bëmë shumë më mirë sesa e kishin pritur ata. Në fakt, ne bëmë shumë më mirë sesa e prisnim edhe vetë.

MARGARET BRENNAN: Sa i takon mungesës së gjakderdhjes, Doktorët pa Kufij shkuan në OKB këtë javë dhe thanë se bilanci i viktimave në Gaza është aq i lartë, saqë krijuan një përkufizim të ri: fëmijë të plagosur, familje të vdekura. Save the Children thotë se mbi 1,000 fëmijë kanë humbur gjymtyrë gjatë këtyre ditëve që pas sulmit të 7 tetorit. Ajo që Hamasi ka bërë është e tmerrshme. Por presidenti Biden ka thënë se veprimet tuaja janë të tepruara. A nuk jeni i shqetësuar se Izraeli po krijon më shumë terroristë sesa po shkatërron?

BENJAMIN NETANYAHU: Mendoj se çdo viktimë civile është një tragjedi. Nuk e them me gjysmë zemre këtë. Kam humbur një vëlla në luftë, unë vetë jam plagosur ndërsa liroja pengje nga një aeroplan i marrë peng. Kam humbur miq në luftë. E di çfarë do të thotë të humbasësh miq dhe të humbasësh anëtarë të familjes. Nuk kam kundërshtim këtu. Por kjo luftë na u imponua nga një armik cinik që jo vetëm shënjestroi civilët tanë, por përdhunoi, preu koka, dogji bebe të gjalla, vrau fëmijë në sy të prindërve dhe prindër në sy të fëmijëve. Ky armik jo vetëm shënjestron civilët, por fshihet pas tyre, pas civilëve palestinezë, prandaj ata po kryejnë krime të dyfishta lufte. Duhet të them se sa i takon mënyrës si po luftohet kjo betejë, nuk ka një paralele për vështirësinë me të cilën përballemi. Dhe John Spencer, përgjegjës për luftimet urbane në West Point, thotë se asnjë ushtri tjetër nuk është përballur me një detyrë të tillë. Ai bëri një krahasim…

MARGARET BRENNAN: Nuk ishte kjo pyetja që shtrova, gjithsesi.

BENJAMIN NETANYAHU: … ai mori Mosulin si krahasim. Kjo është përgjigja. Nuk mund t’i japësh imunitet terroristëve sepse ata fshihen mes civilëve dhe po i detyrojnë ata të mos largohen. Çfarë duhet bërë? Duhet t’i japim imunitet? Hamasi mbijeton dhe jeton për të kryer masakër pas masakre. Çfarë do të bënte Amerika? Çfarë do të bënte Amerika, Margaret, nëse do të përballeshit me 20-fishin e sulmeve të 11 shtatorit, 50 mijë amerikanë të masakruar në një ditë, 10 mijë amerikanë, përfshi nëna dhe fëmijë të mbajtur peng? A nuk do të bënit atë që po bën edhe Izraeli? Do të bënit shumë më shumë. Dhe të gjithë amerikanët me të cilët kam biseduar, thuajse të gjithë, e thonë këtë. Izraeli ka bërë çmos, duke i folur civilëve, palestinezëve në Gaza, duke i kërkuar të largohen nga shtëpitë, duke shpërndarë fletushka, ne e kemi bërë përpjekjen, por Hamasi i mban ata me pistoletë në kokë. Ne do t’i largojmë nga rreziku, do të përfundojmë detyrën dhe do të arrijmë fitoren e plotë, që është e nevojshme për të ardhmen e sigurt të Izraelit, për një të ardhme më të mirë për Gazën, për një të ardhme më të mirë për Lindjen e Mesme, për të penguar boshtin e terrorit nga Irani. Është në interesin e të gjithëve. Është edhe në interesin e Amerikës.

MARGARET BRENNAN: Z. kryeministër, më thonë se nuk kemi më kohë. “Face the Nation” rikthehet pas pak. Qëndroni me ne.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Altin Dumani paraqiti raportin e Prokurorisë së Posaçme, si e vlerësoni punën e SPAK për vitin 2023?
×