Ashtu si çdo fundvit, edhe në muajin dhjetor Durrësi ka mirëpritur qindra turistë, që zgjodhën të kalojnë festat në bregdet.
Tani që festat mbaruan dhe jeta po kthehet në normalitet, të gjithë bëjnë bilancet. Qyteti i Durrësit që priti mijëra qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë dhe turistë të huaj, pati vitin më të mirë sa i përket prenotimeve.
“- Zgjodha Durrësin për festat e fundvitit, sepse ju keni gjithçka këtu. Keni detin, që e keni aq të bukur, keni kulturë, ushqim të mirë, njerëz edhe më të mirë.
– Unë vij nga Belgjika. Kjo mund të jetë hera e 100-të që vizitoj Shqipërinë, vij shpesh këtu, por është hera e parë që po kaloj festat e fundvitit në vendin tuaj. Jeni padyshim njerëzit më mikpritës në botë, më pëlqen shumë kjo. Koha pastaj është edhe më fantastike, vetëm shiko pak sa diell ka në këtë fillim janari.
– Vijmë nga Gjermania dhe do të qëndrojmë 14 ditë në total këtu. Nuk është hera e parë që vijmë, por këtë herë po qëndrojmë pak më gjatë, sepse festuam Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Unë udhëtoj shumë, kam qenë stjuardesë, kam shkuar në shumë vende, kam takuar shumë njerëz, por këtu është shumë ndryshe, shumë e veçantë. Njerëzit janë shumë më miqësor.
– Në një moment njerëzit na morën dhe nisëm të gjithë të kërcenim muzikë shqiptare. Ushqimi pastaj ishte fantastik, e kemi shijuar shumë”, thanë disa qytetarë.
Për mbrëmjen e ndërrimit të viteve qyteti bregdetar ishtë thuajse 100% i rezervuar.
“Për këtë vit kërkesa ka qenë shumë herë më e lartë në krahasim me vitin e kaluar. Ka qenë aq e lartë sa rezervimet janë mbyllur që në 2-javorshin e parë të dhjetorit”, tha Aleksandër Ganolli, operator turistik.
“Përshtypje më ka bërë, që këtë vit, përveç turistëve nga trevat e Ballkanit, kanë qenë të shumtë edhe shqiptarët që janë të shpërndarë në skajet e Shqipërisë, siç është Saranda, Gjirokastra, Shkodra. Një pjesë e madhe e rezervimeve vijnë nga këto anë, përveçse Kosovës, Maqedonisë apo Malit të Zi që kanë qenë çdo vit”, tha ai më tej.
Për bizneset në sektorin e shërbimit, kjo ishtë një sfidë, për t’ju përgjigjur siç duhet kujtdo që ka zgjedhur qytetin bregdetar.
“Rezervimet kanë filluar që në ditë e para të muajit nëntor. Shohim një rritje të konsiderueshme të rezervimeve me akomodim”, tha Anjeza Selimaj, operatore turistike.
“Jemi drejt limitit, gati 99% të rezervuar, por kapaciteti është goxha i lartë dhe ne mundohemi t’i presim të gjithë mysafirët”, tha më tej Selimaj.
Prandaj, siç Durrësit i takon, operatorët turistikë kishin përgatitur paketa, të knaqshme për secilin.
“Ne kemi paketa me akomodim dhe darkë të përfshirë, por edhe vetëm me darkë dhe çmimi fillon nga 99 euro për person”, shtoi Selimaj.
“Paketa jonë e fundvitit ka 3 ditë dhe 2 netë, përfshirë sigurisht mbrëmjen gala. Ka qenë pozitive për turistët që vijnë nga jashtë”, tha Aleksandër Ganolli, operator turistik.
“Të flasim me shifra konkrete, për mbrëmjen e 31 dhjetorit, paketa vetëm me ushqim kushton 110 euro personi, ndërsa me akomodim shkon 130 euro personi”, tha ai më tej.
Vetëm për festat e fundvitit në portin e Durrësit mbërriten mijëra qytetarë që jetojnë e punojnë jashtë territorit shqiptar.
LEXONI GJITHASHTU:
- Ish-emsiari Grenell promovon turizmin shqiptar: Më besoni mua, shkoni në Shqipëri
- Turizmi rikthen zanatin e drugdhendjes në Gjirokastër