English

Çfarë po ndodh me reformën në drejtësi në Kosovë, a do të bëhet “vettingu”?

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Vettingu në sistemin e drejtësisë, Ligji për Këshillin Prokurorial dhe Byroja për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme…

- Advertisement -

Këto ishin ndërhyrjet kyçe të cilat i kishte paraparë qeveria me qëllim të reformës në drejtësi, por asnjëherë nuk u realizua.

Ministria e Drejtësisë kishte punuar në hartimin e këtyre tri projektligjeve por ato rrugës u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese dhe për të njëjtat u kërkuan ndryshime nga Komisioni i Venecias.

Nga shoqëria civile vlerësojnë se asnjë nga reformat thelbësore në drejtësi nuk do të mund të realizohet gjatë këtij mandati të qeverisë i cili përfundon në fillim të vitit të ardhshëm.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu derisa flet për KosovaPress thotë se reforma në drejtësi nuk është jetësuar si pasojë e “vonesave nga opozita dhe Gjykata Kushtetuese”.

“Opozita në vazhdimësi e ka penguar reformën në drejtësi dhe në vazhdimësi e ka vonuar reformën në drejtësi sepse pavarësisht vonesave që na janë shkaktuar edhe nga opozita dhe nga Gjykata Kushtetuese unë mendoj që reforma në drejtësi do të bëhet dhe do të dështojnë këto tentativat për të ndalur jetësimin e reformës në drejtësi… është e qartë reformën në drejtësi, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar këta nuk e duan prandaj janë munduar qe në çdo formë ta pengojnë. Por, ne do ta vazhdojmë punë tonë pavarësisht sa sfiduese, pavarësisht se çfarë rezistence do të kemi nga të tjerët është jashtëzakonisht e rëndësishme për qytetarët ta kthejnë besimin në institucionet e drejtësisë”, thotë Haxhiu.

Në anën tjetër, nga Lidhja Demokratike e Kosovës konsiderojnë se qeveria nuk është e interesuar për këtë reformë.

“Qasja e kësaj qeverie për reformën në drejtësi është qesharake, këta asnjëherë nuk kanë qenë të interesuar për reformën në drejtësi, këta kanë qenë të interesuar vetëm për ndërtim të një narrative dhe për të ardhur në pushtet me kinse janë për reformë në drejtësi, janë për luftim të krimit dhe korrupsionit. Nuk janë këta, as bindjen nuk e kanë e as angazhim. Ligji për KPK është rrëzuar njëherë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të rrëzohet përsëri edhe për herën e dytë, Byroja është rrëzuar njëherë dhe mënyra se si e kanë sjell ka mundësi të rrëzohet edhe herën e dytë, Vettingun e dështuan në mënyrë të organizuar kishte skenarë për ta dështuar Vettingun në Kosovë”, thotë Selmanaj.

E nga shoqëria civile nuk presin reforma thelbësore në sistemin e drejtësisë.

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se nuk ka shpresë që procesi i Vettingut të mund të realizohet në këtë mandat.

“Tani kur po përfundon kjo qeverisje, deri më tani nuk e kemi të realizuar asnjë reformë thelbësore brenda sistemit të drejtësisë. Nëse fillojmë prej më kryesores prej vettingut e shohim qartazi që vettingu nuk ka shpresë që as do të filloj brenda këtij mandati, përkundër që ishte premtuar dhe proklamuar se brenda këtij mandati do të përfundonte vettingu dhe në këtë situatë krejt ajo çfarë kemi, kemi disa draft amandamente miratimin e të cilave e ka lejuar Gjykata Kushtetuese, por të cilat nuk janë miratuar asnjëherë dhe në mungesë të tyre nuk mund të zhvillohet as ligji për vettingut”, thotë Shala.

Ndërkaq hulumtuesja e Lëvizjes “FOL”, Viona Bunjaku thotë se vetë hartuesit e ligjeve kanë gabuar në hapat e parë për ta jetësuar këtë projekt.

“Jemi shumë vonë me reformën në drejtësi dhe reforma në drejtësi e cila është premtuar që nga fillimi i mandatit e lëre më nga fillimi i fushatës zgjedhore nuk ka mund të ndodh në këtë mandat, nuk kemi parë rezultate në praktikë, ndonëse ka filluar analizimi dhe gjithashtu projektligjet kanë filluar që të bëhen, mirëpo rezultati i tyre në praktikë ka qenë i mangët. Pasi që kemi tri ligje kryesore për këto institucione që i prekin, mirëpo për shkak të procedurave të cilat kanë ndodhur me rrëzimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese dhe gjithashtu me hapat tjerë që janë kthyer dhe janë dhënë komente nga Komisioni i Venecias kemi parë që ky proces nuk ka shkuar ashtu siç është premtuar që brenda këtij mandati reforma në drejtësi do të ndodh”, thotë Bunjaku.

Në anën tjetër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi shprehet i bindur që në këtë muaj Ligji për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do ta marr mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Kjo ka qenë një betejë e vazhdueshme me pengesa të shumta qoftë të akterëve të sistemit të drejtësisë, të opozitës, që i ka penguar duke i dërguar në Gjykatën Kushtetuese, vonesat e trajtimit nga Gjykata Kushtetuese siç ishte rasti për projektligjin për Byronë që mori 17 muaj për trajtim, e 17 muaj është gjysma e mandatit, por sido që të jetë ne do të vazhdojmë me këmbëngulje deri në ditën siç e thash për t’i dhënë Kosovës një sistem të drejtësisë të pavarur dhe të paanshëm dhe efikas dhe të adresimit të luftës kundër korrupsionit”, thotë ai.

Procesin e Vettingut – përgatitjen e bazës ligjore, ekzekutivi kosovar e nisi në tetor të vitit 2021 ku u miratua koncept dokumenti për Vetting në drejtësi.

Më pas për këtë koncept-dokument u kërkua edhe mendimi i Komisionit të Venecias i cili fillimisht rekomandoi verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe në prokurori.

Më pas u hartuan amandamente kushtetuese nga 40 deputetë të Kuvendit të Kosovës të cilat kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në fillimin e marsit të vitit të kaluar i dërgoi për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

Në fund të dhjetorit të 2023-ës, Gjykata Kushtetuese i hapi rrugë Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Me vlerësimin për kushtetutshmëri është ballafaquar edhe Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës i cili edhe u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Ai u ridërgua në Kuvendin e Kosovës dhe u votua, më pas nga opozita përsëri e dërgoi në Kushtetuese.

Me Gjykatën Kushtetuese opozita e përballi edhe Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme i cili aktualisht pas ndryshimeve të bëra nga ministrja e Drejtësisë, e që janë paraparë në aktvendimin e Kushtetueses, tashmë është proceduar për votim në Kuvendin e Kosovë./Kosovapress

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

A mendoni se dhënia e 2 bonuseve për pensionistët këtë vit lidhet me fushatën elektorale?