English

Çfarë qëndrimi po mban Kisha Ortodokse për luftën në Ukrainë?

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Lufta në Ukrainë e ka ndarë Kishën Ortodokse në dy qëndrime të kundërta, ku një pjesë mbështesin luftën e Putinit, ndërsa të tjerë e dënojnë atë.

- Advertisement -

Të dyja palët në konflikt, Rusia dhe Ukraina, janë anëtare të së njëjtës kishë dhe ndajnë një histori mijëvjeçare të përbashkët fetare.

71% e rusëve dhe 78% e ukrainasve identifikohen si të krishterë ortodoksë. Deri në vitin 2019, Kisha Ortodokse e Ukrainës ishte pjesë e Patriarkanës së Moskës dhe shumë famulli mbeten ende atje, në konflikt me Kishën Ortodokse të Ukrainës.

Ndryshe nga Kisha Katolike, Kisha Ortodokse është e ndarë në 17 juridiksione vetëqeverisëse, të cilat së bashku kujdesen për qindra milionë besimtarë ortodoksë në botë.

Në këtë situatë të ndërlikuar, qëndrimet e kishave kanë variuar nga justifikimi, e deri te dënimi i luftës.

Ndërsa kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill e ka justifikuar luftën në Ukrainë, lufta është dënuar nga kishat ortodokse të Ukrainës, të botës, si dhe nga disa priftërinj në Rusi.

Patriarku Kirill i Moskës justifikon luftën

“Patriarkana e Moskës ka heshtur për luftën për një kohë të gjatë”, shpjegon profesori i teologjisë Thomas Bremer, në një intervistë për Deutsche Welle.

Profesori i studimeve të Kishës në Evropën Lindore në Universitetin e Munsterit, thotë se ky qëndrim ka ndryshuar tashmë, me Patriarkun Kirill i cili e paraqiti luftën e Vladimir Putinit si një rezistencë legjitime ndaj Perëndimit, në predikimet e tij në Moskë.

Në përputhje me linjën e Putinit dhe në përputhje me ndalimin nga ky i fundit për të raportuar për luftën, apo edhe për ta quajtur të tillë, patriarku nuk e përdori fjalën “luftë” për pushtimin e Ukrainës, por foli për “ngjarje” dhe “operacione ushtarake”.

Kirill, 75 vjeç, është aleat i ngushtë i Putinit. Ai e sheh luftën si mburojë kundër Perëndimit, të cilin e konsideron dekadent, veçanërisht në lidhje me pranimin e homoseksualitetit.

Ai dhe Putini ndajnë një vizion të përbashkët të “Russkiy Mir”, ose “Botës Ruse”, që lidh unitetin shpirtëror me zgjerimin territorial që synon bashkimin e vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik, thonë ekspertët për Reuters.

Patriarku Kirill

Megjithatë, Patriarku Kirill kërkoi zyrtarisht nga të dyja palët që të “shmangin viktimat civile”, gjë që është jo vetëm pjesë e retorikës dhe predikimeve të autoriteteve fetare, por edhe e vetë Rusisë e cila pretendon se është Ukraina ajo që “po sakrifikon civilët, pasi nuk është ky synimi i sulmit”.

Nga 260 milionë të krishterë ortodoksë në botë, rreth 100 milionë janë në Rusi, dhe disa nga ata jashtë vendit janë të lidhur me Patriarkanën e Moskës. Por lufta i ka tensionuar marrëdhëniet.

Në Rusi, rreth 300 anëtarë ortodoksë të një grupi të quajtur Priftërinjtë rusë për paqen nënshkruan një letër që dënonte sulmet ruse në Ukrainë.

“Populli i Ukrainës duhet ta bëjë vetë zgjedhjen e tij, jo me armë, pa presion nga Perëndimi, apo Lindja”, thuhet në dokument.

Mitropoliti Epifani, Kreu i Kishës Ortodokse të Ukrainës dhe Mitropoliti Onufri, Kreu i Kishës Ortodokse Ukrainase të Patriarkanës së Moskës, e dënuan pushtimin e Ukrainës me anë të disa deklaratave.

Epifaniy, besnik ndaj Patriarkanës së Moskës, e quajti luftën “vëllavrasëse”. Madje e krahasoi me historinë biblike të Kainit, i cili vrau vëllain e tij Abelin. Sipas nëntekstit, Ukraina është Abeli.

Një nga krerët e Patriarkanës së Moskës nga qyteti lindor i Sumy, u tha priftërinjve të tij që të mos luteshin për Kirillin.

Sekretari i Përgjithshëm në detyrë i Këshillit Botëror të Kishave, Rev. Ian Sauca, i shkroi Kirillit duke i kërkuar që “të ndërhyjë dhe të ndërmjetësojë me autoritetet për ta ndalur këtë luftë”.

Kirill u përgjigj se “forcat që e konsideronin hapur Rusinë si armikun e tyre u afruan pranë kufijve të këtij shteti” dhe se Perëndimi ishte i përfshirë në një “strategji gjeopolitike në shkallë të gjerë” për të dobësuar Rusinë.

Qëndrimet e kishave ortodokse jashtë Rusisë dhe Ukrainës

Deklaratat e udhëheqësve të Kishës Ortodokse në botë reflektojnë besnikërinë, ose mospëlqimin e tyre ndaj Moskës – si fuqi ushtarake dhe kishtare.

Krerët ortodoksë në vende të ndryshme e kanë dënuar sulmin rus në Ukrainë, ndërsa Serbia dhe Bullgaria vazhdojnë të mbështesin Rusinë.

Patriarku Ekumenik, Bartolomeu, në Kostandinopojë jo vetëm që e cilëson luftën “një pushtim të paprovokuar”, por e quan “shkelje të të drejtave të njeriut dhe dhunë brutale ndaj bashkëqytetarëve”.

Gjeorgjia dhe Finlanda, të cilat e kanë përjetuar agresionin rus, si ushtarak ashtu edhe kishtar, e kanë dënuar pushtimin e Ukrainës.

Kisha Antiokia (në Damask, Siri) ka shprehur nevojën për paqe dhe unitet.

Në Amsterdam, priftërinjtë në famullinë ortodokse të Shën Nikollës ndaluan së përkujtuari Kirillin në shërbesat e tyre, gjë që është pjesë e traditës së shërbesave.

Në një deklaratë të përbashkët, teologët ortodoksë nga institucione të ndryshme, duke përfshirë Qendrën e Studimeve të Krishtera Ortodokse të Universitetit Fordham në Nju Jork dhe Akademinë e Volosit për Studime Teologjike në Greqi, dënuan udhëheqësit e Kishës që “i nxisin komunitetet e tyre që të luten në mënyra që inkurajojnë armiqësinë”.

Udhëheqës të tjerë ortodoksë që kanë kritikuar luftën janë Patriarku Theodore II i Aleksandrisë dhe të gjithë Afrikës, dhe Patriarku Daniel i Rumanisë.

Mes këtyre reagime të ndryshme, kjo luftë ka të ngjarë të ripërpilojë hartat e juridiksioneve të Kishës Ortodokse.

Po e përdor Putini Kishën Ortodokse ruse?

Pas revolucionit rus të vitit 1917, udhëheqësit sovjetikë filluan ta dobësojnë Kishën Ortodokse Ruse. Stalini e ringjalli atë pas pushtimit të Rusisë nga Hitleri në Luftën e Dytë Botërore, për të mbledhur bashkë popullin rus.

“E njëjta ide po ringjallet tani nga Putini”, tha Olenka Pevny, profesoreshë e Studimeve Sllave dhe Ukrainase në Universitetin e Kembrixhit në Britani.

“Ndërsa pozicioni rus në botë dhe identiteti rus kanë filluar të lëkunden, Putini angazhoi edhe një herë Kishën për ta ndihmuar Putinin që të mbledhë popullin rus e ta ketë nën kontroll. U përpoq të lidhë me Rusinë popuj të kombeve të pavarura si Ukraina, duke nxitur nocionin e një Kishe Ortodokse të Bashkuar ruse, në mënyrë që të mohojë çdo diversitet fetar”, tha ajo për Reuters në një intervistë telefonike.

Ukraina ka një rëndësi të madhe për Kishën Ortodokse Ruse, sepse shihet si djepi i qytetërimit rus, dhe një entitet mesjetar i krishterë, pasi në shekullin e 10-të misionarët ortodoksë bizantinë konvertuan princin pagan Volodimir I në të krishter ortodoks.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Kush mendoni se mund ta marrë drejtimin e Rithemelimit nëse Berishës i caktohet masa “Arrest në shtëpi”?
×