Cila është strategjia e Ramës për përpilimin e listave të kandidatëve për deputetë
Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Edi Rama paralajmëroi se ai mund të mos jetë në listat e kandidatëve për deputet.
Pas 20 vitesh në qeveri dhe opozitë, ky do të ishte rasti i parë në politikën shqiptare që kryetari i partisë kandidat për kryeministër të mos jetë në listat e kandidatëve për deputetë.
Vendimin ende të pa marrë përfundimisht, Edi Rama e bëri me dije në mbledhjen e grupit parlamentar të socialistëve, ku fati i shumicës prej tyre tanimë është përcaktuar, ata do të jenë kandidatë për deputetë në listat e hapura.
“Të gjitha deputetet që kanë qoftë dhe një mandat, do të jenë në fushë. Pse? Për faktin se me sistemin e ri që kemi, gara është e balancuar. Burrat garojnë me burrat, gratë garojnë me gratë”, tha Rama.
Për deputetët burra që nuk bien dakord me këtë rregull, kryesocialisti kërkoi tërheqjen nga gara përpara përpilimit të listës së kandidatëve të deputetëve.
“Parimi themelor i listës së re, do të jetë asnjë deputet në gjininë mashkullore që ka marrë qoftë dhe një mandat nga Partia Socialiste, nuk do të jetë në listën e mbyllur. Është e drejta e kujtdo që për arsye të ndryshme nuk dëshiron të jetë në listën e hapur që ta thotë, por duhet të na thotë përpara që të mos jetë në listë dhe pastaj të mos thotë “jo po unë nuk shkoj”, sepse parimisht luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe që kanë marrë më shumë nga votuesit dhe Partia Socialiste të parët”, tha Rama.
Me transfuzion gjaku, Edi Rama nënkuptoi një listë kandidatësh për deputetë të mbizotëruar nga emra të rinj që do të vijnë jo vetëm nga strukturat e Partisë Socialiste, por edhe nga platforma “Deputeti që duam”, Diaspora dhe disa nga ministrat pa mandat deputeti. Për një pjesë të tyre, është rezervuar lista e sigurtë.
“Mund të jetë një diskutim i brendshëm që kontributet, çfarë kanë dhënë këta të rinj ose të reja që të jenë në listën e mbyllur. Unë kam një këndvështrim komplet tjetër. Unë mendoj që pikërisht pse këta janë më të rinj dhe më të reja dhe ftohen ose përfshihen për t’i bërë një transfuzion të fuqishëm gjaku Partisë Socialiste dhe për ta bërë partinë më të vjetër dhe më të re në Shqipëri, duhet të jenë aty. Ndërkohë që, të tjerët pikërisht se kanë qenë aty, duhet të jenë në fushë për të marrë sa më shumë vota për Partinë Socialiste”, tha Rama.
Lista e sigurtë nuk do t’i takojë vetëm të rinjve dhe një pjesë të ministrave, por edhe drejtuesve politik të 12 qarqeve, ku 9 prej tyre kanë më shumë se një mandat deputeti. Për arsye të vendosjes, kryesocialisti bëri shpjegimin e tij.
“Kjo do çorodiste gjithë procesin sepse nuk do të lejonte asnjë barazi shansesh në garë dhe nga ana tjetër, nuk do të garantonte asnjë lloj drejtimi të vërtetë politik të garës, të ndeshjes nga ana jonë, pasi drejtuesit politikë do të ishin të fokusuar për të marrë vota për vete, dhe me një status më të veçantë do të krijonin pabarazi vetvetiu dhe do të çorientohej gjithë skuadra”, tha kryesocialisti.
Kundërshtarin e drejtpërdrejtë, Sali Berishën, e sulmoi te strategu i fushatës elektorale të Partisë Demokratike, amerikanin, Chris LaCivita.
“Nuk ka truk mediatik dhe propagandistik, nuk ka turist që vjen me kushedi çfarë page nga Amerika për të bërë një makiazh Trump-ist të fushatës së atyre forcave që ndryshon këtë thelb”, deklaroi shefi i qeverisë.
Në mbyllje, deputetëve që u rrezikohet karrigia në parlament, ua përkëdheli sedrën me një vendimmarrje të dytë të Partisë Socialiste për ta.
“Pavarësisht në skuadrën e deputetëve apo jo… i duhen mandatit tjetër të Partisë Socialiste dhe është për një ditë tjetër skema e re që do të ketë qeveria e Partisë Socialiste. Po është për një ditë tjetër”, deklaroi Rama.
LEXONI GJITHASHTU:
“Lironi çunat, lironi vajzat”, protesta e ditës së 54 fokusohet te të shoqëruarit nga policia
Republika Sërpska lobon me miliona në SHBA për pavarësinë e saj
Rrezik thatësire në Evropë, studiuesit ndërkombëtarë tregojnë pasojat e nxehtësisë ekstreme
- 22:33 Banka Qendrore Evropiane prezanton modelet e reja të kartëmonedhave euro, qytetarët ftohen të votojnë
- 22:26 Raporti i Oxfam: Gaza ka nevojë për mbi 71 miliardë dollarë për t’u rindërtuar në 10 vite
- 22:23 Deputeti i PD-së: Ja pse Rama nuk e çoi deri në fund reformën territoriale, Parlamenti është jonormal
- 22:08 Dashamir Shehi: Mbështes protestuesit, ata janë rinia evropiane e Shqipërisë
- 21:52 Mes thirrjeve “Rama, jepe dorëheqjen”, kryeministri publikon videon duke përgatitur fjalimin: Kënga ime e preferuar
- 21:41 “Lironi çunat, lironi vajzat”, protesta e ditës së 54 fokusohet te të shoqëruarit nga policia