Teksa Italia është duke përjetuar ditë të vështira pas përhapjes masive të rasteve të infektuar me coronavirus, sidomos në veri të vendit, cilat janë masat e marra në Shqipëri dhe kapacitetet për përballimin e virusit.
Të ftuara në studion e Ilva Now për të folur lidhur me këtë çështje ishin psikologia Denada Toçe dhe drejtorja e Institutit të Shëndetit Public, Albana Fico.
Znj. Fico konfirmoi edhe një herë zyrtarisht se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar, të prekur nga coronavirusi, ndërsa mohoi kategorikisht që nga ana e autoriteteve shëndetësore të mbahej informacion i fshehtë lidhur me këtë situatë.
“Duhet të trajtojmë këtë situatë me masa mbrojtëse dhe të informohem në sajtet zyrtare. Dua ta them këtë se ditën e djeshme të gjithë kemi qenë pre e lajmeve të rreme që krijojnë një situatë paniku të panevojshme.
Detyrat jonë si punonjës të shëndetit dhe media, psikologët duhet të jemi aty për të sqaruar dhe qetësuar publikun…Pavarësisht të gjitha gjërave, ne si mjekë kemi bërë betimin e Hipokratit, por ne vijmë edhe si njerëz, unë jam nënë dh është e pabesueshme që specialistë të mirë të fshehin informacion.
Çdo informacion është transparent. Mbledhjet e task-forcës bëhen live, ISHP përditëson çdo ditë materialet e OBSH duke rifreskuar të dhënat”, – tha znj. Fico.
Drejtuesja e ISHP sqaroi rrugën që ndiqet në rastin kur konstatohet një rast i dyshuar me coronavirus ndërsa theksoi se analiza që përcakton nëse personi është ose jo i prekur nga coronavirusi bëhet nga Instituti i Shëndetit Publik.
“Nëse një person është i dyshuar, më shumë se kushdo tjetër duhet të kontaktojë 127. Transporti bëhet përmes urgjencës kombëtare në spitalin infektiv. Kur ka raste me histori epidemiologjie, dhe ka shenja klinike adresohet në spital. Të gjithë që nuk kanë shenjat klinike, vetëkarantinohen në shtëpitë e tyre, instruktohen, është i njoftuar mjeku i familjes, epidemiologu”, – tha znj. Fico
Ndërkohë, për psikologen Denada Toçe kjo situatë mund të menaxhohet më së miri përmes një informimi korrekt dhe ndjekjes së disa rregullave të thjeshta të higjienës personale, duke shmangur në çdo rast panikun, që siç tha, në shtyn drejt sjellëve të gabuara.
“Për këdo që është në panik dhe është normale, e para duhet të marrë informacion dhe së dyti se është një gjë e pakontrollueshme nga njërit, si tërmeti. Ne nuk e kemi në dorë 100 për qind. Njeriu në panik e sipër bën gabime, zgjedhjen e gabuar. Si italianët që zbrazën supermarketet. Ky është një virus si të gjithë të tjerët. Para 70-80 vjetësh ishte turbekulozi, sot jemi të mirinformuar dhe të parrezikuar prej tij.
Dua të informohemi që është virus, shumë e rëndësishme është pjesa e higjienës. Informacioni duhet marrë në mënyrë të kontrolluar, të merrni informacioni e duhur si të mbrohemi përmes rregullave të thjeshta të higjienës”, tha psikologia.
Ndër masat e marra nga autoritetet shëndetësore në Shqipëri, drejtorja e ISHP renditi edhe urdhrin e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për rritjen e masave higjieno sanitare në kopshte e çerdhe, nismë që sipas psikologes Toçe jo vetë duhet zbatuar, por duhet monitoruar vazhdimisht, pasi fëmijët sipas saj janë ndoshta hallka që mund ta transmetojë më shpejt virusin.
E ftuar në studion e Ilva Now ka qenë dhe Barbara Doda, ish -studente në Kinë. Ajo ka thënë se Kina po pëson një humbje të madhe qoftë politike ashtu edhe në sektorin e ekonomisë.
“Ndër kompanitë e dëmtuara është dhe Apple për shkak të vonesës në produktet e saj, por edhe kompani si Hyundai dhe Nissan, të cilat kanë mbyllur një pjesë të madhe të fabrikave të tyre”.
Sipas znj. Doda mungesa e informacionit është ndër shkaqet kryesore të panikut dhe se kjo po vërehet edhe në Shqipëri.
Më tej ajo ka pohuar se është krijuar një lloj stigmatizimi ndaj qytetarëve të kontinentit aziatik, pasi njerëzit e kanë të vështirë të dallojnë ndryshimin midis një shtetasi kinez apo atij japonez apo koreanë.
E pyetur nga znj. Ilva Tare nëse kultura ushqimore e kinezëve mund të ketë qenë ndër shkaqet e përhapjes së COVID-19, znj. Doda u përgjigj se “Mund të ketë lindur nga ushqimi, por Kina është një territor shumë i gjerë.”
“Problemi tjetër është dhe papastërtia, duke qenë se vendi është shumë i madh nuk mund të jetë të njëjtat standarde europiane.