DASH për deklaratën e Vuçiçit për sanksionet ndaj NIS: Nuk ka biznes me Rusinë

11 Janar 2025 | 11:06

Me Rusinë nuk ka “biznes të zakonshëm”, tha Departamenti amerikan i Shtetit i pyetur nga Radio Evropa e Lirë rreth deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se sanksionet e SHBA-së ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, janë “të rënda dhe serioze”.

Thesari amerikan tha se ka sanksionuar kompaninë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas, me seli në Rusi.

Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi në një konferencë për shtyp më 10 janar, pas këtij publikimi nga Departamenti amerikan i Thesarit, se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.

“Ata nuk lejojnë mundësinë e 49 për qind ose më pak kapital rus”, tha presidenti Vuçiç.

DASH-i tha se Shtetet e Bashkuara “mbeten të përkushtuara për ta penguar gjenerimin e të ardhurave të Rusisë dhe rrjetet e prokurimit dhe ato financiare që Moska i përdor për ta mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës”.

“Ne do të vazhdojmë t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e duhura për ta çuar përpara përgjegjësinë për ata që mundësojnë ose përfitojnë nga lufta e paligjshme e Rusisë dhe ta parandalojmë Putinin të përdorë energjinë si mjet shtypjeje”, tha Departamenti i Shtetit në një përgjigje.

Departamenti amerikan shtoi se “SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me partnerë dhe aleatë në mbarë botën për të garantuar sigurinë dhe diversitetin e furnizimeve me energji”.

NIS është kompania e vetme në Serbi e angazhuar në kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e prodhimit të naftës dhe gazit natyror.

Gazprom Neft ka aksione në NIS, që nga viti 2022. Aksione ka edhe kompania e saj mëmë Gazprom.

Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.

Pjesa tjetër u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, dhe kompanisë i është ndaluar qasja në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.

NIS-i, përndryshe, zotëron më shumë se 400 pika karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit: Bosnje dhe Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Trump prezanton pasaportën e re amerikane me portretin e tij për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së

Presidenti amerikan Donald Trump prezantoi të premten pasaportat koleksionuese që mbajnë portretin e tij, të cilat do të qarkullojnë në një numër të kufizuar në...
09:06 | 27/06/2026

Meloni dhe Trump, një grindje shumë publike që po rezulton shumë e vështirë për t’u rregulluar

Në rrjetet sociale në Itali po qarkullon një meme i gjeneruar nga inteligjenca artificiale, që tregon Giorgia Melonin duke bërë të gjitha gjërat që mund...
08:19 | 27/06/2026

Bilanci tragjik i tërmeteve në Venezuelë deri tani: 920 viktima dhe 3360 të plagosur

Më shumë se 900 persona janë vrarë dhe 3,360 të tjerë janë plagosur nga tërmetet në Venezuelë, sipas qeverisë, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të...
08:16 | 27/06/2026