Del në dritë dosja hetimore e Maks Velos, historia përmes dokumenteve të “Sigurimit”
“Maks Velo dëshmon diktaturën” titullohet ekspozita e çelur në shtëpinë-studio Kadare, kushtuar artistit dhe arkitektit të njohur Maks Velo.
Me rastin e 5-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta, për herë të parë është bërë publike dosja origjinale hetimore e Velos, një figurë që u përndoq dhe u dënua nga regjimi komunist me 10 vite burg për propagandë kundër shtetit.
Ekspozita sjell për publikun një rrëfim të drejtpërdrejtë të përndjekjes së tij, përmes dokumenteve autentike të dosjes hetimore, të cilat janë ekspozuar në ambientet e shtëpisë Kadare – një godinë e projektuar nga vetë Maks Velo.
“Kjo është godina ndoshta më përfaqësuese e gjithë krijimtarisë së tij. Jemi në apartamentin e shkrimtarit Ismail Kadare – projekt i ndryshëm nga çdo tjetër në këtë ndërtesë – dhe autor i tij është Maks Velo. Ai nuk kishte nevojë për drejtësi publike, sepse me një forcë të jashtëzakonshme e vendosi vetë të tregonte të vërtetën. E deklasifikoi vetë dosjen dhe vendosi ta botonte, duke përfshirë edhe ata që kishin thënë fjalë kundër tij në librin ‘Maks Velo – Jeta Paralele’. Por më e rëndësishmja është që publiku tani ka mundësi të shohë dokumentet origjinale”, thotë Anisa Ymeri, drejtuese e shtëpisë studio-Kadare.
Dokumentet nga dosja e përndjekjes dhe dënimit të Maks Velos janë vënë në dispozicion të publikut nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), për qëllime ekspozimi dhe edukimi.
“Bëhet fjalë për dy dosje të rëndësishme që lidhen me jetën publike dhe private të artistit: dosja formulare 11/705 me 235 faqe dhe dosja hetimore-gjyqësore prej 57 faqesh. Ato përmbajnë survejime të pandërprera, raportime të agjentëve, dhe pasoja që ndikuan thellësisht në jetën profesionale dhe personale të tij: largimi nga puna, dëbimi dhe përpjekjet për ta thyer shpirtërisht”, thotë Altin Hoxha, anëtar i AIDSSH.
Ekspozita “Maks Velo dëshmon diktaturën” sjell një pasqyrë të realitetit të dhimbshëm që përjetoi artisti gjatë komunizmit. Vizitorët mund të njihen me procesverbalet, vendimet e arrestit, dëshmitë kundër tij, si dhe me fotografi e kritika të publikuara në gazetat e kohës.
Maks Velo u arrestua në vitin 1978 dhe u dënua me 10 vite burg për “agjitacion e propagandë”, duke u liruar në janar të vitit 1986. Ndër akuzat ndaj tij ishin përdorimi i gjuhëve të huaja, leximi i literaturës së ndaluar, ndikimi nga filozofia perëndimore, si dhe formalizmi në art – një devijim që regjimi e konsideronte të rrezikshëm.

LEXONI GJITHASHTU:
Ikonat e Onufrit dhe Shpatarakut tërheqin turistët, rritet interesi për Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë
Shtëpia ku lindi i madhi Faik Konica në harresë, thirrje që të kthehet në muze
Historia e heroit të mitologjisë greke Odisesë rikthehet në ekranet botërore
- 20:57 Ambasadori i OSBE: Një muaj protesta pa incidente të rënda, kjo është demokraci dhe më gëzon
- 20:49 AMP arreston një efektiv në Dibër, dyshohet se nuk kreu veprimet pas largimit të një personi në “arrest shtëpie”
- 20:31 Bllokohet një dërgesë me ndihma për shqiptarët në Luginën e Preshevës, akuzohen autoritetet serbe
- 20:13 ‘Rilindja Urbane 2.0’ Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë: Nuk duam fasada, kërkojmë decentralizim real
- 19:48 Protesta në Tiranë hyn në ditën e 41-të, aktivistët dhe qytetarët mblidhen para Kryeministrisë
- 19:39 Shqipëria dhe Mali i Zi do të mbyllin të martën kapituj të tjerë në bisedimet për anëtarësim në BE