Deputetët e Kosovës dështojnë për të 49-ën herë të konstituojnë Parlamentin

19 Korrik 2025 | 14:03

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të 49-ën herë me radhë në përpjekjen për të konstituuar parlamentin pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit.

Seanca e fundit u zhvillua këtë të shtunë, ndërsa pritet një takim ndërmjet Albin Kurtit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), dhe Fatmir Limajt, kreut të Nismës Socialdemokrate, në përpjekje për të dalë nga ngërçi politik.

Nisma kërkon që Fatmir Limaj të emërohet kryeparlamentar, ndërsa LVV të udhëheqë qeverinë, duke e konsideruar këtë si zgjidhjen e vetme për formimin e institucioneve.

Para seancës, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, deklaroi për mediat se pret që takimi ndërmjet dy liderëve të zhvillohet gjatë ditës dhe se shpreson për vullnet politik nga Albin Kurti.

“Ne presim që sot të zhvillohet takimi. Jemi në afatet e fundit kushtetuese. Unë pres një sinjal pozitiv nga ky takim, që besoj që sot do të ndodhë, dhe vullnet politik nga lideri i LVV-së,” tha Izmaku.

Sipas saj, Nisma pret që Limaj të bëhet kryeparlamentar dhe LVV të udhëheqë qeverinë.

Ajo shtoi se kjo është alternativa e vetme për të dalë nga ngërçi dhe për të formuar institucionet e vendit, duke theksuar se Limaj ka mbështetjen edhe të deputetëve dhe partive të tjera.

Situata mbetet e paqartë dhe pritet të qartësohet në seancën e 21 korrikut.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ministrja serbe për Kosovën: Duhej të përdorja termin “deportim“, Sveçla është terrorist!

Ministrja serbe për Pushtetin Lokal, Snezana Paunoviç, ka thënë në një intervistë të re se ndoshta duhej të kishte përdorur një terminologji tjetër në vend...
13:39 | 17/07/2026

Haxhiu shtyn njoftimin për seancën e parë të Kuvendit, afati kushtetues deri më 7 gusht

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të publikohet data dhe ora e mbajtjes...
12:02 | 17/07/2026

Nga burgimi i përjetshëm në 30 vite: Supremja i ul dënimin Edmond Lajqit për vrasjen e bashkëshortes

Gjykata Supreme e Kosovës ia ka ulur të enjten dënimin me burgim të përjetshëm në një dënim me 30 vjet burgim Edmond Lajqit për vrasjen...
20:54 | 16/07/2026