Dëshmimtari në Hagë: Thaçi kishte marrëdhënie të ndërlikuara me komandantët e UÇK-së

30 Shtator 2025 | 13:12

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vijuar këtë të martë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me dëshminë e radhës nga Jock Covey, ish-zv.përfaqësues i përfaqësuesit special të OKB-së për Kosovën, Bernard Kouchner.

Covey, i katërti dëshmitar i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, deklaroi se ish-presidenti i Kosovës kishte një raport të ndërlikuar me komandantët e UÇK-së, të cilët, sipas tij, shpeshherë treguan edhe mungesë respekti ndaj Thaçit.

“Zotëri Thaçi nuk kishte marrëdhënie të rëndësishme me këtë trupë të komandantëve në terren dhe kishte shumë pak gjasa që ata të kërkonin udhëzimet apo urdhrat e tij,” u shpreh Covey, duke përshkruar një takim të zhvilluar me komandantët për çështjen e çarmatimit pas përfundimit të luftës.

Sipas tij, komandantët nuk vepronin në bazë të një strukture të qartë komanduese, por si pjesë e një lëvizjeje me autonomi të gjerë në secilën zonë.

“Nuk ka pasur komandë qendrore. UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa një ushtri e mirëfilltë. Gjeneral Ceku, ndonëse më me ndikim, duhej të sigurohej se kishte mbështetjen e komandantëve për çdo marrëveshje,” shtoi Covey.

Ai solli në vëmendje edhe një moment kritik pas çlirimit, kur NATO ishte në përpjekje për të bindur UÇK-në që të pranonte marrëveshjen për krijimin e një force mbrojtëse civile në Kosovë. Sipas Covey, në këtë proces, Thaçi kishte rol të kufizuar, ndërsa komandantët shfaqnin hezitim për të bashkëpunuar.

Dëshmia e Covey pason ato të ish-zyrtarit amerikan James Rubin, këshilltarit ligjor Paul Williams dhe ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan, të cilët gjithashtu kanë theksuar mungesën e autoritetit komandues të Thaçit ndaj UÇK-së.

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka nisur në vitin 2023. Katër ish-drejtuesit e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe vijojnë të mbahen në paraburgim në Hagë.

Gjatë javëve në vijim pritet që në seancat gjyqësore të dëshmojnë edhe shtatë dëshmitarë të tjerë të thirrur nga mbrojtja.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Haziri: Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i LDK-së për presidente, askush mbi Republikën

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas debatit publik lidhur me qëndrimet e partisë për proceset politike që pritet të zhvillohen...
17:55 | 24/06/2026

Haziri: Votat e LDK-së mund të unifikohen vetëm për president nga radhët e partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës, nëse Lëvizja Vetëvendosje, si...
16:22 | 24/06/2026

Kreu i Veteranëve të UÇK: Dritan Goxhaj nuk ka qenë anëtar i organizatës, firma e letrës është origjinale

Në një lidhje live për Euronews Albania me Thimi Samaraxhiun, komandanti Hysni Gucati dha më shumë detaje sa i përket debatit lidhur me Dritan Goxhajn...
12:43 | 24/06/2026