Në vijim të seancës në Gjykatën e Apelit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bashkëpunëtori i drejtësisë Erion Alibej dha dëshmi dhe detaje të reja në lidhje me ngjarjet e rënda që kanë tronditur Elbasanin, ku ai është akuzuar si kreu i një organizate kriminale dhe porositës i disa atentateve.
Alibej tregoi sesi, pas vrasjes së djalit të dajës së tij, Andi Zylifit, në shtëpinë e tij u shfaqën dy makina që brohoritnin në sy të patrullës së policisë. Ai tha se, për të mbrojtur veten dhe për të siguruar informacion, kishte nisur vetë verifikime duke u kamufluar si shpërndarës picash në qytet dhe duke përdorur kamerat e sigurisë, edhe pse shumica e tyre ishin nën kontrollin e Suel Çelës.
“Tek shtëpia e Emiljano Ramazanit identifikova dy automjete dhe i verifikova me kamerat e sigurisë. Kisha çdo informacion që ia jepja policisë dhe prokurorit,” deklaroi Alibej, i cili pas ngjarjes së Andi Zylyfit vetëdorëzohet në polici bashkë me avokatin e tij dhe më pas kalon në arrest shtëpie.
Ai nënvizoi se kërkonte me çdo kusht Talo Celën, gjallë apo vdekur, pasi e konsideronte si ekzekutorin në atentatin ndaj vëllait të tij Endrit Alibej.
“Djali i dajës më tha se pas meje po vinte me një BMË, ishte Fatos Gosa. Talo ishte kryesori për mua sepse ai dinte shumë dhe njifte rrugët mirë. Doja që ai të kapet nga policia, sepse e di që do fliste,” theksoi Alibej.
Në dëshminë e tij, ai përmendi gjithashtu një takim në fund të shkurtit 2020 me Nuredin Dumanin, i cili iu prezantua nga Arjan Spahiu. Në këtë takim, Duman i zbuloi Alibejt emrat e supozuar të ekzekutorëve të familjes së tij: “Talo Cela, Besmir Haxhia, Altin Ndoci. Edhe tek vëllezërit Baho dhe djali dajës kanë qenë po këta,” tha Alibej duke ripërsëritur informacionin që kishte marrë më parë edhe për Dashnor Dumanin.
LEXONI GJITHASHTU:
- “Betohem në Kuran, ta fal gjakun” Alibej dëshmon në GJKKO, zbulon bisedat me Dumanin
- Bandat e Elbasanit dhe tregu i kokainës, dëshmon Alibej: Si nisi përplasja me Çopjat