Dita e 13-të e protestës, aktivistët dhe qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës
Qytetarët po protestojnë edhe këtë të premte në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në ditën e 13-të të protestave radhazi, me kërkesën kryesore dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në orën 18:00, si çdo ditë tjetër, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për t’u nisur më pas në marshim drejt godinës së qeverisë. Aty po mbahen fjalime nga qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm.
Në vijim, protesta do të vazhdojë me marshime në rrugët kryesore të Tiranës, që sipas organizatorëve zgjasin për disa orë, deri në mesnatë.
Protesta që nisi fillimisht si reagim kundër projektit turistik në zonën e Pishë Poros dhe Sazanit, ka hyrë sot në ditën e dhjetë të saj. Lëvizja u zhvillua pas kundërshtimeve ndaj investimit të planifikuar në zonë të mbrojtur dhe më pas u zgjerua në një mobilizim më të gjerë qytetar.
Gjatë ditëve të protestës, qytetarët kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: largimin e qeverisë, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Në tubimet e zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera janë dëgjuar gjithashtu thirrje kundër të gjithë klasës politike.
Organizatorët kanë njoftuar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.
Ndërkohë, Komisioni Europian ka deklaruar se po ndjek nga afër zhvillimet në zonën Pishë Poro–Nartë dhe se i ka përcjellë shqetësimet Ministrisë së Mjedisit lidhur me mangësitë e mundshme të projektit. Zëdhënësi Guillaume Mercier bëri të ditur se punimet janë pezulluar dhe se pritet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimit në mjedis, në konsultim me shoqërinë civile.
Ndersa për këtë çështje, SPAK ka nisur gjithashtu një hetim, teksa ka bllokuar llogaritë bankare të pronarëve të tokës, duke vendosur sekuestro për shumën prej 195 milionë dollarësh, e transferuar drejt tyre nga vëllezërit nga Katari.
Ndërkohë, organi i akuzës po verifikon edhe një sërë vendimesh gjyqësore që lidhen me titujt e pronësisë, ndërsa thuhet se konfliktet ligjore mbi pretendimet për sipërfaqet e tokave vijojnë të mbeten ende të hapura.
Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit marshojnë në Unazën e Tiranës
Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, aktivistët dhe qytetarët pjesëmarrës në ditën e 13-të të protestës kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës.
Ndryshe nga mbrëmjet e mëparshme, protestuesit këtë herë kanë zgjedhur të marshojnë përgjatë Unazës së Tiranës, duke vijuar tubimin e tyre me thirrje kundër qeverisë.
Protesta, e cila ka hyrë në ditën e 13-të, ka nisur si zakonisht në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas para godinës së Kryeministrisë, ku u mbahen fjalimet e aktivistëve dhe qytetarëve.
Thirrje nga protesta: “Po” në kor për zgjedhje të parakohshme, nesër protestë mbarëkombëtare, do vijnë 3 avionë me shqiptarë nga Britania
Në ditën e 13-të të protestës kundër qeverisë, protestuesit artikuluan sërish kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa një i ri bëri thirrje edhe për zgjedhje të parakohshme.
Ai pyeti protestuesit: “Kam një pyetje për turmën. Doni zgjedhje të parakohshme? A doni që kjo revoltë të shkojë diku? Po apo jo?”, ndërsa përgjigjja e turmës ishte një “Po” e fortë në kor, ndërsa i riu bëri thirrje që protesta të ketë një përfaqësi.
Po ashtu, sot protestuesit mbajtën edhe një minutë heshtje në nder të dëshmorëve të luftës së Kosovës. Më 12 qershor 1999, pas 78 ditësh bombardimesh të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe policore serbe, trupat e Aleancës Veri-Atlantike hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës.
Organizatorët njoftuan gjithashtu se protesta e së shtunës pritet të jetë mbarëkombëtare, ndërsa sipas deklarimeve të bëra në tubim, në Tiranë pritet të mbërrijnë edhe pjesëmarrës nga diaspora, përfshirë tre avionë me shqiptarë nga Britania e Madhe.
Florjan Binaj para protestuesve: Çdo qeveritar që ka shkelur ligjin, të përfundojë në burg
Aktori dhe aktivisti i njohur Florjan Binaj ka mbajtur një fjalim përpara protestuesve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Binaj iu drejtua turmës me thirrjen “Sheshi plot, zemra plot”, ndërsa hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, për të cilin tha se prej 13 vitesh “zhgarravit fatet tona” dhe se u përpoq të përçante qytetarët përmes organizimit të një aktiviteti paralel.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se protesta nuk zhvillohet vetëm për qytetarët e pranishëm në shesh, por edhe për punonjësit e administratës dhe patronazhistët që, sipas tij, detyrohen të marrin pjesë në aktivitetet e qeverisë.
Binaj bëri thirrje për ndëshkimin e çdo politikani që ka abuzuar me detyrën apo ka shkelur ligjin gjatë këtyre dekadave.
“Kushdo që nga ’90-a që ka vjedhur këtu qoftë edhe 10 lekë, të shkojë në burg! Çdo qeveritar! Kushdo që ka shkelur ligjin të shkojë në burg, por jo në burg me 5 yje!”, deklaroi Binaj.
Incident në protestë, i riu me pitbull ofendon influenceren dhe protestuesit, ata i vihen në ndjekje
Gjatë protestës së ditës së sotme ka ndodhur një incident, ku një djalë me një qen pitbull, teksa po kalonte në zonën e protestës, ka ofenduar një influencere. Më pas, disa protestues i janë vënë në ndjekje me pretendimin se ai i ka provokuar.
Besohet se ai i është drejtuar edhe influenceres duke i thënë: “E ke lexuar Aristotelin ti që del në protestë?” dhe ajo i është përgjigjur: “Po.” Sipas burimeve të tjera djali i është drejtuar edhe turmës duke ofenduar dhe më pas u ka thënë “Rroftë Rama, i hani atë …”.
Situata ka agravuar dhe ai është larguar me shpejtësi, ndërsa policia është vënë në ndjekje të tij.
I riu është larguar me vrap drejt një zone të bllokuar, ndërsa protestuesit janë rikthyer sërish në protestë.
Rama u përgjigjet protestuesve për Zvërnecin dhe Sazanin: Po ju mashtrojnë, ju ftoj të verifikoni faktet
Në përmbyllje të turit të aktiviteteve me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama i është drejtuar nga Tirana protestuesve që kundërshtojnë investimet në zonën e Zvërnecit dhe Sazanit, duke deklaruar se ata po manipulohen me informacione të pavërteta.
Rama u shpreh se pretendimet se qeveria ka ndryshuar ligjin për zonat e mbrojtura për t’i hapur rrugë këtyre projekteve janë “gënjeshtra të përhapura në mënyrë të përsëritur”, ndërsa i ftoi qytetarët të verifikojnë vetë faktet.
“Ejani të shikoni se kush u ka thënë në mënyrë të përbindshme të përsëritur se ne paskemi ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura. Ju ka sharruar me një rrenë shumë të fortë”, tha Rama.
Ai theksoi se zhvillimi i projekteve në Zvërnec do të varet vetëm nga cilësia e investimit të propozuar dhe jo nga vendime të paracaktuara politike.
Sipas kryeministrit, Shqipëria synon të kthehet në një destinacion të rëndësishëm turistik në Mesdhe, ndërsa këto projekte, sipas tij, përfaqësojnë “investime strategjike me vlerë të madhe për vendin”.
Rama deklaroi gjithashtu se nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare për projektin në Sazan, duke sqaruar se procesi është ende në fazë negociatash.
“Nuk ka status investitori strategjik të dhënë për investimin më të madh në historinë e Shqipërisë. Nuk ka asnjë marrëveshje ende. Ka vetëm negociata”, u shpreh ai.
Ai shtoi se shteti shqiptar nuk synon të shesë apo të japë me qira pronat publike, por të jetë partner në investime që, sipas tij, i shërbejnë interesit publik.
Rama komentoi edhe reagimet ndërkombëtare për protestat, duke i cilësuar ato si pjesë e një “përplasjeje politike e ideologjike” që nuk lidhet drejtpërdrejt me Shqipërinë.
Sipas tij, interesimi i disa figurave politike të huaja nuk ka lidhje me mjedisin apo investimet konkrete, por me zhvillime të tjera politike ndërkombëtare.
Kryeministri u ndal edhe te debati për raportin mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit, duke theksuar se këto dy elemente, sipas tij, duhet të ecin paralelisht.
“Nuk ka zgjedhje mes natyrës dhe zhvillimit. Sfida është t’i bëjmë të dyja bashkë”, tha Rama.
Me pankartë në dorë, gruaja ndalohet të hyjë në aktivitetin e Ramës
Një grua është ndaluar nga forcat e policisë që të afrohej dhe të hynte në aktivitetin e zhvilluar pranë sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë, me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste ku fjalën e rastit po e mbante kryeministri Edi Rama.
Sipas raportimeve, ajo mbante në dorë një pankartë, e cila i është hequr nga efektivët e policisë, ndërsa nuk është lejuar të afrohet më tej në zonën e aktivitetit, me qëllim shmangien e tensioneve dhe keqkuptimeve me pjesëmarrësit dhe mbështetësit e Partisë Socialiste.
Më pas, gruaja ka folur për gazetarët, duke deklaruar se pankartat e saj përmbanin mesazhe me karakter simbolik.
“Ishe me një pankartë që thoshte ‘A ka shqiptarë në taborrin tuaj’ dhe tjetra thoshte ‘Këtu është tokë ilirjane, unë jam shqiptar me besë’,” u shpreh ajo.
Protestuesit marshojnë në bulevard dhe ndalen para Kryeministrisë
Me thirrjet “Opozitë e shitur”, “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, “Opozita jemi ne”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg”, ata u nisën në marshim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u ndalur para godinës së kryeministrisë.
Nis festa e 35-vjetorit të PS-së, Rama nis fjalimin
Në Tiranë po shënohet 35-vjetori i Partisë Socialiste, një përvjetor që ka nisur me një dokumentar kushtuar figurës së ish-kryetarit të ndjerë, Fatos Nano.
Në sheshin “Italia” janë mbledhur socialistët për të festuar këtë datë të rëndësishme, por ndryshe nga pritshmëritë për një aktivitet partiak, mungojnë flamujt dhe simbolet e Partisë Socialiste.
Në hapësirë shihen vetëm flamujt kombëtar i Shqipërisë dhe ai i Bashkimit Europian. Në ceremoninë e organizuar merr pjesë edhe kryetari i partisë, njëkohësisht kryeministri i vendit, Edi Rama.
Berisha: Edi Rama të heqë urgjentisht dorë nga antimitingjet. Ndërkombëtarët të mbështesin protestën qytetare
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha komentoi aktivitetin që pritet të organizohet pasdites e sotme në sheshin Italia në Tiranë për 35-vjetorin e PS. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha e quajti antimiting takimin e PS, që sipas tij ka për qëllim të sfidojë protestën paqësore që po mbahet prej ditësh nga të rinjtë. Berisha i bëri thirrje opinionit publik ndërkombëtar që të mbështesë këtë protestë e cila sipas tij ‘ka përcaktuar si mision shpëtimin e Shqipërisë nga diktatura autokratike apo narkoregjimi i Edi Ramës’.
Deklarata e Berishës
Por unë jam sot këtu për të denoncuar me forcën më të madhe qëndrimin e papërgjegjshëm cinik, armiqësor të Edi Ramës dhe rrethit të tij ndaj protestës, kërkesave të protestuesve dhe paralajmëroj se me këtë qëndrim, ai kërkon të zhysë vendin në kaos.
Është e pafalshme, e papranueshme përpjekja e tij për të sfumuar uraganin e fuqishëm me antimitingje anakronike, gjoja po festoj 85-vjetorin e partisë së krimit.
Është cinike, është poshtëruese dhe fyese për çdo shqiptar t’i kundërvihesh protestës së rinisë dhe qytetarëve shqiptarë me takimin e zgërbonjave të krimit të PS, takime që ngjasojnë nga alfa tek omega me takimet e mafies.
Edi Rama duhet të heqë urgjentisht dorë nga antimitingjet.
Të heqë dorë nga antimitingjet, të mos sfidojë uraganin e fuqishëm paqësor të rinisë studentore me antimitingje mafiozësh, banditësh, delinkuentësh të mbledhur me detyrim.
U bëj thirrje socialistëve të braktisin antimitingjet e Edi Ramës kudo që janë dhe të mos harrojnë se ato nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet e PS.
Se ajo parti ka marrë fund, nuk ekziston, është shndërruar në Rivdekjen e saj, që është Rilindja gjoja, që e varrosi PS-në.
Ndaj dhe edhe njëherë dënoj me forcën më të madhe.
I bëj thirrje opinionit publik ndërkombëtar, atij politik dhe atij publik, të mbështesin fuqishëm këtë protestë, e cila ka përcaktuar si mision shpëtimin e Shqipërisë nga diktatura autokratike apo narkoregjimi i Edi Ramës.
35-vjetori i PS dhe protesta, policia publikon planin e masave: Rrugët që bllokohen që nga ora 16:00
Policia e Tiranës ka publikuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në kuadër të dy aktiviteteve që do të zhvillohen pasditen dhe mbrëmjen e sotme në Tiranë, protesta e 13-të në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe aktiviteti i organizuar për 35-vjetorin e PS në sheshin “Italia”.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktiviteteve, do të ketë kufizime dhe bllokime të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit.
Rrugët ku ndalohet qarkullimi i automjeteve:
“Papa Gjon Pali II”
“Dervish Hima”
“Faik Konica”
“Lek Dukagjini”
“Gjergj Filipi”
“Hasim Zeneli”
“Themistokli Gërmenji”
“Ibrahim Rugova” (nga kryqëzimi me rrugën “Libri Universitar” deri te sheshi “Shopen”)
Gjithashtu, do të ketë bllokim të qarkullimit edhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deri në sheshin “Nënë Tereza”.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë mirëkuptim, të përdorin rrugë alternative dhe të zbatojnë udhëzimet e punonjësve të policisë në terren.
Hetimi për Zvërnecin, SPAK: Bllokohen 128 milionë euro transaksione për shitjen e tokës
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka vendosur sekuestro preventive mbi 128.3 milionë euro në kuadër të hetimeve për çështjen e Zvërnecit. Vendimi i datës 10 qershor lidhet me sekuestrimet e mbi 128 mln eurove në llogarine e noteres, Amela Mukaj që janë përdorur në 3 shitblerje tokash në Zvërnec.
Sipas SPAK, paratë do të kalonin për kontrata me personat që kanë në pronësi tokat: Artur Shehaj, F.S dhe B.S. Vendimi është marrë në kuadër të hetimeve për çështjen e njohur si dosja e Zvërnecit.
“Vendosjen e sekuestros preventive mbi pasuritë e luajtshme, shuma monetare në valutën euro të ndodhura në llogarinë bankare te noteres publike Amela Mukaj, person fizik, si më poshtë vijon:
i) Shuma e parave 110.247.134 euro, sipas kontratës së shitjes me nr. 2062 rep., nr. 1166 kol., datë 24.04.2026 me palë Artur Shehu dhe “Albanian Land Development” sh.p.k., e ndodhur në llogarinë numër 435001036CLPRBFEURMJ të noteres AMELA MUKAJ PERSON FIZIK.
ii) Shuma e parave 10.044.684 euro, sipas kontratës me nr. 2060 rep., nr. 1164 kol., datë 24.04.2026 me palë Ferdinand Sulaj dhe Burbuqe Sulaj dhe “Albania Land Development” sh.p.k., e ndodhur në llogarinë numër 435001036CLPRBFEURMJ të noteres AMELA MUKAJ PERSON FIZIK.
iii) Shuma e parave 8.062.619 euro, sipas kontratës me nr. 2061 rep., nr. 1165 kol., datë 24.04.2026 me palë Ferdinand Sulaj dhe Burbuqe Sulaj dhe “Albania Land Development” sh.p.k., e ndodhur në llogarinë numër 435001036CLPRBFEURMJ të noteres AMELA MUKAJ PERSON FIZIK”, thuhet në vendim.
Incident në protestë, i riu me pitbull ofendon influenceren dhe protestuesit, ata i vihen në ndjekje
SPAK njoftim zyrtar: Goditet grupi i trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, mes të dyshuarve edhe biznesmenë
Rama u përgjigjet protestuesve për Zvërnecin dhe Sazanin: Po ju mashtrojnë, ju ftoj të verifikoni faktet
- 22:19 Ukraina dhe Moldavia drejt BE-së, 27 vendet anëtare bien dakord për hapjen e “Themeloreve”
- 22:15 Trump vendos paqe me Europën: Ndihmuan në arritjen e paqes me Iranin
- 22:13 Begaj në Prishtinë për 27-vjetorin e Çlirimit: Shqipëria do të jetë gjithmonë mbështetje e palëkundur për Kosovën
- 22:04 Netanyahu: Për sa kohë që jam kryeministër, Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore
- 21:58 Arrestohet aktorja e njohur turke
- 21:43 Performanca e Shakirës në hapjen e Kupës së Botës ndez teorinë e çuditshme që po pushton internetin?