English

Duna, burrnesha e Kelmendit që zgjodhi të jetojë e lirë nga kornizat e traditës familjare

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Kur udhëton në skajin më verior të Shqipërisë, në Vermosh, natyra të befason me bukuritë e saj. E bukur dhe e ashpër, por gjithsesi mahnitëse. Ashtu siç është edhe tradita shekullore e fjalës dhe besës së burrit.

- Advertisement -

E krahasojnë shpesh me Zvicrën shqiptare, dhe në fakt Lëpusha, e shtrirë në “zemrën” e “Bjeshkëve të Namuna” ka filluar të bëhet një nga destinacionet  e turizmit vendas.

Të huajt që e vizitojnë shpesh, përveç natyrës tërhiqen edhe nga historia e tradita. Madje, habiten kur mësojnë se në vitin 2020 mund të takojnë gra të kthyera në burrnesha, si Duna.

Në pragun e portës së bujtinës “Bjeshkët e Namuna” uron mirëseardhjen Gjystina, apo siç e njohin të gjithë banorët e zonës me emrin Duna.

Me mirësjellje siç e do zakoni, Duna na mikpret në bujtinë pranë zjarrit. Biseda ndërpritet kur Duna del për të marrë drutë që i duhen për ta mbajtur zjarrin ndezur. Punët e vështira, si prerja e druve dhe ashpërsia e dimrit e bëjnë ndarjen burrë-grua thuajse të padukshme.

Duna tregon se në moshën 23-vjeçare mori vendimin më të rëndësishëm të jetës së saj për t’u bërë burrneshë.

“Jam burrnesha e këtij fshati. Qysh në moshën 23 vjeçe i jam kushtuar shtëpisë, vetëm familjes. Bashkë me nënën kemi rritur motrat dhe vëllain, me të cilin jetoj tani. Gjithmonë vetëm punë kam bërë. Tani ata më ndihmojnë mua, nëse unë kam nevojë për diçka”, rrëfen Duna

Rëndësi për Dunën ka të qenët e lirë, por pa harruar kujdesin ndaj familjes.

“Për mua është një gjë e rëndësishme, se e ndiej veten shumë mirë; punoj kur dua, ha kur dua, shëtis kur dua. Falë edhe vëllezërve, motrave dhe nipërve se më duan shumë, ma njohin  edhe më shumë meritën.

Babai ka qenë shumë i sëmurë, nëna ishte vetëm, ishim 6 fëmijë, ishim shumë fukarenj, dhe vetë i kam dalë krah nënës.

Kjo më ka shtyrë që të dal në krah të nënës, mos ta lë vetëm që të rrisë fëmijët”, tregon burrnesha e Kelmendit.

Gjystina thotë se të jesh burrneshë do shumë përkushtim dhe e nuk të bën vetëm fakti se nuk do të martohesh kurrë.

Zgjedhja e saj në fillim u gjykua nga të afërm e banorë të zonës. Por Duna nuk u tërhoq nga vendimi i saj, që siç thotë e bëri të ndihej e lirë.

“Kur kam qenë 23 vjeçe më thoshin, pse nuk martohesh, pse nuk krijon familje. Por unë kam thënë se jam gjithmonë krenare, gjithmonë e kam thënë me ballë hapur se jam shumë mirë. Siç kam qenë 23 vjeçe jam edhe tani, edhe pse kam pak probleme me shëndetin se jam 55 vjeçe dhe këtu ku jemi rritur ne, në Bjeshkë ka qenë pak e vështirë. Nuk kam asnjë merak. Femra nuk duhet të jetojë me frikë, duhet të jetë e lirë; e bëra e bëra, gabova, gabova, gjithkush gabon. Po nuk gabove nuk mundesh të ecësh drejt”, thotë ajo.

Duna është një burrneshë që i është përshtatur kohërave moderne. Pasioni i saj janë guidat turistike si dhe loja e futbollit me djemtë e zonës.

“Kam 15 vjet që kam filluar me guidë. E kam filluar me të huajt, madje kanë qeshur njerëzit në fillim, thoshim pse sjell kjo njerëz brenda. Unë s’e kam pasur problem, unë i kam respektuar, unë kam marrë lekët. Edhe ata janë kënaqur edhe unë jam kënaqur”, tregon Duna.

Lirinë e saj, Duna dëshiron ta përcjellë si mesazh dhe për të gjitha gratë, të cilat nuk duhet asnjëherë të nënvlerësojnë fuqinë e tyre.

“Të jenë të lira, të mos jetojnë me droje, në fund më të mençme janë gratë se burrat, pavarësisht se burrat mund të jenë më të fortë fizikisht, por inteligjencën më të madhe e kanë gratë”, thotë burrnesha e Kelmendit.

Të ndjerit i lirë në shpirt e në zgjedhje për të qenë i tillë është një ndjesi e bukur, që jo të gjithë munden ta realizojnë. Rrugëtimi për ta gjetur lirinë individuale është po aq personal. Por kënaqësia e të ndjerit i shpërblyer për vendimet që të sjellin lirinë është e pashlyeshme.

Ndaj, pavarësisht formës e emërtimeve që i japin zakonet e kohërave të vjetra dhe të sotme, liria fryn edhe këtu në Lëpushë, në bujtinën e Dunës dhe të gjithave grave të tjera që arrijnë të marrin vendime të guximshme, edhe pse ndoshta jo shume të pëlqyeshme për kohën kur forca dhe liria duhet të ishte e barabartë mes grave dhe burrave.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Kush mendoni se mund ta marrë drejtimin e Rithemelimit nëse Berishës i caktohet masa “Arrest në shtëpi”?
×