Punimet për rindërtimin e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Durrës filluan pas shembjes së ndërtesës së vjetër nga tërmeti i vitit 2019.
Gjatë gërmimeve në kantier, u zbuluan struktura arkeologjike të rëndësishme që përfshinin mbetje dhe artefakte të vjetra, duke detyruar ndalimin e punimeve dhe ndjekjen e një procedure të re për konservimin e gjetjeve. Si pasojë e reshjeve të vazhdueshme janë vënë në rrezik artefaktet e gjetura.
Sipas specialistit të fushës, Artan Kacani prania e ujit dëmton jo vetëm arkeologjinë, por rrit edhe erozionin. Në të njëjtën kohë dëmton edhe shtratin e kantierit, duke rrezikuar edhe vetë banorët e zonës.
“Ajo çfarë shohim rreth e përqark është vazhdimisht një proces i erozionit që fillon nga sipër vendbanimit të kodrës, ku ndodhen shumë pallate dhe ndërtesa. Dyshemeja, në të cilën ndodhemi këtu, është e krisur. Erozioni është një proces i cili do të vazhdojë gjithmonë e më tepër, për sa kohë ndërtimi do të jetë i zbuluar dhe nuk do të ketë asnjë lloj sistemi të drenazhimit të ujërave dhe të kullimit të tyre drejt një vendi më të dedikuar”, tha Kacani.
Urbanisti thekson se erozioni dhe mungesa e sistemeve të dranazhimit janë faktorët që po ndikojnë negativisht në territor.
“Në këtë infrastrukturë dhe kantier, secili aktor ka bërë punën e tij. Ajo që duhet është kopsitja gjithmonë e më tepër me një përgjegjshmëri më të lartë të institucionit publik, siç është bashkia, e cila duhet të fillojë të marrë masa imediate për sa i takon kullimit të ujërave, njëkohësisht sigurimit të banorëve që ndodhen rreth e përqark kantierit”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, IKTK (Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore) është në fazën e konservimit të këtyre gjetjeve arkeologjike, të cilat më pas do të depozitohen pranë Muzeut Arkeologjik të qytetit. E gjithë kjo situatë ka kushtëzuar edhe ndërtimin e shkollës që duhej të rindërtohej në këtë sipërfaqe.
Fati i këtij objekti arsimor ka mbetur peng deri në marrjen e një vendimi, nëse zbulimet arkoelogjike do të integrohen në ndërtimin e ri apo nëse kjo sipërfaqe do të kthehet në një sit arkeologjik, duke e ndërtuar gjimnazin në një tjetër hapësirë.
LEXONI GJITHASHTU:
- Flamingot rikthehen në Lagunën e Nartës, duke i shtuar hijeshinë zonës
- Nesër Fitër Bajrami, Kreu i Komunitetit Mysliman uron besimtarët: Falja është virtyt