Në Bashkinë e Sarandës është ngritur një shqetësim serioz mbi mungesën e vendeve për varre, i cili është trajtuar në një emision investigativ.
Sipas këtij investigimi, dy agjenci funerale në qytet dyshohet se hapin dhe rezervojnë varre pa pasur viktima, duke përfituar nga kjo praktikë kundrejt një shume të konsiderueshme parash.
Kjo situatë vjen pasi ndalimit të varrimeve në varrezat e vjetra të qytetit, pasi janë mbushur me varre, por aktualisht po vazhdojnë të hapen gropa për varre të rezervuara për emra fiktivë.
Pas transmetimit të emisionit investigativ të mërkurën, ka pasur një reagim të shpejtë nga Policia e Sarandës, ku këtë të enjte ajo ka nisur procedimet penale ndaj tre personave të dyshuar për abuzime me varrezat publike.
Tre persona janë identifikuar dhe janë akuzuar për shkelje ligjore, përfshirë korrupsion dhe shpërdorim të detyrës:
- Th. M., 38 vjeç, dhe F. B., 65 vjeçe, administratorë të dy agjencive funerale, akuzohen për korrupsion pasiv në sektorin privat dhe pushtim të tokës.
- Romeo Skëndaj, 51 vjeç, ish-drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Sarandë, akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe korrupsion pasiv.
Procedimi penal për këta shtetas nisi pas publikimit të një videoje të një emisioni investigativ ku trajtoheshin raste të abuzimeve në ofrimin e varrezave publike, duke ngritur dyshime për veprime të kundërligjshme dhe mosveprime nga ana e punonjësve të Bashkisë Sarandë.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
LEXONI GJITHASHTU:
- Nën hetim për korrupsion, pezullohet nga detyra drejtuesi i Prokurorisë Sarandë
- U bë shkak për konfliktin e dhunshëm në Sarandë, 30 ditë burg për Izet Abazajn