English

Eksodi i talenteve, sportistët e shohin “peshë të rëndë” mungesën e mundësive për sukses në Shqipëri

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Eksodi i profesionistëve, një plagë e vjetër për shoqërinë shqiptare, vazhdon të prekë jo vetëm mjekët por edhe sportistët.

- Advertisement -

Përse talentet në sport nuk e shohin Shqipërinë një vend nxitës për të ardhmen e tyre? Emisioni Ilva Now në Euronews Albania ofroi dëshmi nga disa sportistë me të ardhme premtuese të cilët kanë zgjedhur largimin ose po e mendojnë atë.

E ftuar në emisionin “Ilva Now”, talentja shqiptare e sportit të Kickbox, Joana Kiptiu, tregon se si Edhe pse dëshira dhe vullneti për ta zhvilluar karrierën e tyre sportive nuk mungon, në Shqipëri e kanë të pamundur të gjejnë kushtet për të vazhduar, ndërsa në vende të tjera perëndimore kanë gjetur institucione që e vlerësojnë disiplinën e tyre dhe ofrojnë mbështetje.

Joana Kiptiu, një sportiste nga Korça, ka 5 vite që ushtrohet në disiplinën e Kickbox dhe May Thai. Stërvitja e saj është rigoroze dhe përfshin 2-3 orë ushtrime çdo ditë, dhe rezultatet e arritura deri tani kanë qenë mjaft pozitive. Nga 10 ndeshje në total, nëntë i ka fitore, madje dhe me knockout.

“Kam 10 ndeshje, 9 i kam fitore, 4 i kam fituar me Knockout dhe 1 mund të them që e kam humbur por e kam humbur me pikë”, thotë Joana në “Ilva Now”.

Përkushtimi i plotë ndaj kickbox-it ndikon edhe në aspekte të tjera të jetës së saj.

“Përderisa merrem me këtë sport, nuk kam shumë shoqëri, merrem vetëm me stërvitje. Vetëm familjen kam shokë. Çdo sportist me goditje të rënda, për këtë stërvitet dhe trupi, muskuli ynë është mësuar”, thotë ajo teksa tregon shenjat në trup.

Pavarësisht se bëhet fjalë për një sport luftarak dhe me një intensitet të lartë përplasjesh dhe goditjesh e ëma, Anxhela, nuk trembet nga përballjet e së bijës në ring. Luftëtarja e re ka mbështetjen e gjithë familjes dhe e ëma beson që e bija ka një të ardhme premtuese në sport.

“Mendoj që Joana do ndeshet në eventimente më serioze, evenimente më të mëdha, dhe derisa ajo e ka ëndërr, unë do e mbështes në çdo vend”, thotë mamaja.

Por kushtet e Joanës për t’u ndeshur dhe për t’u përgatitur në Shqipëri janë të kufizuara ndërsa mundësitë në Itali janë shumë më të mëdha. Pavarësisht talentit të saj ajo thotë se nuk është mbështetur nga asnjë institucion dhe dëshiron të largohet nga Shqipëria.

“Kushtet për t’u stërvitur, sepse unë nuk është se kam palestër në Shqipëri, vetëm në Itali, por edhe kur vij që stërvitem vetë këtu, vij sepse ne jemi me vizë 3-mujorëshe dhe nuk zhvilloj dot shumë ndeshje jashtë shtetit. Shteti shqiptar nuk më ka ndihmuar për asnjë lloj gjëje. Mbështetja më e madhe kanë qenë prindërit e mi dhe trajnerët e mi, gjithmonë.”

E ëma thotë gjithashtu se e sheh të ardhmen e të bijës është jashtë vendit.

“Këtu në Shqipëri nuk ka të ardhme. Faleminderit atyre trajnerëve që i kanë dhënë dorë vajzës time që e ndihmuan të dilte jashtë në Europë dhe pretendojmë përse jo edhe në botë.”

Në mungesë të kushteve dhe mbështetjes së nevojshme, kufizimet 3 mujorëshe të qëndrimit në zonën Schengen, janë e vetmja pengesë që e mban Joanën ende në Shqipëri.

Ermal Hadribeaj është një tjetër sportist i talentuar që ka pasur rezultate të shkëlqyera në Shqipëri, por që mbështetjen e duhur për t’u rritur profesionalisht e ka gjetur vetëm në SHBA. Ai tregoi historinë e suksesit të tij në SHBA në një lidhje të drejtpërdrejtë në studion e “Ilva Now”

Ermali thotë se do të kishte qenë mes i kënaqur po të kishte pasur mundësinë të vazhdonte diçka në Shqipëri e për t’u ndeshur në Europë, por situata e detyroi të jetojë në SHBA, ku pas një viti me stërvitje intensive arriti të ketë ndeshjen e tij të parë.

“Unë jam këtu në Majemi dhe ka qënë shumë e vështirë për mua. Profesori im këtu është Italian, Donaco. Ai më ka mbështetur shumë, ka qënë besnik ndaj talentit tim. Në ndeshjen e fundit arritëm të dukeshim tamam si profesionist i vërtetë i boksit. Çdo gjë që është dashur të bëhet e kam bërë nga vetja ime, pagesat dhe çdo gjë tjetër, sepse këtu ka mundësi të punosh dhe të bësh më shumë para. Kjo më bëri që t’i përballoj të gjitha këto. Akoma nuk kam një sponsor që të më mbështesë nga ana financiare por krijova besim te trajneri, krijoi besim te unë, tani kam menaxher, stërvitem në palestrat më të njohura këtu, ku vijnë shumë njerëz të famshëm nga e gjithë bota si p.sh Adriana Lima, boksierë të njohur që ndeshen këtu në Amerikë, kampionë të ndryshëm”, thotë ai.

Ndërsa Kristjan Demajaj, një tjetër talent shqiptar nga Shkodra, u lidh drejtpërsëdrejti me “Ilva Now” nga Gjermania, vendin ku ka lindur e ku vazhdon të jetojë. Ai u kthye për disa kohë në Shqipëri e madje pati sukses këtu, por më pas vendosi të largohej sërish.

“Unë kam qënë i vetmi në familjen time që nuk kam dashur kurrë të largohem nga Shqipëria por erdhi situate e tillë kur u detyrova në një formë apo tjetrën të largohem. Nuk ishte dëshirë që të largohesha. Guri i rëndë peshon në vendin e vet! Mund t’ju njoh me një histori të shkurtër ku nga 11 herë kampion kombëtar, për disa vite me radhë ndër sportistët më të mirë të Shkodrës m’u ofrua një vend pune sepse u vlerësova nga ana sportive dhe jo nga ana partiake sepse e gjithë jeta ime ka qenë vetëm sport. Atëherë mendova me vete që vlerat u vlerësokan në Shqipëri. Pas rotacionit të zakonshëm erdhi momenti që u shkarkova nga puna sepse u dashka të ishe anëtar dhe jo sportist me vlerë dhe aty arrita të kuptoja që vlerat nuk vlerësohen dhe nuk kisha në mendje të shisja 43 medalje, 11 trofe dhe 11 tituj kampion kombëtar e të konvertoja gjakun dhe djersën time prej 15 viteve me radhë në një epitet që quhet “anëtar”. Kështu që, aty ndodhi dhe shkëndija që plotësova formularët në ambasadën gjermane, nuk vonuan shumë dhe bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët u larguam nga vendi,” thotë ai në lidhjen e drejtpërdrejtë me “Ilva Now”.

Demajaj thotë se vështirësitë vazhdojnë edhe në Gjermani, ku ia bënë të qartë që nuk do të lejohet të mbajë flamurin shqiptar në ring, për arsye marketingu, por ai këmbënguli duke thënë se mbajtja e simboleve kombëtare ishte e panegociueshme.

“U thashë që jo vetëm do e kisha mbi shpatulla gjatë hyrjes në ring, por në ring do të këndohet edhe himni kombëtar sepse ringu, salla dhe Gjermania do të flasin shqip ose përndryshe anuloj ndeshjen dhge nuk marr pjesë. Nuk vonuan shumë dhe e ndryshuan idenë e tyre”, thotë ai, teksa thekson se çdo ditë e mendon kthimin në Shqipëri, dhe se dëshira për ta bërë këtë është e madhe”, thotë boksieri nga Shkodra.

Shqipëria duket se nuk është toka e premtuar për shumë sportistë në vendin tonë të cilët e shohin të ardhmen e tyre në ngjyrat e një tjetër flamuri. Nga sportet kolektive tek ato individuale, rastet nuk mungojnë. Sahit Prizreni në të shkuarën la flamurin shqiptar për atë australian. Suksesi nuk i mungoi si kuq e zi por gjeti mbështetje dhe kushte më të mira përtej Oqeanisë.

Elis Guri është një tjetër mundës që ka zgjedhur të garojë për Bullgarinë. Edhe në sportin e peshëngritjes gjithashtu ka raste kur sportistët janë ndjerë më mirë si përfaqësues të një shteti tjetër.

Romela Begaj ka vijuar të ushtrojë sportin e peshëngritjes në Kanada prej pak kohësh. Në boks kemi rastin e Kristian Demajt i cili ka lindur në gjermani, u rikthye në Shqipëri e sërish u kthye të boksojë për një klub gjerman.

Në futboll rastet janë të shumta, ku emra si Xaka, Shaqriri, Berami apo Durmishaj kanë zgjedhur kombëtare të tjera para asaj të Shqipërisë.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?