Petro Piti, një 25-vjeçar nga Ura Vajgurore në Berat, ka ndërruar jetë tragjikisht mbrëmjen e djeshme teksa udhëtonte në aksin Lushnjë-Berat. Pranë fshatit Kashtbardhë, Petro ka konstatuar në rrugë një traktor pa drita dhe është përpjekur të frenojë.
Autoboti me karburant që i përkiste biznesit të familjes së tij ka frenuar për disa metra aq sa është çarë dhe asfalti, por për shkak të ngarkesës që e shtynte përpara mjeti nuk ka mundur të ndalet.
Edhe 25-vjeçari e ka parë shumë vonë mjetin bujqësor që kishte ndaluar buzë rrugës, pa asnjë dritë të ndezur, dhe nuk ka pasur mundësi tjetër reagimi. Duke menduar të mos përplaste shoferin e traktorit, Petro Piti e ka drejtuar autobotin në kanal.
Fatkeqësisht, përplasja ka qenë e fortë dhe për shkak të pjerrësisë së rrugës nga kanali pranë saj, autoboti me karburant është përmbysur dhe i riu ka qëndruar për rreth një orë i bllokuar. Banorët e zonës, kalimtarët e rastit dhe forcat zjarrfikëse kanë bërë të pamundurën për ta nxjerrë. I riu është dërguar me urgjencë në spital, por minuta më vonë Policia ka bërë me dije se ai kishte ndërruar jetë.
Fatmir Hasho, ekspert i sigurisë rrugore tha në emisionin People në Euronews Albania se shkaktar për vdekjen e 25-vjeçarit është drejtuesi i traktorit që ndaloi gabim.
Ai u shpreh se aksidentet me mjete bujqësore janë shumë të shpeshta në këtë zonë, pasi këto të fundit qarkullojë në rrugët kryesore pa asnjë lloj ndriçimi.
“Zona Lushnje, Berat, Fier ka me dhjetëra raste të tilla të aksidenteve rrugore për mjete bujqësore me apo pa motor, ta cilat nuk kanë asnjë lloj ndriçimi dhe ecin në rrugët kryesore. Ky është një problem shumë i madh dhe këtu duhet të synojmë sot për të nxjerrë shkaqet pse ndodhi ky aksident”, tha eksperti.
LEXONI GJITHASHTU:
- Aksident në Lushnjë! Autoboti përplaset me mjetin buqësor humb jetën shoferi
- Aksident në aksin Librazhd- Përrenjas, përplasen dy makina, dyshohet për të plagosur