Gazetarja e Euronews Albania, Ortensa Budlla, ka ndarë përjetimet e saj nga pjesëmarrja në një konferencë ndërkombëtare për sigurinë kibernetike, e zhvilluar në Talin të Estonisë, një prej shteteve më të avancuara në botë për teknologjinë dhe qeverisjen digjitale.
Budlla përshkruan sesi një vend me vetëm 1.3 milionë banorë është shndërruar në një model global të transformimit digjital dhe inovacionit.
Përmes përvojës, ajo sjell për lexuesin një vështrim të drejtpërdrejtë mbi arritjet teknologjike të Estonisë dhe mësimet që vende si Shqipëria mund të nxjerrin prej tyre.
Shkrimi i plotë:
Kur në fillim më ftuan për të shkuar në Estoni, në Tallinn, për të ndjekur një konferencë për sigurinë kibernetike, më duhet ta pranoj, e para gjë që bëra ishte të hapja Google për të mësuar diçka më shumë mbi këtë vend.
Artikujt që lexova më pas, ishin njëri më surprizues se tjetri. Por të gjithë kishin një togfjalësh të përbashkët: “Estonia, vendi i parë.”
U bëra kurioze dhe nisa t’i lexoj me radhë. Një faqe fliste për qeverinë digjitale (e-Government), një sistem tërësisht online të administratës publike, ku mbi 99% e shërbimeve janë të aksesueshme 24/7, përfshirë këtu regjistrimin e lindjeve, e deri tek përshkrimi i medikamenteve!
Nuk më duhej shumë për të kuptuar se ky shtet i vogël me vetëm 1.3 milionë banorë ishte i pari në botë për teknologjinë dhe sigurinë kibernetike.
Duke ardhur nga një vend si Shqipëria, ku arritjet teknologjike janë ende në zhvillim, nuk mund të mos e krahasoja veten. Nisa rrugën për në Tallinn me shumë pyetje: Si ia kanë dalë? Si funksionon një shtet i tillë? Dhe deri ku synojnë të shkojnë?
Impresionet e para? Rrugë të pastra, ndërtesa historike por funksionale, dhe një atmosferë e qetë, mendimet e mia vetëm sa shtoheshin.
Konferenca mbahej pikërisht në një ambient që në dukje dukej i vjetër, por në fakt ishte pjesë e lagjes moderne Noblessner në Tallinn. E organizuar nga Akademia e Qeverisjes Digjitale të Estonisë (eGA) me mbështetjen e qeverisë estoneze dhe partnerëve ndërkombëtarë, ngjarja mblodhi mbi 500 pjesëmarrës fizikisht dhe qindra të tjerë online.
Të gjithë me një qëllim, ndërtimin e infrastrukturave digjitale, përdorimin etik i inteligjencës artificiale në administrate si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shteteve për një të ardhme më të hapur dhe më të sigurt
Në mendjen time, vijonin krahasimet me Shqipërinë. Ishte fantastike dhe e paimagjinueshme, të shihje një konferencë ku zhvilloheshin mbi 70 sesione në të njëjtën kohë, dhe nuk humbisje asgjë. Mjaftonte një palë kufje, zgjidhje temën që doje dhe voilà, çdo gjë tjetër pushonte së ekzistuari.
Teksa eksploroja sallat, dikur në një ekran dallova emrin “Shqipëri”. Pyetja e parë që më erdhi në mendje: “Ku i gjetët të dhënat?” Një pyetje që mund të dukej naive… por për ta në Estoni ishte thjesht e çuditshme që kjo të vihej në dyshim.
Emocionuese ishte të shikoja që eGA ka qëllime të qarta për Shqipërinë. E dinit që janë planifikuar 1.6 milionë euro për sigurinë kibernetike pas sulmeve që patëm vitin e kaluar? Unë jo. Dhe ndoshta pikërisht kjo ka qenë nxitja për më shumë se 20 projekte në Ballkan.
Çdo ditë në Estoni sillte nga një “wow” të ri. A e dinit që me kartën dixhitale të identitetit, në Estoni mund të nënshkruaje dokumente elektronikisht, të kishe akses në çdo shërbim publik apo privat, apo të kryeje transaksione bankare, madje madje, edhe të votoje online.
Prisni se ka akoma. Nga shtatori i këtij viti, 2025, Inteligjenca Artificiale do të ishte pjesë e shkollave. Në fakt, fëmijët në Estoni mësojnë programim dhe teknologji që në moshën 7-vjeçare. E gjitha kjo për të përgatitur një gjeneratë të gatshme për tregun digjital.
Por qershia mbi tortë ishte shtetësia digjitale (e-Residency). Ishte një program që lejon sipërmarrës nga e gjithë bota të regjistrojnë një biznes në Estoni dhe të operojnë globalisht pa qenë fizikisht atje. Deri tani, mbi 100,000 persona nga 170+ vende kanë aplikuar për këtë status.
Kanë qenë 5 ditë fantastike në një vend të vogël baltik që është shndërruar në një superfuqi digjitale. Për të mos i mbetur hatri, nuk mungonte edhe një humor i thjeshtë, modest, por krenar në të njëjtën kohë. E fundja, pse të mos ishte kështu? “Dixhitalizohu, ose qëndro në radhë.”
Bye, Estonia, shpresoj të shihemi përsëri!