Europa përgjigje SHBA-ve: Afati i 2027-ës për të marrë drejtimin e NATO-s jorealist

7 Dhjetor 2025 | 08:12

Uashingtoni ka shkaktuar reagime të forta në kryeqytetet europiane pas publikimit të dokumentit të ri të strategjisë amerikane të sigurisë kombëtare, ku kërkohet që Europa të marrë plotësisht mbi vete barrën e mbrojtjes deri në vitin 2027. Kërkesa është cilësuar në BE si “krejtësisht jorealiste”, ndërsa përshkrimi i BE-së në raportin amerikan si një kontinent në “rënie” është vlerësuar nga shumë kryeqytete si “fyes dhe i rrezikshëm”.

Komisioni Europian zgjodhi një ton të përmbajtur. Një zëdhënëse e institucionit deklaroi se Komisioni “sapo ka marrë dijeni për publikimin e raportit” dhe se “do të shprehet zyrtarisht sapo dokumenti të shqyrtohet”.

Reagimi më i menjëhershëm erdhi nga Berlini. Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, tha se tema të tilla si liria e shprehjes dhe funksionimi i shoqërive të lira “nuk mund të diskutohen nga Uashingtoni”.

“Askush nuk ka pse të na japë këshilla për çështje që rregullohen qartë nga kushtetutat tona”, u shpreh ai.

Edhe rrethet pranë presidentit francez Emmanuel Macron reaguan ashpër, duke shprehur “shqetësim të thellë” për deklaratat e administratës amerikane. Grupi i tij politik në Parlamentin Europian, Renew Europe, kritikoi dokumentin duke thënë se ai “dobëson unitetin perëndimor përballë agresionit rus” dhe “shpërfill sakrificat që Europa bën çdo ditë për mbrojtjen e sigurisë demokratike”.

Valérie Hayer, kryetare e Renew, e cila sapo është kthyer nga një vizitë në Uashington, deklaroi se ka vënë re “një hendek të madh mes Shtëpisë së Bardhë dhe ligjvënësve amerikanë”. Sipas saj, “presidenti Trump po izolohet nga ekspertët e tij dhe mbështetet te një rreth i ngushtë këshilltarësh”.

Eurodeputetja socialiste belge Kathleen Van Brempt deklaroi se SHBA “nuk po sillet si aleate” dhe i bëri thirrje BE-së “të mos lejojë më presionet e Trump”.

Ndërsa kandidati francez për presidencën, Raphael Glucksmann, tha se dokumenti tregon se Trump “përçmon BE-në, mbështet ekstremet e djathta dhe nuk do të ndërmarrë asnjë veprim për të ndihmuar Europën kundër Putinit”.

Sipas burimeve të Reuters, SHBA i ka kërkuar aleatëve të marrin kontrollin e shumicës së kapaciteteve konvencionale të mbrojtjes. Burime diplomatike brenda BE-së theksojnë se Europa po rrit shpenzimet ushtarake, me objektivin që vendet anëtare të arrijnë nivelin 3.5% të PBB-së deri në vitin 2035, si dhe një rritje shtesë prej 1.5% për investime të tjera të lidhura.

“Edhe afati i vitit 2030 është sfidë e madhe për ne”, tha burimi. “Të kërkosh një transformim të plotë brenda dy viteve është thjesht jorealiste.”

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Përfundon me një të vdekur pengmarrja në një bankë në Gjermani, arrestohet autori

Situata e pengjeve në Regensburg të Gjermanisë ka përfunduar. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar, një 20-vjeçar gjerman, pas një operacioni të gjerë në perëndim...
18:26 | 23/07/2026

Trump: SHBA do ta mbajë Iranin përgjegjës nëse Huthitë sulmojnë anijet

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi se Uashingtoni do ta mbajë Iranin përgjegjës nëse rebelët Huthi të Jemenit vazhdojnë sulmet ndaj anijeve tregtare. Në një...
17:55 | 23/07/2026

Nafta kalon 100 dollarë për fuçi, tensionet në Lindjen e Mesme tronditin tregjet

Çmimet e naftës së papërpunuar arritën në 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga muaji maj, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen...
17:36 | 23/07/2026