Në filmin e tij të fundit, ‘Një shtëpi e ndërtuar nga copëzat’, producenti danez Simon Lereng Wilmont fokusohet tek strehimi i përkohshëm për fëmijët e lënë vetëm në Liziçansk, në lindje të Ukrainës.
Bëhet fjalë për një portret të jetës së tyre, mbi marrëdhënien me fëmijët e tjerë, familjen dhe punonjësit socialë.
Wilmont është fituesi i çmimit ‘Golden Alexander’ në 2018, me dokumentarin e vlerësuar ‘Klithma e largët e qenve’, e tashmë mbërrin në Selanik me filmin e ri për lindjen e Ukrainës.
Ai merr pjesë në garën për filmat me metrazh të gjatë, në Festivalin e Filmit në Selanik.
“Kjo zonë e veçantë e Ukrainës është shumë pranë vijës së frontit. Shoqëria atje është ndodhur nën presion nga lufta që zgjat prej 8 vjetësh. Natyrisht, atje ka pasoja më afatgjata, që në pamje të parë mund të mos duken. Por burimet po thahen, njerëzit po humbasin punën, nuk ka mjaftueshëm para’, papunësia është në rritje dhe njerëzit humbasin shpresën. Dhe nëse nuk mund të largohesh, atëherë mund të fillosh pijen ose dhunën në familje. Nga këto familje vijnë këta fëmijë”, thotë Simon Lereng Wilmont.
Në përfundim të xhirimeve, regjisori i filmit mbajti kontaktet me stafin e qendrës së strehimit. Madje, ai i ndihmoi fëmijët me psikologë dhe i mbështeti ata. dita e parë e pushtimit rus ishte dhe dita kur fëmijët dhe disa të rritur hipën në një tren dhe u dërguan në perëndim të Ukrainës. ata janë të sigurt për momentin, por cili është opinioni i regjisorit për pushtimin?
“Është e tmerrshme. Është si pushtimi i një vendi sovran. Nuk shoh arsye përse Putin e donte diçka të tillë, por është e tmerrshme. Ka shumë tragjedi, shumë humbje jete, prandaj them se situata është e frikshme. Ajo që di është se Ukraina ka plot njerëz të mirë, të cilët edhe pse janë në situata të vështira, dinë si të përballen me to. Shpresoj që ta marrin sërish dhe sa më shpejt vendin e tyre”, u shpreh Wilmont.
‘Një shtëpi e ndërtuar nga copëzat’, e Simon Lereng Wilmont u shfaq në Festivalin e Filmit Sundance. Në muajt e ardhshëm, ai do të shfaqet në festivale të ndryshme nëpër botë.