I ftuar në emisionin Review në Euronews Albania, gazetari Sebastjan Zonja ka treguar detaje të rëndësishme mbi dinamiken e protestave në Serbi.
Ai shpjegoi ngjarjet që çuan në shpërthimin e këtyre protestave, duke nisur nga shembja e stacionit hekurudhor në Novi Sad.
Zonja tregoi se si një pedagog i inxhinierisë zbuloi incidentin pasi kishte dokumentat e plota dhe kishte paralajmëruar përpara se ngjarja të ndodhte.
Sipas gazetarit, pedagogu kishte bërë një oponencë të punimeve të reja në këtë stacion, duke shprehur shqetësimin se puna nuk po kryhej sipas standardeve.
Megjithatë, në fillim, ai u sulmua dhe u lincua, por më pas, me shpërthimin e protestave studentore, të cilat kanë vazhduar deri në ditët e sotme, e vërteta e tij filloi të dilte në dritë.
“Protesta më e madhe historike në Ballkan, ku analistët thonë se janë mbledhur nga 400 deri në 500 mijë vetë në Beograd. Kërkesa kryesore ishte të dihej se çfarë kishte ndodhur në këtë stacion, i cili sapo ishte rindërtuar. Sipas mediave serbe, vetëm për të pastruar xhamat e stacionit janë shpenzuar 50 mijë euro”, tha Zonja.
Gazetari thekson se stacioni ishte rikonstruktuar nga një kompani kineze që kishte nënkontraktuar një kompani serbe, dhe kjo kompani kishte punësuar një tjetër firmë të tretë. Sipas Zonjës, deri në momentin kur pedagogu i inxhinierisë doli për të shpallur të vërtetën, askush nuk kishte folur për problemet që kishte krijuar ky projekt.
“Stacioni sapo ishte rikonstruktuar nga një kompani kineze, e cila kishte nënkontraktuar një kompani serbe, ndërsa kjo e fundit kishte angazhuar një tjetër kompani. Deri në momentin kur një pedagog i inxhinierisë doli dhe shpalli të vërtetën se ai kishte paralajmëruar teknikun për rrezikun duke u thënë se kjo tendë që po bëni nuk do të mbahet nga kjo kolonë që keni ngritur. Pedagogu u sulmua me fyerje dhe kërcënime, dhe disa madje e etiketuan si pjesë e agjendave të jashtme. Por ai nuk u tremb dhe vazhdoi të mbrojë të vërtetën. Ata menduan se flet kot, por ai kishte dokumentat që vërtetonin se çfarë kishte ndodhur. Pas kësaj, qytetarët dolën në rrugë dhe kërkuan transparencë, ndërsa presidenti Vuçiç u përgjigj se do të ndërmerrte disa veprime, duke përfshirë shkarkimin e ndonjë ministri apo zytari. Por, pasi drejtësia nuk po funksiononte siç duhej, protesta vazhdoi të merrte përmasa të mëdha”, tha Zonja.
Protestat e qytetarëve morën një dimension tjetër kur filluan të bashkoheshin edhe familjarët e viktimave që kishin humbur jetën për shkak të shembjes së stacionit hekurudhor. Këto protesta e bënë të qartë se pa mbështetje nga familjarët dhe të dëmtuarit, nuk mund të kishte legjitimitet të plotë.
Studentët, gjithashtu, u angazhuan në protestë duke bojkotuar universitetet. Sipas gazetarit, “deri në 60-70% e studentëve u përfshinë në bojkot, duke paralizuar jetën studentore në Serbi duke u mbledhur në asamble ku çdo universitet kishte përfaqësues dhe mund të merrte pjesë në vendimmarrje për mënyrat e protestave.
“Të gjithë familjarët e personave që humbën jetën në këtë ngjarje tragjike iu bashkuan protestave, duke i dhënë legjitimitet të plotë lëvizjes. Pa praninë e tyre, protesta nuk do të kishte të njëjtin peshë. Në çdo qytet, qytetarët dilnin në orën 11 të paradites dhe mbanin një minutë heshtje për të nderuar të ndjerët. Sipas sondazheve, nga 6 deri në 7 milionë banorë që ka aktualisht Serbia, 80% e tyre mbështesin protestat dhe janë kundër anëtarësimit në Bashkimin Europian, kundër NATO-s, dhe janë pro Rusisë dhe Kinës, tha gazetari.
LEXONI GJITHASHTU:
- Çfarë po ndodh në Beograd? Goxhaj: Nëse Serbia mbështet Dodik atëherë edhe ne..
- “Qytetarët të tërhiqen”, Studentët në Beograd njoftojnë mbylljen e protestës