Gazetarja shqiptare në Itali: Si u zbulua vrasja e Ilaria Sulës nga filipinezi

2 Prill 2025 | 18:11

Gazetarja shqiptare në Itali, Alba Kepi, ka folur për shqiptaren Ilaria Sula, e cila u vra nga ish-i dashuri filipinas, Mark Samson.

Gjatë një interviste për emisionin “People” në Euronews Albania, gazetarja Kepi ka treguar detaje mbi familjen e vajzës, jetën e saj në Itali, dhe mënyrën sesi policia italiane arriti të zbardhte ngjarjen, pasi siguroi rrëfimin e autorit.

Kepi tha se Ilaria ishte lindur në Itali nga prindër shqiptarë emigrantë dhe duke qenë se studionte në Universitetin e La Sapienzas, jetonte me shoqet e saj të shkollës në Romë.

“Kemi të bëjmë me një femicid, një vrasje e radhës e një vajze shqiptare nga një familje emigrantesh, por Ilaria ka lindur dhe është rritur në Itali. Ajo ishte 22 vjeçe dhe pjesë e emigranteve shqiptare që kanë lindur dhe janë shkolluar në Itali. Ajo konsiderohet shtetase italiane, pasi sipas ligjit italian, ata që kanë lindur dhe janë rritur në Itali, dhe që kanë kaluar moshën 18 vjeç, mund të marrin shtetësinë”, tha ajo.

Momentet e humbjes së kontakteve të Ilarias me familjen dhe shoqet e saj

“Prej datës 25 mars, rreth orës 21:30, Ilaria Sula u konsiderua person në kërkim, pasi nuk po përgjigjej në telefonat e familjarëve dhe shoqeve të saj, me të cilat ndante apartamentin në zonën ku jetojnë studentët në Romë. Hetuesit italianë nisën hetimet dhe zbuluan se Ilaria ishte një vajzë e thjeshtë, në vitin e tretë në degën e statistikave në Universitetin La Sapienza. Babai i saj, Flamuri, kishte një firmë ndërtimi, ndërsa nëna ishte shtëpiake. Familja e saj jeton në Lacio, por Ilaria, pasi ishte studente, jetonte me shoqe të tjera në Romë”, tha gazetarja Kepi.

Marrja në pyetje e 23-vjeçarit filipinas dhe rrëfimi i tij

“Mark Samson, 23 vjeç, ka pranuar gjithçka që ka ndodhur, pas marrjes në pyetje gjatë disa orëve në komisariatin e San Lorenzos në Romë. Ai ka rrëfyer se ka reaguar pas një sherri të dhunshëm që pati me Ilarian, dhe pas vrasjes së saj, e ka futur trupin në një valixhe dhe e ka transportuar 40 kilometra larg me automjetin e tij. Kjo vrasje ka shkaktuar një reagim të fortë në Itali dhe një solidaritet të gjithanshëm”, tha Kepi.

Çfarë tha vëllai i Ilarias

“Vëllai i Ilaria-s ka deklaruar se e njihte Mark Samson dhe se lidhja e tyre kishte përfunduar, por duket se filipinasi nuk e ka pranuar ndarjen. Shoqet e Ilaria-s rrëfyen se ajo mori disa mesazhe në Instagram dhe zbriti poshtë për disa minuta, por nuk u kthye më”, shpjegoi gazetarja.

Dëshmia e autorit

“Mendoj se Mark Samson është një djalë nga një familje emigrantësh që jetojnë dhe punojnë në Romë, dhe duke qenë se e njihte vëllai i Ilaria-s, ata mund të kishin miq të përbashkët. Ai ka rrëfyer se e ka vrarë Ilarian në apartamentin e tij në lagjen Afrikano të Romës, një lagje e mirë, e frekuentuar nga shtresa të mesme dhe të larta. Autori ka treguar se e ka vrarë vajzën me thikë. Aapartamenti është vënë nën sekuestro dhe janë mbledhur prova për rastin. Hetuesit po punojnë për të gjetur telefonin e Ilaria-s, pasi sipas dëshmisë së tij, ai ka thënë se e ka hedhur në një pus. Mendohet se ai ka përdorur telefonin e saj pas vrasjes për të humbur gjurmët dhe për të inskenuar diçka të ndryshme, duke krijuar përshtypjen se Ilaria ishte larguar në mënyrë vullnetare dhe kishte humbur gjurmët, duke postuar story në Instagram pas vdekjes së saj. Me këtë veprim, ai kishte si qëllim që familjarët të mendonin se ajo ishte ende gjallë”, tha Kepi.

Arma e krimit nuk është gjetur ende

“Arma e krimit nuk është gjetur ende, por mendoj se profesionalizmi i policisë ka qenë i lartë, duke mundësuar rrëfimin e autorit të ngjarjes. Në shumë raste, autorët nuk pranojnë krimin, por në këtë rast ishte shumë e rëndësishme që policia e San Lorenzos e bëri të mundur që filipinezi të rrëfehej dhe të pranonte krimin. Mendohet se Mark Samson ka vepruar i vetëm dhe nuk ka pasur bashkëpunëtorë”, tha Kepi.

Shkaqet e ngjarjes

“Fakti se ndoshta nuk ka pranuar ndarjen nga ajo ose diçka tjetër janë dyshimet kryesore që lidhen me këtë vrasje. Ky rast më kujton ngjarjen e vitit 2020 të çiftit Pasho, ku autori i krimit ishte një person i afërt me familjen, ish-e fejuara e djalit të tij që ndodhej në burg”, tha gazetarja.

Ilaria është viktima e 10-të e femicidit për vitin 2025 në Itali

“Ilaria është viktima e 10-të e femicidit që ka ndodhur në Itali nga janari deri më tani për vitin 2025”, tha Alba Kepi.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026