Paneli i Gjykatës Supreme në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e ka hedhur poshtë kërkesën e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, për ulje të dënimit prej 15 vjetësh burgim.
Ky panel – i përbërë nga kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova dhe gjykatësit Christine van den Wyngaert dhe Daniel Fransen – hodhi poshtë edhe ankesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për vendimin e vitit të kaluar të Apelit.
“Paneli konstatoi se Mustafa nuk arriti të identifikojë se si dënimi prej 15 vitesh përbën shkelje të ligjit penal”, thuhet në vendimin e publikuar.
Fillimisht, në dhjetor të vitit 2022, Mustafa ishte dënuar për krime lufte me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Në dhjetor të vitit 2023, Apeli ia kishte ulur dënimin në 22 vjet burgim.
Por, më vonë, më 10 shtator 2024, u tha se Paneli i Gjykatës së Apelit shqiptoi ndaj Mustafës dënim të njësuar prej 15 vjetësh burgim “duke llogaritur dhe kohën në paraburgim”.
“Vendimi ka ndjekur udhëzimet e vendimit të Panelit të Gjykatës Supreme të datës 29 korrik 2024, lidhur me kërkesën e zotit Mustafa për mbrojtjen e ligjshmërisë, i cili anuloi dënimin e zotit Mustafa me 22 vjet burgim dhe ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit”, u tha në njoftim.
LEXONI GJITHASHTU:
- Lista Serbe certifikohet për zgjedhjet e Kosovës, Supremja rrëzon ankimimin e LVV
- Shkup, arrestohet një gjykatës i Gjykatës Supreme, dyshohet për ryshfet