Hetimi i OKB-së: Dronët rusë ndjekin dhe përzënë civilë ukrainas
Rusia i ka ndjekur me dronë civilët që jetojnë pranë vijës së frontit në Ukrainë, duke i përzënë nga shtëpitë e veta, sipas një hetimi të Kombeve të Bashkuara.
Hetimi ka gjetur se Rusia i ka gjahtuar civilët duke i detyruar mijëra njerëz t’i braktisin tërësisht zona të tëra, një veprim që përbën krim kundër njerëzimit.
Raporti i Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar dhe Hetimor për Ukrainën tha se civilët janë ndjekur në distanca të gjata nga dronë me kamera të montuara, dhe më pas janë sulmuar me bomba ndezëse ose eksplozivë derisa po përpiqeshin të strehoheshin.
“Këto sulme janë kryer si pjesë e një politike të bashkërenduar për t’i dëbuar civilët nga ato toka, dhe përbëjnë krim kundër njerëzimit për zhvendosje të detyruar të popullsisë”, thuhet në raportin 17-faqësh që pritet t’i paraqitet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë javë.
Gjetjet e raportit bazohen në intervista me 226 njerëz, përfshirë viktima, dëshmitarë, punonjës ndihme dhe autoritete lokale, si dhe në qindra video të verifikuara online.
Sulmet e përshkruara në raport ndodhën në tri rajone në Ukrainën jugore, pranë vijës së frontit dhe përtej lumit Dnipro, dhe u kryen nga forcat ruse gjatë një periudhe prej më shumë se një viti.
Rusia e mohon se shënjestron civilët në Ukrainë, megjithëse forcat e saj kanë vrarë mijëra civilë qëkurse nisi pushtimi i plotë tri vjet e gjysmë më parë.
Një grua nga Hersoni u ndoq nga një dron në gusht të vitit 2024, derisa po e parkonte veturën, dhe më pas u sulmua e u plagos gjatë përpjekjeve për t’u strehuar në garazhin e saj, thuhet në raport.
Të njëjtën ditë, dy dronë të tjerë arritën dhe goditën shtëpinë e saj, të cilën ajo më pas e braktisi.
Sulmet me dronë kanë shkaktuar një ulje të ndjeshme të popullsisë në disa zona, thuhet në raport, në të cilat kanë mbetur vetëm të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara.
“Nuk mund të ketë asnjë dyshim se operatorët e këtyre dronëve veprojnë me qëllim”, tha për Reuters Erik Mose, udhëheqës i hetimit.
LEXONI GJITHASHTU:
250-vjetori i SHBA-së, Trump shpall 16 ditë festime: Amerika është kthyer
Presidenti zviceran do të vizitojë SHBA-në, kërkon marrëveshje tregtare mbi taksat e Trump
Rubio viziton Bahreinin duke kërkuar mbështetjen e Gjirit për marrëveshjen me Iranin
- 10:55 Kërkesa e PD për mocionin me debat për protestën, Tabaku në Konferencën e Kryetarëve: Dëgjoni zërin e protestuesve
- 10:51 250-vjetori i SHBA-së, Trump shpall 16 ditë festime: Amerika është kthyer
- 10:43 Presidenti zviceran do të vizitojë SHBA-në, kërkon marrëveshje tregtare mbi taksat e Trump
- 10:35 Rubio viziton Bahreinin duke kërkuar mbështetjen e Gjirit për marrëveshjen me Iranin
- 10:17 Tërmetet e njëpasnjëshme në Venezuelë, Von der Leyen shpreh solidaritet për popullin venezuelian
- 10:17 Politikani rus dënohet me 7 vite burg për dy postime në rrjetet sociale kundër luftës