I hoqën sytë dhe organet, vrasja makabre e gazetares ukrainase që u mor peng në Rusi

1 Maj 2025 | 07:30

Rrjeti ndërkombëtar i gazetarisë hulumtuese Forbidden Stories ka zbuluar fundin tragjik të gazetares ukrainase Viktoriia Roshchyna, e cila u mor peng nga forcat ruse në vitin 2023 pranë termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias.

Vetëm në prill të vitit 2024, Rusia konfirmoi zyrtarisht se gazetarja po mbahej peng, ndërsa në tetor të po atij viti, familja e saj mori një njoftim mbi vdekjen e saj, në rrethana të paqarta që nuk specifikoheshin.

Ky moment shënoi nisjen e hetimeve të Forbidden Stories mbi rastin.

Në shkurt 2025, autoritetet ruse dorëzuan në Ukrainë trupat e 757 shtetasve ukrainas të vdekur. Trupi i Roshchynës ishte midis tyre, por ishte regjistruar si “mashkull i paidentifikuar” me numrin 757 dhe shënimin “SPAS”, një akronim në rusisht që përfaqëson “dështim i zemrës”.

Ekzaminimet mjekësore në Ukrainë identifikuan trupin si atë të një gruaje, me përputhje 99% të ADN-së me Roshchynën. Gjendja e trupit e bëri të pamundur përcaktimin e qartë të shkakut të vdekjes, por ekspertët zbuluan prova të forta të abuzimit fizik dhe torturës. “Lëndimet trupore i janë shkaktuar gjatë jetës së saj, prandaj ekziston një probabilitet i lartë që ajo t’i jetë nënshtruar torturës,” deklaroi Yurii Bielousov, kreu i Departamentit të Luftës në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Sipas hetimit, në trupin e gazetares janë identifikuar mavijosje të shumta, një brinjë e thyer, dëmtime në qafë dhe një frakturë e dyshuar në kockën hioidale, shenjë tipike e mbytjes. Ekspertët përmendin gjithashtu shenja që mund të jenë pasojë e goditjes me rrymë elektrike.

Gjithashtu, hetimi evidenton se trupi i saj i ishte nënshtruar autopsisë në Rusi, dhe disa organe kyçe, si truri, sytë dhe një pjesë e trakesë, mungonin.

Shkaku i saktë i vdekjes nuk është konfirmuar ende, por të dhënat e grumbulluara rrisin dyshimet për abuzim të rëndë dhe torturë gjatë mbajtjes peng.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Erdogan nis sulmet para samitit të NATO-s

Autoritetet turke kanë kryer qindra arrestime, kanë ndaluar protestat dhe kanë kufizuar liritë e medias përpara samitit të ardhshëm të NATO-s në Ankara, me aktivistët...
12:04 | 27/06/2026

Luftë brenda elitës ruse? Arrestohet Ilia Traber, miku i vjetër i Putinit që konsiderohej i paprekshëm në Rusi

Ilia Traber, 75 vjeç, i njohur me nofkën “Antikuari”, konsiderohej për vite me radhë si një nga njerëzit më të paprekshëm në Shën Petersburg. Ai...
11:50 | 27/06/2026

Trump prezanton pasaportën e re amerikane me portretin e tij për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së

Presidenti amerikan Donald Trump prezantoi të premten pasaportat koleksionuese që mbajnë portretin e tij, të cilat do të qarkullojnë në një numër të kufizuar në...
09:06 | 27/06/2026