Dy inceneratorët, të Elbasanit dhe Fierit janë të financuar nga buxheti i shtetit, ndërsa i Tiranës jo, tha kryeministri Rama në Komisionin Hetimor për Inceneratorët të mërkurën.
“Impianti i Tiranës ndërtohet 100 % me paratë e investitorit”, tha Rama.
Rama tha se është krenar për ndërtimin e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit, pasi sipas tij, më përpara gjysma e popullsisë në Shqipëri nuk kishte mundësi për shërbimin e grumbullimit të mbetjeve.
“Financimi për inceneratorët është pjesë e planit për të mbuluar të gjithë Shqipërinë me shërbimin e grumbullimit të mbetjeve”, u shpreh Rama.
Për Ish-ministrin Lefter Koka, Rama tha se është akuzuar për korrupsion që ka kryer individualisht, e jo për ndonjë vendim qeverie.
“Ish-ministri nuk është i akuzuar për ndonjë vendim qeverie, për ndonjë mbledhje qeverie, as për ndonjë aferë të madhe qeverie, por është nen akuzë për korrupsion qe ai individualisht ka kryer me palën tjetër”, tha Rama.
Jorida Tabaku tha se ka 51 pyetje për Edi Ramën si dëshmitar në Komisionin Hetimor, që është edhe i fundit ku do të dëgjohen dëshmitarë.