Instalacioni “Mendoj për Ty” shfaqet para selisë së Këshillit të Evropës

19 Qershor 2025 | 17:04

Instalacioni “Mendoj për ty”, i një artisteje nga Kosova, i cili i kushtohet viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, është shfaqur para selisë së Këshillit të Evropës në Strasburg të enjten.

Alketa Xhafa-Mripa shfaqi instalacion e saj në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte të Armatosura, e cila shënohet më 19 qershor.

Dhjetëra fustane të varura në tela për tharjen e rrobave, dhuruar nga të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë konflikteve të armatosura dhe nga figura publike në shenjë solidariteti, u shfaqën para ndërtesës së Këshillit të Evropës të enjten.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se puna e Alketa Xhafa-Mripës e ka kthyer dhimbjen në motiv dhe heshtjen në kujtesë të fuqishme publike.

“Si një artiste nga Kosova me famë ndërkombëtare, ajo vazhdon të flasë për ato e ata që nuk do të harrohen kurrë. Ajo kujton, por edhe kërkon. Zgjon ndërgjegjen, bën thirrje për llogaridhënie dhe këmbëngul që drejtësia duhet të mbizotërojë”, shkroi Kurti në Facebook.

Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99, nuk dihet.

Por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20.000.

Megjithatë, statusin ligjor si të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës e kanë marrë vetëm afër 2.000 persona.

Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strasburg shkroi në Facebook se, duke e sjellë këtë instalacion në zemër të Evropës, “Mendoj për Ty” është shndërruar “në një simbol të qëndresës dhe mbijetesës, dhe shërben si një rikujtim se eliminimi i dhunës seksuale në konflikte është i mundur vetëm nëse i japim mbështetje të pakushtëzuar të mbijetuarave dhe vendosim autorët përballë drejtësisë”.

Ajo tha se përurimi zyrtar i instalacionit do të mbahet më 23 qershor, gjatë sesionit veror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në prani të deputetëve të Asamblesë, përfaqësueseve të përhershëm të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës dhe autoriteteve më të larta të organizatës.

Ndërsa, më 27 qershor, instalacioni do të vendoset në një nga hapësirat publike më të frekuentuara të qytetit të Strasburgut, në Rue des Hallesbardes, duke e sjellë mesazhin në zemër të veprës edhe më afër qytetarëve, sipas njoftimit.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Nga burgimi i përjetshëm në 30 vite: Supremja i ul dënimin e Edmond Lajqit për vrasjen e bashkëshortes

Gjykata Supreme e Kosovës ia ka ulur të enjten dënimin me burgim të përjetshëm në një dënim me 30 vjet burgim Edmond Lajqit për vrasjen...
20:54 | 16/07/2026

Deklarata e ministres serbe, reagon eurodeputeti çek. Kërkon përjashtimin e Serbisë nga negociatat me BE-në

Eurodeputeti çek, Tomas Zdechovsky ka reaguar së fundmi lidhur me deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviç. Në reagimin e tij, Zdechovsky e cilësuar deklaratën e...
16:56 | 16/07/2026

“Kosova nuk hesht para gjuhës së urrejtjes”, depozitohet kallëzimin penal ndaj ministres serbe Paunoviç

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Donika Gërvalla këtë të enjte përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se kanë depozituar një kallëzim penal ndaj ministres...
15:34 | 16/07/2026