Ish-polici i Kosovës lirohet nga paraburgimi në Serbi

22 Nëntor 2025 | 12:14

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, është liruar nga paraburgimi në Serbi dhe u kthye në shtëpinë në Kosovë të premten para mesnatës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, avokati i angazhuar nga familja e tij, Arianit Koci.

Spahiu u mbajt në qytetin verior të Serbisë, Suboticë, nga 9 qershori kur gjykata në këtë qytet urdhëroi paraburgosjen e tij gjoja për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

Koci tha të shtunën për REL-in se autoritetet serbe e liruan Spahiun pasi nuk kanë pasur asnjë provë për t’i mbështetur pretendimet e tyre.

“Spahiu është mbajtur panevojshëm kaq gjatë në paraburgim, sepse, siç kam thënë në fillim, nuk mund të ketë prova për një akuzë të tillë, sepse ai nuk ka qenë në Policinë e Kosovës në atë kohë”, tha Koci.

Spahiu u arrestua më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus së bashku me familjen e tij.

Serbia e akuzoi atë se gjoja e kishte kryer veprën penale në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur e sulmoi policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë.

Koci tha se Serbia asnjëherë nuk ka paraqitur asnjë provë apo dëshmi e besueshme që do të rëndonte pozitën e tij ligjore.

Për sulmin në Banjskë Kosova e ka akuzuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përgjegjësi.

Përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, i cili besohet se ndodhet në Serbi.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi i tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale në rastin Banjska.

Hetime për këtë sulm është duke kryer edhe Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dega e LDK-së në Pejë kërkon dorëheqjen e Abdixhikut

Dega e LDK-së në Pejë njoftoi se pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, “me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë...
20:44 | 23/06/2026

Termocentralet e vjetruara në Ballkanin Perëndimor ndotin 6.6 herë mbi limitin e lejuar

Tetë vjet pas hyrjes në fuqi të standardeve për kontrollin e ndotjes së ajrit sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë, emetimet e ndotjes në Kosovë,...
12:32 | 23/06/2026

Kurti: Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve do të filloj komunikimet për formimin e institucioneve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se do të presë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit për të nisur më pas...
11:31 | 23/06/2026