Shkarkohet nga detyra kryeprokurori i Kosovës

20 Nëntor 2025 | 11:31

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka shkarkuar të enjten Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, raporton Betimi për Drejtësi, medium i specializuar në fushën e drejtësisë.

Shkarkimi është raportuar të jetë bërë me pesë vota për, ndërsa në vendin e tij, si ushtrues detyre i Kryeprokurorit ë Shtetit, është caktuar Agron Qalaj.

Propozimi për shkarkimin e Kelmendit është bërë nga anëtarja e Këshillit, Jehona Grantolli.

Kryesuesi i takimit, Ardian Hajdaraj ka thënë se në takim ka pasur kuorum të mjaftueshëm për votim, dhe që prania e Kelmendit nuk ka qenë e nevojshme pasi ai do të duhej përjashtuar nga procesi, meqë diskutimet janë bërë për të.

Kelmendi e ka lëshuar sallën disa minuta para votimit, pasi në diskutime e sipër me anëtarë tjerë të KPK-së, ka vlerësuar që propozimi për shkarkimin e tij është përpjekje për shkatërrim të sistemit.

Shkarkimi i tij vjen një ditë pasi ai e ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media, në të cilën i ka mohuar raportimet se ka bashkëpunuar me gjyqtaren serbe, Danica Marinkoviq, më 1999, e cila e kishte përsipër rastin e masakrës së Reçakut.

Atëbotë, Marinkoviq punonte si gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, dhe e kishte cilësuar masakrën si “ngjarje të trilluar”.

Në atë masakër u vranë 45 civilë shqiptarë.

Kelmendi e ka konfirmuar se gjatë ditës së mërkurë është paraqitur si dëshmitar në Prokurorinë Speciale të Kosovës lidhur me punën e tij në gjykatë në kohën kur ka ndodhur masakra.

Sipas tij, në atë periudhë ishte i punësuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë si bashkëpunëtor profesional, duke theksuar se kryente punën e procesmbajtësit, andaj i mohoi akuzat se ishte asistent i Marinkoviqit.

Sipas tij, Marinkoviq ishte gjyqtarja që “zhduku provat për masakrën e Reçakut”.

Deklarimet e tij vijnë pas pretendimeve të medias lokale në Kosovë, Paparaci, se Kelmendi kishte qenë i përfshirë në trajtimin e rastit të Reçakut më 1999.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë pretendimet e këtij mediumi.

Përgjatë konferencës së 19 nëntorit, Kelmendi u pyet edhe pse u ftua si dëshmitar në Prokurorinë Speciale.

“Jam thirrur si dëshmitar sepse një person, që ka qenë prokuror në atë kohë, me emrin Ismet Shufta, kur e kanë pyetur se kush ka punuar në Gjykatë, ai ka përmendur emrat e njerëzve që i kanë rënë ndërmend. I kishte rënë në mend edhe emri im sepse sot jam U.D. i Kryeprokurorit. Nuk e di pse, sepse s’kam marrë asnjë arsyetim”, tha Kelmendi.

Ai shtoi se është i gatshëm të shkojë sërish në Prokurori për këtë rast.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

3 vite pa kryeprokuror, Kosova zgjedh kreun e organit të akuzës

Kosova mund të bëhet shumë shpejt me Kryeprokuror të Shtetit, pas tre vitesh funksionimi me ushtrues detyre në këtë pozitë të rëndësishme. Në mbledhjen e...
20:41 | 13/07/2026

Deklarata skandaloze e ministres serbe: Nëse do isha unë në 1998 do e kisha pastruar etnikisht Kosovën

Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka bërë një deklaratë skandaloze që ka shkaktuar reagime të shumta, gjatë...
20:06 | 13/07/2026

Gjermani Dirk Schubel emërohet përfaqësues i posaçëm i BE-së në Kosovë

Dirk Schübel është emëruar Përfaqësues i ri Special i Bashkimit Evropian për Kosovën. Ai do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026, me një mandat...
12:44 | 13/07/2026